Aktivistja suedeze Greta Thunberg është paraqitur para gjykatës në Londër për procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj saj dhe disa aktivistëve të tjerë. Ajo në muajin tetor ishte arrestuar së bashku me disa aktivistë të tjerë pasi penguan konferencën e industrive të naftës dhe gazit.
Policia metropolitane ka deklaruar se 20-vjeçarja ishte në mesin e 26 të arrestuarve pas protestës në qendër të Londrës.
Ajo është akuzuar për shkelje të Aktit për Rend Publik që ia mundëson policisë të kufizojë lëvizjen. Protestuesit kanë akuzuar kompanitë e naftës se qëllimisht kanë lëvizur ngadalë në përdorimin e energjisë së ripërtërirë.
Aktivistët gjithashtu kanë kundërshtuar vendimin e qeverisë britanike për të lejuar shpimet në kërkim të naftës në Detin Verior afër brigjeve të Skocisë.