Një anije greke me flamur të Maltës është goditur me një raketë në Detin e Kuq në brigjet e Jemenit, ka thënë kompania e sigurisë detare “Ambrey” të martën , shkruan BBC.
Mendohet se ky është incidenti i tretë që përfshin transportuesin me shumicë, që besohet të quhet “Zografia”, në 24 orë.
Incidenti i së martës vjen pasi ushtria amerikane njoftoi se kishte konfiskuar armë të furnizuara nga Irani për grupin rebel Houthis gjatë një operacioni javën e kaluar.
Ndërkohë, SHBA-ja ka goditur më shumë objektiva në zonat e kontrolluara nga Houthi të Jemenit.
SHBA-ja kreu sulme të mëtejshme në pozicionet e grupit rebel gjatë natës.
SHBA-ja dhe Britania e Madhe nisën një valë sulmesh ajrore kundër dhjetëra objektivave Houthi më 11 janar pas sulmeve të grupit të mbështetur nga Irani mbi anijet në Detin e Kuq.
Houthit janë zotuar të hakmerren dhe të dielën Shtetet e Bashkuara thanë se kishin rrëzuar një raketë të gjuajtur drejt një prej anijeve të saj luftarake nga një zonë Houthi në Jemen.
Disa anije janë sulmuar nga luftëtarët e Houthit që nga nëntori në shenjë proteste ndaj luftës së Izraelit me Hamasin.
Houthit thonë se ata kanë në shënjestër anijet që janë në pronësi izraelite, me flamur ose që po shkojnë drejt porteve izraelite. Megjithatë, shumë prej tyre nuk kanë lidhje me Izraelin.
Deti i Kuq lidh Oqeanin Indian me Mesdheun nëpërmjet Kanalit të Suezit, por disa linja detare kanë njoftuar se tani po devijojnë rreth Kepit të Shpresës së Mirë për të arritur në Evropë.