Disa prej vendeve anëtare të NATO-s të cilat ndodhet afër kufirit me Rusinë kanë lëshuar deklarata duke shprehur solidaritet dhe shqetësime, pas njoftimit se mbrojtja ajrore e Polonisë ka rrëzuar të mërkurën disa dronë rusë në hapësirën e saj ajrore.
Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, ka thënë se shkelja e hapësirës ajrore polake nga Rusia është e papranueshme.
"Lufta ruse kundër Ukrainës përbën një kërcënim për sigurinë e të gjithë Evropës. Polonia ka të drejtë të mbrojë hapësirën e saj ajrore. Ne i japim mbështetjen tonë të plotë Polonisë, si një aleat i NATO-s dhe anëtar i BE-së. Suedia dhe Polonia qëndrojnë të bashkuara në mbështetjen tonë për Ukrainën", ka thënë Kristersson.
Presidenti letonez Edgars Rinkēvičs ka postuar në X për të shprehur "mbështetjen dhe solidaritetin e tij të plotë" me Poloninë dhe aleatët e saj.
Ai ka thënë se "agresioni rus në Ukrainë na prek drejtpërdrejt dhe duhet të merren masa të përshtatshme".
E ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, e ka quajtur gjithashtu veprimin e Rusisë "thellësisht shqetësues dhe plotësisht të papranueshëm", duke riafirmuar mbështetjen e palëkundur të Norvegjisë për Poloninë dhe angazhimin e përbashkët për sigurinë evropiane.
