Një aeroplan me të cilin po udhëtonte presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është “sulmuar” me bllokim të GPS-it mbi Bullgari, një operacion që dyshohet të jetë rus, ka thënë një zëdhënëse e Komisionit të hënën.
Avioni është ulur në mënyrë të sigurt në aeroportin e Plovdivit dhe von der Leyen do të vazhdojë turneun e saj të planifikuar në vendet e Bashkimit Evropian që kufizohen me Rusinë dhe Bjellorusinë, ka thënë zëdhënësja e Komisionit, Arianna Podesta, raporton AP.
"Ne mund të konfirmojmë se ka pasur bllokim të GPS-it. Kemi marrë informacion nga autoriteti bullgar se ata dyshojnë se kjo ishte për shkak të ndërhyrjes nga Rusia”, ka thënë Podesta.
Von der Leyen, një kritike e ashpër e presidentit rus, Vladimir Putin dhe luftës së Moskës në Ukrainë, është në një turne katër-ditor në vendet e BE-së që kufizohen me Rusinë dhe aleatin e saj, Bjellorusinë.
"Ky incident në fakt nënvizon urgjencën e misionit që presidentja po kryen në shtetet anëtare në vijën e parë”, ka thënë Podesta.
Ajo ka shtuar se von der Leyen ka parë "nga dora e parë sfidat e përditshme të kërcënimeve që vijnë nga Rusia dhe përfaqësuesit e saj."
“Dhe, sigurisht, BE-ja do të vazhdojë të investojë në shpenzimet e mbrojtjes dhe në gatishmërinë e Evropës edhe më shumë pas këtij incidenti”, është shprehur ajo.
Bullgaria ka lëshuar një deklaratë duke thënë se “sinjali satelitor i përdorur për navigimin GPS-it të avionit është ndërprerë".
“Ndërsa avioni iu afrua Aeroportit të Plovdivit, sinjali GPS humbi”, thuhet në deklaratë.