Njësia anti-terrorizëm e Policisë greke ka kryer bastisje dhe arrestime të martën në lidhje me sulmet nga militantët e ekstremit të majtë, përfshirë një bombë dërguar me postë te një gjykatës i lartë.
Policia përmes një deklaratë ka thënë se armë zjarri dhe eksplozivë janë sekuestruar gjatë bastisjeve dhe se gjashtë persona u arrestuan në kryeqytet. Katër persona që tashmë janë në burg, dyshohen se janë të përfshirë.
Dhjetë të dyshuarit akuzohen se janë pjesë e një organizate terroriste, për tentim vrasje dhe për shkelje të ligjit për armët.
Sulmet kishin dëmtuar ndërtesa dhe automjete, por nuk kishte njerëz të lënduar, raportoi AP.
Greqia për dekada ka vuajtur nga dhuna e militantëve të krahut të majtë, duke nisur nga bombardimet dhe vrasjet te sulmet e vogla me zjarr.
Edhe
Eksplozivë e armë sekuestrohen në një ndërtesë në Greqi
Policia ka shtuar se të dyshuarit besohet se ishin të përfshirë edhe në katër sulme të tjera me bomba të vogla në Athinë dhe Larissa.
Sulmet patën cak një bankë, një firmë ndërtimi, një veturë që i përkiste një punëtori burgu dhe një shtëpi në Larissa. Një grup i quajtur “Koordinimi për Hakmarrje” mori përgjegjësinë.