Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Arabët kërcënohen me burgim nëse postojnë thashetheme online

Autoritetet e Arabisë Saudite kanë paralajmëruar se kushdo që shpërndan thashetheme “të pabaza” në rrjetet sociale mund të përballet me dënim deri pesë vjet burgim e gjobë të majme.

Njoftimi vjen pasi një koncert i anuluar në Riad çoi në raportimet online se gratë e reja po ngacmoheshin seksualisht gjatë rrugës për shtëpi. Disa nga gratë kanë thënë për BBC-në se po frikësohen të postojnë për ngjarjet që ndodhën.

Shefi i Autoritetit për Argëtim në Arabi i ka përqeshur raportimet e tyre në disa postime në Twitter.

Ky është zhvillimi i fundit në përplasjet kulturore e sociale në Arabinë pas hapjes nga shoqëria konservatore.

Koncerti, në të cilin pritej të performonte grupi Stray Kids, më 14 janar, u anulua në momentet e fundit për shkak të erërave të fuqishme. Fansat e zhgënjyer patën problem të gjejnë rrugët për shtëpi në kryeqytetin arab.

Raportimet nisën menjëherë duke thënë se gratë po zhdukeshin, si dhe po ka ngacmime seksuale. Online të paktën, ka pasur shumë panik.

Megjithatë, realiteti ende është i paqartë.

Shumë njerëz thonë se s’ka pasur incidente të tilla e se organizatorët kanë bërë punë të mirë, pavarësisht rrethanave. Deklarimi i tyre përforcohet nga fakti se gjatë mbrëmjes, u postuan fotografi të disa burrave që dyshoheshin për ngacmim – por disa prej tyre ishin marrë nga rrjetet sociale apo ishin të yjeve të caktuar.

Shefi i Autoritetit për Argëtim në Arabinë Saudite, Turki al-Sheikh, ka postuar disa herë në Twitter duke i përqeshur raportimet e tilla për ngacmim.

Menjëherë shpërthyen ‘memet’, ndërsa shumë gra u akuzuan për mashtrime me qëllim të turpërimit të Arabisë.

Megjithatë, disa gra më herët kanë thënë për BBC-në se në të vërtetë ka pasur ngacmime, por se kjo nuk mund të dëshmohet në mungesë të provave.

Madje, sipas tyre, ato që kanë bërë postime online janë kërcënuar menjëherë dhe se u janë fshirë llogaritë online. Ato besojnë se ky është reagim zyrtar për të heshtur zërin reagues. Shqetësimi i këtyre grave është se në të ardhmen s’do t’u lejohet të flasin publikisht për ngacmimet.

Zemërimi i fundit ka dalë pak javë pasi një festival muzikor në Riad jo vetëm që tërhoqi qindra mijëra njerëz, por edhe riktheu përplasje në shoqërinë konservatore. Organizatorët kishin krijuar një kod të mirësjelljes që s’do të kishte tolerancë ndaj çfarëdolloj ngacmimi.

Me këtë ritëm vazhduan autoritetet mbretërore pas dënimit të një burri për ngacmim seksual. Emri i tij u bë publik – për herë të parë.

Përkrahësit e projektit të princit të kurorës për hapje të mbretërisë kanë thënë se do të ketë telashe për shkak të ndryshimeve të mëdha me të cilat po përballet kultura tradicionale. Por gratë që janë shqetësuar për atë që ndodhi më 14 janar, frika është se fjala e lirë do të ketë edhe më shumë kufizime.

Artikuj të ngjashëm