Tetë burra janë arrestuar në dy hetime të veçanta të policisë kundër terrorizmit të shtunën në Angli.
Pesë janë arrestuar në vende të ndryshme rreth Anglisë, si pjesë e një hetimi "të planifikuar paraprakisht" për shkak të një komploti për të "shënjestruar një objekt të caktuar", ka thënë Policia Metropolitane, raporton BBC.
Katër prej tyre, dy 29 vjeç, një 40 dhe një 46 vjeç, janë shtetas iranianë. Policia ka thënë se kombësia dhe mosha e të pestit nuk është përcaktuar ende.
Tre burra të tjerë, të gjithë iranianë, janë arrestuar në Londër të shtunën si pjesë e një hetimi të veçantë të policisë kundër terrorizmit. Policia ka thënë se dy operacionet nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën.
Sekretarja e Brendshme, Yvette Cooper, ka falënderuar policinë dhe shërbimet e sigurisë "për veprimet që kanë marrë për të mbajtur vendin të sigurt".
"Këto janë ngjarje serioze që demonstrojnë kërkesën e vazhdueshme për të përshtatur përgjigjen tonë ndaj kërcënimeve të sigurisë kombëtare”, ka thënë ajo.
Në operacionin në të cilin janë arrestuar pesë burra, katër janë ndaluar në bazë të Aktit të Terrorizmit. Personi i pestë është arrestuar në bazë të Aktit të Policisë dhe Provave Kriminale (Pace).
Të pestë janë arrestuar nën dyshimin për përgatitjen e një akti terrorist.