Polonia dhe aleatët e NATO-s janë detyruar të ngrejnë avionët luftarakë në orët e para të mëngjesit të së dielës, pas një vale sulmesh të Rusisë ndaj Ukrainës Perëndimore, ka njoftuar ushtria polake.
Sipas faqes për ndjekjen e fluturimeve, Flightradar24, hapësira ajrore pranë qyteteve juglindore të Polonisë, Lublin dhe Rzeszow, është mbyllur deri të paktën në orën 04:00 GMT, për shkak të “aktivitetit të paparashikuar ushtarak që lidhet me sigurinë kombëtare”.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, ka bërë të ditur se kryeqyteti ukrainas është goditur nga një “sulm masiv”. Një ndërtesë pesëkatëshe është dëmtuar pjesërisht si pasojë e mbetjeve nga një dron, ndërsa të paktën tre persona janë dërguar në spital.
Tensionet në rajon janë rritur dukshëm pas disa rasteve të përsëritura të shkeljes së hapësirës ajrore të vendeve anëtare të NATO-s nga Rusia gjatë këtij muaji.
“Në lidhje me aktivitetin e aviacionit me rreze të gjatë të Federatës Ruse, që po kryen sulme në territorin e Ukrainës, avionët polakë dhe aleatë kanë nisur operacionet në hapësirën tonë ajrore”, ka bërë të ditur ushtria e Polonisë përmes një postimi në rrjetin social X (ish-Twitter).
Me “aleatë” nënkuptohen forcat e NATO-s, sipas terminologjisë ushtarake.
Ushtria polake ka sqaruar se këto veprime janë të natyrës parandaluese dhe synojnë mbrojtjen e hapësirës ajrore dhe sigurinë e qytetarëve.
Ndërkohë, Moska ka mohuar përfshirjen e saj pas raportimeve nga Danimarka, e cila ka thënë se disa dronë kanë fluturuar mbi aeroportet e saj. Estonia po ashtu ka akuzuar Rusinë për shkelje të hapësirës ajrore me aeroplanë luftarakë. Kohët e fundit, një mision mbrojtës ajror i NATO-s është zhvilluar mbi territorin e Polonisë, si përgjigje ndaj hyrjeve të dronëve rusë në hapësirën e saj ajrore.
Më 10 shtator, avionët luftarakë të Polonisë dhe NATO-s kanë rrëzuar tre dronë rusë që ishin futur në hapësirën ajrore polake.
Në anën tjetër, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se vendet e NATO-s duhet të rrëzojnë avionët rusë që futen në hapësirën e tyre ajrore.