Një person i armatosur vrau tre persona afro-amerikanë në një sulm me motive racore dhe më pas vrau veten në Jacksonville në Florida, raporton BBC.
Autori i ngjarjes së rëndë, i përshkruar si i bardhë dhe në fillim të të 20-ave, hyri në një dyqan “Dollar General” dhe hapi zjarr.
Autoritetet thanë se dy burra dhe një grua u vranë nga personi i armatosur, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur. Sulmuesi mbante një pushkë gjysmë-automatike dhe një pistoletë. Po ashtu kishte edhe jelek antiplumb, ka njoftuar sherifi T K Waters.
Ai besohet se ka vepruar i vetëm dhe dyshohet se donte ta vriste veten. Ai jetonte në kontenë Clay të Jacksonville me prindërit e tij dhe la disa mesazhe. Të paktën një nga armët kishte një svastikë të vizatuar në të, simbolin famëkeq të nazistëve.
Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis përshkroi të shtënat si "të tmerrshme".
"Ai (personi i armatosur) vuri në cak njerëzit në bazë të racës së tyre, kjo është krejtësisht e papranueshme," tha DeSantis, i cili po konkurron për të qenë kandidati presidencial i partisë republikane.
Edhe
Sulm në një market në Arkansas, tre të vdekur
Ka pasur mbi 28,000 vdekje me armë në SHBA deri më tani këtë vit, sipas faqes së internetit Gun Violence Archive.
Sulmi në Jacksonville vjen në 60-vjetorin e Marshimit në Washington dhe fjalimin e famshëm të Martin Luther King Jr "Unë kam një ëndërr". Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në kryeqytet të shtunën për të shënuar momentin historik në lëvizjen për të drejtat civile.