Që nga viti 2022, grupi “Foxtrot Network” dyshohet se ka qenë përgjegjës për rreth 35 vrasje, si dhe për një sërë sulmesh dhe tentativash ndaj objektivave izraelite në Evropë, përfshirë dy sulme me eksplozivë dhe granata dore. Grupi rekruton adoleshentë për të kryer sulmet kundrejt pagesës, por pothuajse kurrë nuk detyrohet t’i paguajë, pasi shumica kapen nga policia.
Në periferi të Stokholmit, një burrë i veshur me të zeza doli nga errësira e një nate dimri. Me një armë zjarri në dorë, ai iu afrua 20-vjeçarit Murad Abdelkader, një student që po kthehej në shtëpi pas një turni pune në McDonald’s.
Sulmuesi hapi zjarr, duke qëlluar vazhdimisht ndërsa i afrohej objektivit të tij. Plumbin e fundit ia qëlloi në kokë, ndërsa viktima qëndronte e pafuqishme në tokë.
Vrasësi ishte 18-vjeçari Atilla Azimov. Atë natë të shkurtit të vitit të kaluar, ai kishte vrarë njeriun e gabuar.
Ai e kishte bërë këtë për para, i punësuar nga “Foxtrot Network”, një grup i krimit të organizuar me lidhje me regjimin iranian, i cili është bërë i njohur për përdorimin e taktikës së quajtur “dhunë si shërbim” (Violence-as-a-Service – VaaS).
Që nga viti 2022, “Foxtrot Network” dyshohet se ka qenë përgjegjës për rreth 35 vrasje, si dhe për një sërë sulmesh dhe tentativash ndaj objektivave izraelite në Evropë, përfshirë dy sulme me eksplozivë dhe granata dore.
Edhe
Adoleshentët ukrainas po kryejnë akte tradhtie. Si duhet të gjykohen ata?
Grupi rekruton adoleshentë për të kryer sulmet kundrejt pagesës, por pothuajse kurrë nuk detyrohet t’i paguajë, pasi shumica kapen nga policia.
Një rast i tillë është ai i Johannes Natland, një adoleshent norvegjez, i cili të mërkurën u shpall fajtor nga një juri në gjykatën Old Bailey në Londër për komplot për vrasje, lidhur me një atentat të planifikuar në West Yorkshire.
Sipas Operational Taskforce (OTF) GRIMM, grupit të Europolit të krijuar për të luftuar këtë fenomen, vrasësit adoleshentë rekrutohen përmes rrjeteve sociale dhe marrin udhëzime në një mënyrë sikur të bëhej fjalë për një lojë, që imiton funksionimin e videolojërave.
Andy Kraag, drejtues i Qendrës Evropiane të Europolit për Krimin e Rëndë dhe të Organizuar, e quan këtë fenomen “delegim i llogaritur i vrasjes” tek të rinjtë e pambrojtur.
OTF GRIMM aktualisht përfshin 11 vende të prekura nga fenomeni VaaS: Belgjikën, Danimarkën, Finlandën, Francën, Gjermaninë, Islandën, Holandën, Norvegjinë, Spanjën, Suedinë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Udhëheqësi i “Foxtrot Network”, Rawa Majid, është larguar nga Suedia dhe më pas nga Turqia, ku kishte bazën e tij operative, dhe tani ndodhet në kryeqytetin iranian, Teheran. Policia beson se disa nga sulmet VaaS janë kryer në shërbim të regjimit iranian, përfshirë një sulm me granatë ndaj ambasadës izraelite në Kopenhagë, ndërsa sulme të tjera lidhen me luftërat për kontrollin e trafikut të drogës.
Diamant Salihu, gazetar hulumtues në televizionin publik suedez SVT, ka tre vjet që hulumton “Foxtrot Network” dhe lidhjet e tij me Iranin.
“Regjimi i kërkon drejtuesit të ‘Foxtrot Network’ të aktivizojë rrjetin e tij për të kryer sulme kundër armiqve të regjimit iranian”, tha ai.
“Këta mund të jenë disidentë, gazetarë që kundërshtojnë regjimin, por edhe objektiva izraelite”, shtoi.
Sipas Salihut, lidhjet me regjimin iranian nisën pas tetorit 2023, kur Majid u arratis në Teheran.
“Ai duhej të bënte një marrëveshje që të mund të jetonte lirshëm në Iran, me kusht që ai dhe rrjeti i tij të punonin për regjimin”, tha Salihu.
“Foxtrot Network” dhe Rawa Majid u vendosën nën sanksione nga qeveria britanike në prill të vitit 2025.
Po atë muaj, pas arrestimit të Natlandit, i cili ishte 18 vjeç, u zbulua se ai kishte udhëtuar për të kryer një atentat në emër të “Foxtrot Network” pranë Huddersfield.
Rasti i Natlandit tregon qartë mënyrën se si funksionon sistemi VaaS.
Rekrutimi i adoleshentit
Natland ishte djali i dy gazetarëve nga Stavangeri dhe kishte pasur një fëmijëri të rehatshme. Megjithatë, ai u përfshi në drogë, zhvilloi psikozë dhe përfundoi në rehabilitim dhe më pas për një periudhë të shkurtër në një shtëpi për fëmijë. Pikërisht aty njohu një tjetër adoleshent që përdorte pseudonimin UnknownHustler.
Ishte UnknownHustler ai që i dërgoi Natlandit ofertën e parë në internet për të kryer një atentat në Britani: “Killing in England 270k” (270 mijë korona norvegjeze, rreth 25 mijë euro).
Oferta kishte ardhur nga një tjetër adoleshent me pseudonimin Generalen. Ky i fundit, që në atë kohë ishte vetëm 16 vjeç dhe prej tre vjetësh jetonte në një shtëpi për fëmijë, e rekrutoi Natlandin për atentatin.
Më pas Natlandi iu dorëzua një anëtari të “Foxtrot Netëork” me pseudonimin Agent 47, emër i marrë nga seria e videolojërave Hitman. Policia suedeze akuzon Ali Shehad Ahmed, një bashkëpunëtor të afërt të Rawa Majidit, se është personi pas këtij pseudonimi.
Agent 47 i rezervoi Natlandit një biletë vetëm vajtje për në aeroportin e Mançesterit dhe e ndihmoi të siguronte një pasaportë emergjente. Përmes aplikacionit Signal, ai e udhëzoi në çdo hap të udhëtimit, përpara se ta kalonte te një person përgjegjës për logjistikën me pseudonimin “1”.
Edhe
Ish-taksisti që u përfshi në operacionet e shërbimeve sekrete ruse në Evropë
Duke e trajtuar Natlandin si një personazh të një videoloje, “1” i dërgoi një hartë dhe video që tregonin vendndodhjen e armëve të fshehura në një pyll pranë Huddersfieldit, si dhe një tjetër video që tregonte se ku ndodhej një sasi parash e fshehur në shkurre pranë një nënkalimi.
Pasi Natlandi u vendos në hotelin e tij në Huddersfield me armët në dispozicion, Agent 47 i shkroi sërish: “Nesër kemi shumë punë për të bërë”.
Natlandi u arrestua mëngjesin tjetër. Atij ende nuk i ishte thënë se kë duhej të vriste, dhe hetuesit britanikë të antiterrorizmit ende përpiqen të përcaktojnë nëse objektivi do të ishte një rival kriminal apo një atentat politik në shërbim të Iranit.
Adoleshenti që e kishte rekrutuar Natlandin, Generalen, kishte qenë shumë aktiv. Përveç Natlandit, ai kishte rekrutuar të paktën edhe dy persona që kryen vrasje në Suedi.
Njëri ishte Atilla Azimov, i cili po vuan burgim të përjetshëm për vrasjen e njeriut të gabuar, ndërsa tjetri ishte një 17-vjeçar që vrau Ahmed Zamzam në qytetin suedez të Lundit, rreth një muaj më parë.
Asnjëri prej vrasësve nuk mori pagesën e premtuar, sepse të dy u kapën.
Salihu tha se kjo ishte pjesë e mënyrës se si funksionon “Foxtrot Network”.
“Ata nuk shqetësohen fare nëse adoleshentët kapen. Kur kapen, nuk mund të kërkojnë paratë që u janë premtuar dhe ne nuk kemi parë asnjë rast që këta vrasës të rinj të jenë paguar”, shpjegoi ai.
Sipas tij, është ndjekur qëllimisht politika e rekrutimit të adoleshentëve gjithnjë e më të vegjël, sepse ata nuk mendojnë për pasojat e kapjes dhe janë më të gatshëm të marrin rreziqe.
Generalen u ndalua përfundimisht pasi po organizonte vrasjen e djalit 14-vjeçar të një polici norvegjez. Ai kishte rekrutuar një 15-vjeçar dhe një 17-vjeçar për ta kryer sulmin me thikë, por 15-vjeçari njoftoi policinë.
Kur Generalen u arrestua, hetuesit gjetën në telefonin e tij detaje për komplotin e vrasjes në Huddersfield, gjë që i mundësoi policisë britanike të arrestonte Natlandin në kohë.
Generalen u dënua në muajin maj dhe po vuan një dënim me 14 vjet burgim.
Gjatë 15 muajve që nga krijimi i OTF GRIMM, operacioni ka shënuar disa suksese. Policia ka kryer më shumë se 280 arrestime, përfshirë disa nga personat kryesorë të dyshuar.
Një nga arrestimet më të rëndësishme ishte ai i Ali Shehad Ahmed, i cili besohet të jetë Agent 47.
Ai u arrestua në qytetin kurd të Sulajmanijes, në Irak, dhe aktualisht ndaj tij është paraqitur një kërkesë për ekstradim në Suedi.
Zëvendëskomisari kombëtar i policisë suedeze, Stefan Hector, tha se autoritetet po “zgjerojnë vazhdimisht bashkëpunimin me vendet e tjera”, duke u treguar kriminelëve se “nuk mund të ndihen të sigurt askund në botë”.
Në muajin maj u arrestua në Tunizi edhe Mohamed “Moewgli” Mohdhi, një ish-reper që policia suedeze e përshkruan si një “figurë qendrore” të “Foxtrot Network”.
Megjithatë, vetë Rawa Majid mbetet jashtë mundësive të autoriteteve, në Iran.
“Ai vazhdon të jetë akti”, tha Salihu. “Dhe për sa kohë ky rrjet të mbetet aktiv, kam frikë se do të vazhdojmë të shohim sulme kundër armiqve të regjimit iranian”.
Edhe
Si i përdorin grupet e urrejtjes dhe organizatat terroriste platformat e lojërave për të rekrutuar fëmijë
Ende nuk është e qartë se në çfarë mase arrestimet kanë dobësuar aftësinë operative të “Foxtrot Network”. Megjithatë, grupe të tjera, përfshirë rivalët e tyre, “Dalen Network”, kanë filluar tashmë të përdorin të njëjtën metodë të “dhunës si shërbim”, duke rekrutuar adoleshentë të pambrojtur për të kryer vrasje.
Ky fenomen u përhap me shpejtësi nga Suedia në të gjithë Skandinavinë dhe Evropën Veriore dhe, siç dëshmon rasti i Natlandit, arriti edhe në Mbretërinë e Bashkuar vitin e kaluar.