Bashkimi Evropian do të vazhdojë ta mbështesë Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP), ka thënë të premten presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, përkundër vendimit të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për të sanksionuar katër gjyqtarë nga radhët e GJNP.
Sipas Costas, gjykata është “gurthemel i drejtësisë ndërkombëtare” dhe se pavarësia e integriteti i saj duhet të mbrohen me çdo kusht, ka raportuar Reuters.
Këto komente të zyrtarit të lartë evropian, janë bërë një ditë pasi Washingtoni zyrtar vendosi sanksione ndaj katër gjyqtareve të GJNP-së, si hakmarrje ndaj vendimit të trupit ndërkombëtar gjyqësor për të lëshuar urdhërarrest për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, si dhe një vendimi të mëparshëm për të hapur hetimet lidhur me krimet e supozuara të luftës nga trupat amerikane në Afganistan.
Urdhri përfshin emrat e gjyqtareve si Solomy Balungi Bossa nga Uganda, Luz del Carmen Ibanez Carranza nga Peruja, Reine Adelaide Sophie Alapini Gansou nga Benini dhe Beti Hohler nga Sllovenia.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kishte deklaruar se këta gjyqtarë “janë përfshirë aktivisht në veprime të paligjshme dhe të pabazuara të GJNP-së, që synojnë Amerikën ose aleatin tonë të ngushtë Izraelin”.