Botë

Afro 1 milion njerëz mbesin pa rrymë në zonat jugore të Ukrainës nga sulmet ukrainase

Sulmet ruse ne Ukraine

Të paktën 700,000 njerëz në zonat jugore të Ukrainës, të kontrolluara nga forcat ruse, kanë mbetur pa energji elektrike të martën si pasojë e sulmeve me dronë dhe granatimeve ukrainase, të cilat shkatërruan nënstacionet e energjisë elektrike, kanë thënë zyrtarët e vendosur nga Rusia në atë zonë. 

Sulmi i cili synonte rajonet Zaporizhzhia dhe Kherson, duket të jetë një nga më të mëdhenjtë e këtij lloji në territorin e mbajtur nga Rusia që nga fillimi i luftës, në shkurt 2022, raporton Reuters.

Rusia pretendon të dy rajonet, zona të mëdha të të cilave ajo tashmë i kontrollon dhe po përpiqet të pushtojë pjesën tjetër të tyre, pjesë e asaj që e paraqet si shtytje për të garantuar sigurinë e saj dhe për të siguruar të ardhmen e rusëve etnikë dhe rusishtfolësve.

Ukraina e quan këtë një grabitje toke në stilin kolonial nga Moska dhe është zotuar të rimarrë territorin e humbur përmes forcës dhe diplomacisë. 

Sulmet me dronë vijnë disa orë pasi delegacionet ukrainase dhe ruse u takuan në Stamboll të Turqisë për bisedimet e paqes, në të cilat Moska ka thënë se do të pajtohej për t’i dhënë fund luftës vetëm nëse Kievi lëshon pjesë të mëdha të territorit dhe pranon kufizime në madhësinë e ushtrisë së saj.