Botë

“Burgjet” sekrete për rehabilitimin e grave që nuk u binden burrave

“Burgjet” sekrete për rehabilitimin e grave që nuk u binden burrave

Vajzat dhe gratë e reja në Arabinë Saudite kanë treguar se përballen me tortura, si rrahja me kamxhik dhe abuzim në të ashtuquajturat “shtëpi kujdesi”, pasi u kundërvihen baballarëve ose burrave të tyre. Ato mbahen pa të drejtë larg botës së jashtme, nën një regjim kontrolli dhe ndëshkimi. Aktivistët i denoncojnë këto institucione si forma shtetërore të shtypjes gjinore dhe kërkojnë mbylljen e tyre. Ndërkohë, autoritetet saudite i përshkruajnë si qendra rehabilitimi dhe mohojnë çdo abuzim

Një grua e re e veshur me një abaja të zezë është fotografuar në një qytet në veriperëndim të Arabisë Saudite duke qëndruar në prag të një dritareje tek rrezikonte jetën. Në fotografinë tjetër të publikuar shihen një grup burrash duke e ndihmuar të  zbresë poshtë me ndihmën e një vinçi.

Identiteti i gruas është i panjohur, por dyshohet se ajo po mbahej në një nga “burgjet” famëkeqe sekrete të Arabisë Saudite për gratë e dëbuara nga familjet ose burrat e tyre për mosbindje, marrëdhënie seksuale jashtëmartesore ose për mungesë në shtëpi.

Ishte një pamje e rrallë e gjendjes së qindra ose më shumë vajzave dhe grave të reja që besohet se mbahen në objekte të tilla, ku ato “rehabilitohen” në mënyrë që të mund të kthehen te familjet e tyre.

Të flasësh publikisht ose të ndash pamje të këtyre “shtëpive të kujdesit”, ose “Dar al-Reaya”, është bërë e pamundur në një vend ku zërat për të drejtat e grave duket se janë heshtur. Por gjatë gjashtë muajve të fundit, “The Guardian” ka mbledhur dëshmi rreth asaj se si është jeta brenda këtyre institucioneve, të përshkruara si “ferr” me rrahje javore, mësime fetare të detyruara dhe pa vizita apo kontakt me botën e jashtme.

Raportohet se kushtet janë aq të këqija sa ka pasur disa raste vetëvrasjeje ose tentativash vetëvrasjeje. Gratë mund të kalojnë vite të mbyllura, të paafta të largohen pa lejen e familjes së tyre ose një kujdestari mashkull.

“Çdo vajzë që rritet në Arabinë Saudite e di për Dar al-Reyan dhe sa e tmerrshme është. Është si ferr. U përpoqa t’i jepja fund jetës sime kur zbulova se do të më çonin në një të tillë. E dija çfarë u ndodhte grave atje dhe mendova: ‘Nuk mund ta përjetoj’”,  thotë një grua e re saudite që arriti të ikte në mërgim.

Maryam Aldossari, aktiviste saudite në Londër, thotë se “një vajzë ose grua e re do të qëndrojë atje për aq kohë sa i duhet që t’i pranojë rregullat”.

Shtrembërimi i së vërtetës

Gjersa Arabia Saudite feston suksesin në Kupën e Botës për meshkuj në futboll dhe me kujdes e promovon veten në skenën globale si të reformuar, gratë që kanë guxuar të bëjnë thirrje publikisht për më shumë të drejta dhe liri janë përballur me arrest shtëpiak, burg dhe internim. Aktivistët thonë se shtëpitë e kujdesit në vend janë një nga mjetet më pak të njohura të regjimit për kontrollin dhe ndëshkimin e grave dhe duan që ato të mbyllen.

Zyrtarët sauditë i kanë përshkruar shtëpitë e kujdesit, të cilat u ngritën në të gjithë vendin në vitet 1960, si “strehim për vajzat e akuzuara ose të dënuara për krime të ndryshme” dhe thonë se ato përdoren për të “rehabilituar të burgosurat femra” me ndihmën e psikiatërve “me qëllim që t’i kthejnë ato në familjet e tyre”.

Por Sarah Al-Yahian, e cila filloi një fushatë për t’i mbyllur shtëpitë e kujdesit, ka folur me një numër vajzash të cilat përshkruajnë një regjim abuziv, me të burgosurat që u nënshtrohen kontrolleve të zhveshjes dhe testeve të virgjërisë dhe me të mbërritur u jepen qetësues për t’i vënë në gjumë.

“Është burg, jo azil kujdesi, siç u pëlqen ta quajnë. Ato i thërrasin vajzat me numra. ‘Numri 35, eja këtu’. Kur njëra nga vajzat tregoi mbiemrin e saj, ajo u qëllua me kamxhik. Nëse nuk lutet, ajo qëllohet me kamxhik. Nëse gjendet vetëm me një grua tjetër, ajo qëllohet me kamxhik dhe akuzohet se është homoseksuale. Rojat mblidhen dhe shikojnë kur vajzat qëllohen me kamxhik”.

Yahia, e cila tani është 38 vjeçe dhe jeton në mërgim, thotë se prindërit e saj e kishin kërcënuar se do ta dërgonin në Dar al-Reaya qëkur ishte 13 vjeçe. “Babai im e përdori si kërcënim nëse nuk do t’i bindesha abuzimit të tij seksual”, thotë ajo, duke shtuar se vajzat dhe gratë mund të përballen me dilemën e tmerrshme të vendosjes midis Dar al-Reayas dhe qëndrimit në një shtëpi abuzive.

“Ata ua bëjnë të pamundur të tjerëve të ndihmojnë gratë që ikin nga abuzimi. Unë njoh një grua që u dënua me gjashtë muaj burg, sepse ndihmoi një viktimë të dhunës. Dhënia e strehimit në rastin e një gruaje të akuzuar për ‘mungesë në shkollë’ është krim në Arabinë Saudite.

“Nëse abuzohesh seksualisht ose mbetesh shtatzënë nga vëllai ose babai yt, ti je ajo që dërgohesh në Dar al-Reaya për të mbrojtur reputacionin e familjes”, thotë ajo.

Amina (emër i ndryshuar), 25 vjeçe, thotë se kërkoi strehim në një “shtëpi kujdesi” në Buraydah, qytet në Arabinë Saudite qendrore, pasi u rrah nga babai i saj. Ajo thotë se ndërtesa ishte “e vjetër dhe e frikshme” dhe stafi “i ftohtë dhe i padobishëm”. Ata e nënvlerësuan përvojën e saj, thotë Amina, duke i thënë se vajzat e tjera e kishin “shumë më keq rastin” dhe i thanë asaj “falëndero Zotin që situata jote nuk ishte aq e keqe”.

Të nesërmen, stafi thirri të atin, thotë Amina, por bëri pak për ta mbrojtur. “Ata na kërkuan të dyve t’i shkruanim “kushtet” tona. U kërkova të mos rrihesha ose të detyrohesha të martohesha dhe të më lejohej të punoja. Babai im kërkoi që unë të respektoja të gjithë, të mos dilja kurrë nga shtëpia pa leje dhe të shoqërohesha gjithmonë nga një shoqërues mashkull. Unë nënshkrova nga frika - nuk ndieja se kisha zgjidhje tjetër”.

Sapo u kthye në shtëpi, Amina thotë se rrahjet vazhduan dhe në fund ajo u detyrua të ikte në mërgim. “Mbaj mend që isha krejtësisht e vetme dhe e tmerruar. Ndihesha si e burgosur në shtëpinë time, pa askënd që të më mbronte. Ndihesha sikur jeta ime nuk kishte rëndësi, sikur edhe nëse do të më ndodhte diçka e tmerrshme, askush nuk do të interesohej”, thotë ajo.

Thirrje për ndryshim të sistemit

Për vajzat e reja, të mësuarit për të pasur frikë nga Dar al-Reaya fillon që në moshë të re. Shams (emër i ndryshuar) thotë se ishte 16 vjeçe kur një grua që kishte qenë në një nga azilet e kujdesit u soll në shkollën e saj. Ajo i tha klasës se kishte filluar një lidhje me një djalë dhe se ishte kapur nga policia fetare dhe ishte detyruar t’ia rrëfente të atit. Pasi mbeti shtatzënë, familja e saj e mohoi dhe babai refuzoi ta lejonte të martohej, kështu që ajo u dërgua në Dar al-Reaya. “Ajo na tha se nëse një grua kryen marrëdhënie seksuale ose krijon një lidhje, ajo bëhet një ‘grua e përdalë’. Nëse je burrë, do të jesh gjithmonë burrë, por nëse një grua e bën veten ‘të përdalë”, ajo do të jetë e përdalë për gjithë jetën”.

Layla (emër i ndryshuar), e cila ende jeton në vend, thotë se u dërgua në Dar al-Reaya pasi u ankua në polici për babanë dhe vëllezërit e saj. Ajo thotë se ata e abuzuan dhe më pas e akuzuan se turpëroi familjen e saj pasi postoi në rrjetet sociale për të drejtat e grave. Ajo qëndroi në azilin e kujdesit derisa babai i saj pranoi që ajo të lirohej, ani pse ai dyshohej se ishte abuzuesi i saj.

“Këto gra nuk kanë askënd. Ato mund të dënohen për vite me radhë, edhe pa kryer ndonjë krim”, thotë një aktiviste saudite për të drejtat e grave në kushte anonimiteti. “E vetmja rrugëdalje është nëpërmjet një kujdestari mashkull, martese ose kërcimit nga ndërtesa. Burra të moshuar ose ish-të dënuar që nuk gjejnë nuse do të kërkojnë një nuse në këto institucione. Disa gra do ta pranonin këtë si të vetmen rrugëdalje”.

“Disa burra sauditë do të thonë se një grua meriton të jetë atje ose se duhet të jenë mirënjohëse që qeveria ofron lehtësira për t’i mbrojtur ato”, thotë Fawzia al-Otaibi,  aktiviste që u detyrua të largohet nga vendi në vitin 2022.

“Askush nuk guxon të shkruajë në Twitter ose të flasë për këto vende. Askush nuk do të pyesë për ty kur të shkosh atje. Ata i bëjnë viktimat të ndihen të turpëruara”, thotë Otaibi.

Aktivistët thonë se nëse regjimi saudit do t’i merrte seriozisht të drejtat e grave, do ta reformonte sistemin e shtëpive të kujdesit dhe do të ofronte strehimore të sigurta për viktimat e abuzimit. “Ka gra që kanë familje të mira që nuk i abuzojnë ose nuk i mbyllin ato”, thotë një aktiviste saudite që tani jeton në mërgim. “Por shumë prej tyre jetojnë nën kufizime të rrepta dhe vuajnë abuzimin në heshtje. Shteti e mbështet këtë abuzim me këto institucione. Ato objekte ekzistojnë vetëm për të diskriminuar gratë. Pse autoritetet saudite po i lejojnë ato të qëndrojnë të hapura?”.

Grupi i të drejtave të njeriut ALQST thotë se objektet  e Dar al-Reayas janë të njohura brenda Arabisë Saudite si mjete shtetërore për zbatimin e normave gjinore dhe “janë në kontrast të fortë me narrativën e autoriteteve saudite për fuqizimin e grave”.

Zyrtarja e saj e fushatave, Nadyeen Abdulaziz, thotë se “nëse janë seriozë për avancimin e të drejtave të grave, ata duhet t’i shfuqizojnë këto praktika diskriminuese dhe të lejojnë krijimin e strehimoreve të vërteta që mbrojnë, në vend që t’i ndëshkojnë, ato që kanë përjetuar abuzim”.

Një zëdhënës i qeverisë saudite tha se ekzistonte një rrjet objektesh të specializuara të kujdesit që mbështesnin grupet vulnerabël, duke përfshirë gratë dhe fëmijët e prekur nga dhuna në familje. Ai kategorikisht hodhi poshtë pretendimet për izolim të detyruar ose keqtrajtim. “Këto nuk janë qendra paraburgimi dhe çdo pretendim për abuzim merret seriozisht dhe i nënshtrohet hetimit të plotë… Gratë janë të lira të largohen në çdo kohë, qoftë për të ndjekur shkollën, punën apo aktivitete të tjera personale, dhe mund të largohen përgjithmonë kurdo që të zgjedhin pa pasur nevojë për miratim nga një kujdestar ose anëtar i familjes”, ka deklaruar zëdhënësi.