Ambasadorja e SHBA-së në detyrë në Ukrainë, Julie Davis, do të japë dorëheqjen nga posti i saj pas më pak se një viti në këtë post, ka bërë të ditur Departamenti i Shtetit.
Vendimi vjen mes një qetësie në përpjekjet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja për të arritur një armëpushim dhe për t'i dhënë fund pushtimit të Rusisë.
Davis ishte frustruar me presidentin Donald Trump për mungesën e mbështetjes së tij për Ukrainën, ka raportuar Financial Times, duke cituar burime të paidentifikuara.
Mirëpo, Departamenti i Shtetit ka mohuar se kishte pasur ndonjë mosmarrëveshje të tillë dhe ka thënë se ajo po tërhiqej.
Trumpi ka ushtruar presion mbi Kievin për të arritur një marrëveshje paqeje me Rusinë, duke thënë se vendi mund të lëshojë territor për të siguruar një marrëveshje. Presidenti deri më tani nuk ka arritur ta çojë luftën në një fund përmes bisedimeve të armëpushimit, të cilat tani kanë ngecur kryesisht pasi Uashingtoni e ka përqendruar vëmendjen e tij në luftën e Iranit.
Edhe
Emisarët amerikanë të inkurajuar pas takimeve në Moskë e Kiev
"Është e rreme të sugjerohet se ambasadorja Davis po jep dorëheqjen 'për shkak të mosmarrëveshjeve me Donald Trump'”, ka thënë zëdhënësi i departamentit të shtetit Tommy Pigott.
“Ajo do të vazhdojë të çojë përpara me krenari politikat e presidentit Trump derisa të largohet zyrtarisht nga Kievi në qershor 2026 dhe të dalë në pension nga Departamenti”, ka shtuar ai.
Davis, zyrtarja më e lartë e ambasadës amerikane, është e ngarkuara me punë, por jo një ambasadore e konfirmuar nga Senati. Ajo ka shërbyer gjithashtu si ambasadore e SHBA-së në Qipro që nga viti 2023, duke operuar një rol të dyfishtë gjatë kohës së saj në Kiev.
Ajo u emërua nga administrata Trump në maj të vitit të kaluar pasi paraardhësja e saj, kolegia diplomate e karrierës Bridget Brink, dha dorëheqjen.
Edhe
BE-ja mban diplomatët në Ukrainë, dëshiron më shumë presion mbi Rusinë
Brink, e cila ishte emëruar nga presidenti i atëhershëm, Joe Bide, ka thënë se ishte alarmuar nga qasja e Trumpit ndaj Rusisë dhe se si ai “ushtroi presion mbi viktimën, Ukrainën”.
Që nga marrja e detyrës në janar 2025, Trumpi ia ka hedhur vazhdimisht fajin Ukrainës për pushtimin e vendit nga Rusia më shumë se katër vjet më parë dhe ka pasur një marrëdhënie të trazuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.