Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

BE-ja mbështet Spanjën pas krizës në Ceuta, kërkon kontroll më të madh mbi kufijtë e jashtëm

Ceuta

Foto: Associated Press

Ministrat e brendshëm të vendeve të Bashkimit Evropian u takuan për të diskutuar mbi hyrjen masive të emigrantëve marokenë në enklavën spanjolle në Afrikë, Ceuta. 

Ministri i Brendshëm i Spanjës, Fernando Grande-Marlaska, e vlerësoi takimin si  konstruktiv dhe bëri të ditur se edhe shtetet anëtare e vlerësuan reagimin të menjëhershëm dhe efikas.

Grande-Marlaska theksoi se shërbimet spanjolle të inteligjencës nuk patën marrë paraprakisht asnjë informacion apo paralajmërim për hyrje masive e emigrantëve në Ceuta.

“Nuk pati asnjë raport dhe asnjë paralajmërim. Fatkeqësisht, situata të tilla mund të ndodhin, por është e rëndësishme të theksohet se ne jemi të përgatitur të reagojmë menjëherë ndaj krizave të këtij lloji”, ka thënë Grande - Marlaska.

Sipas tij, rreth 70 mijë nga 72 mijë emigrantët që hynë në Ceuta janë larguar tashmë nga territori. 

Edhe Spanja akuzon disa vende të BE-së për reagim “egoist” ndaj fluksit të migrantëve në Ceuta Botë Spanja akuzon disa vende të BE-së për reagim “egoist” ndaj fluksit të migrantëve në Ceuta

Grande-Marlaska theksoi gjithashtu se zona Schengen nuk u rrezikua në asnjë moment, pasi Ceuta, e cila ndodhet në Afrikën e Veriut, nuk është pjesë e marrëveshjes Schengen.

Irlanda, e cila mban aktualisht presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian e kryesoi takimin e ministrave të Brendshëm të vendeve anëtare.

Ministri irlandez i Drejtësisë dhe Çështjeve të Brendshme, Jim O’Callaghan, tha se blloku mbetet i bashkuar në mbështetje të Spanjës dhe i vendosur për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të bllokut.

“Bashkimi Evropian është i bashkuar dhe është i gatshëm të mbështesë Spanjën, si dhe të mbrojë kufijtë e jashtëm nga migracioni i paligjshëm. Kufijtë e jashtëm të BE-së janë përgjegjësi e përbashkët dhe migracioni kërkon një përgjigje të koordinuar në nivel evropian", është shprehur O'Callaghan. 

Ai vlerësoi reagimin e shpejtë të autoriteteve spanjolle ndaj situatës në Ceuta, ndërsa shprehu ngushëllimet për viktimat.

Ministri irlandez theksoi se takimi u dha vendeve anëtare mundësinë t’i vlerësojnë mekanizmat ekzistues dhe t’i identifikojnë fushat ku nevojitet bashkëpunim më i ngushtë.

Edhe ministri danez i Emigracionit, Morten Bodskov, e mirëpriti takimin e ministrave të BE-së, duke theksuar se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kihet kontroll mbi kufijtë e Bashkimit Evropian.

Danimarka ka qenë ndër vendet më kritike për situatën në Spanjë, por pas takimit, dha qëndrim më të butë. 

Edhe Të paktën 34 të vdekur në përpjekjen për ta kaluar kufirin, 60 mijë migrantë hyjnë në Ceuta Botë Të paktën 34 të vdekur në përpjekjen për ta kaluar kufirin, 60 mijë migrantë hyjnë në Ceuta

Ministri Bodskov vlerësoi reagimin e shpejtë të autoriteteve spanjolle, ndërsa theksoi se presioni mbi kufijtë e jashtëm të BE-së kërkon përgjigje të menjëhershme dhe të vendosur.

Në përfundim të takimit, anëtarët e Bashkimit Evropian ritheksuan angazhimin për ta forcuar luftën kundër rrjeteve të kontrabandës së emigrantëve dhe për të përmirësuar shkëmbimin e informacionit dhe monitorimin e situatës, me synim parandalimin e krizave të ngjashme në të ardhmen.