Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Albanese përballet me alarm për bombë shkaku i një grupi kinez të muzikës

Anthony Albanese

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, është përballur me një alarm për bombë në rezidencën e tij, i cili buronte nga kërcënime me shkrim të drejtuara ndaj një grupi kinez të vallëzimit dhe muzikës i cili është i ndaluar nga Pekini.

Sipas emaileve të parë nga mediat lokale dhe BBC-ja, interpretuesve të grupit Shen Yun u ishte kërkuar të anulonin shfaqjet e tyre të ardhshme në Australi, përndryshe rrezikonin rezidencën zyrtare të kryeministrit në kryeqytet, me shpërthim eksplozivësh. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Autoritetet kanë refuzuar të komentojnë mbi përmbajtjen e emaileve, duke konfirmuar vetëm se kishin ndërhyrë në një “incident të dyshuar sigurie” në shtëpinë e liderit të martën dhe se “nuk është gjetur asgjë e dyshimtë”.

Shen Yun është themeluar nga lëvizja fetare Falun Gong, e cila është e ndaluar në Kinë.

Sipas policisë, Albanese u evakuua nga shtëpia e tij rreth orës 18:00 me kohën lokale, dhe është dërguar në një vend tjetër për disa orë.

Një nga emailet, i shkruar në gjuhën kineze, pretendonte se sasi të mëdha eksplozivi nitroglicerinë ishin vendosur rreth “The Lodge”, emri i rezidencës zyrtare të kryeministrit në Canberra.

“Nëse këmbëngulni të vazhdoni me shfaqjen, atëherë rezidenca e kryeministrit do të shkatërrohet dhe gjaku do të rrjedhë si lumë”, thuhej në kërcënim.

Kërcënimi u raportua në polici nga Shen Yun të martën, sipas Australian Broadcasting Corporation. Në një deklaratë dërguar BBC-së, Shen Yun ka thënë se do të vazhdojë me shfaqjet e tij në Australi dhe i ka bërë thirrje qeverisë australiane të zhvillojë një hetim të plotë.

E në një postim në rrjetet sociale të mërkurën në mëngjes, Albanese ka falënderuar policinë dhe personat që i kishin dërguar “mesazhe mbështetëse”, duke publikuar një foto të qenit të tij që ruante derën.

I ndërprerë nga protestues gjatë një eventi të mërkurën, Albanese ka përsëritur gjithashtu thirrjet e mëparshme për uljen e tensioneve në debatin politik në vend.

“Mendoj se kjo është një kujtesë për të shfrytëzuar çdo mundësi për t’u thënë njerëzve të ulin tonet, për hir të Zotit, nuk mund t’i marrim këto gjëra si të mirëqena”, ka deklaruar ai.