Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Dokumenti sekret tregon se forcat iraniane ngacmuan dhe vranë protestuesen adoleshente

Nika Shakaram

Foto: BBC

Një adoleshente iraniane është sulmuar seksualisht dhe është vrarë nga tre pjesëtarë të forcave të sigurisë së Iranit, thuhet në një dokument të rrjedhur që pretendohet se është shkruar nga forcat iraniane, raporton BBC. 

Në dokument është treguar se çfarë i ndodhi 16-vjeçares Nika Shakarami, që u zhduk në një protestë antiregjim në vitin 2022. 

Trupi i saj u gjet nëntë ditë më vonë. Qeveria pretendoi se ajo kreu vetëvrasje. 

Qeveria e Iranit dhe Garda Revolucionare nuk u janë përgjigjur pyetjeve të BBC lidhur me pretendimet. 

E shënuar si “shumë konfidenciale”, raporti përmbledh seancën dëgjimore lidhur me rastin e Nikas të mbajtur nga Garda Revolucionare Islamike. Në raport përfshihen emrat e personave që pretendohet se kanë kryer vrasjen e po ashtu komandantët e lartë që tentuan ta fshihnin të vërtetën. Po ashtu detaje të tmerrshme të ngjarjeve që thuhet se u kryen brenda një furgoni ku u fut Nika pas arrestimit. 
Njëri nga pjesëtarët e ngacmoi atë ndërsa po e mbante, kjo e shtyu Nikan që të luftonte. Më pas thuhet se kjo “provokoi burrat dhe e rrahën atë me shkopinj”.

Edhe Irani ngre akuza ndaj gazetarëve pas raportimit të BBC-së për vdekjen e protestueses 16-vjeçare Botë Irani ngre akuza ndaj gazetarëve pas raportimit të BBC-së për vdekjen e protestueses 16-vjeçare

Zhdukja e Nika Shakaramit dhe vdekja e saj u raportuan gjerësisht dhe fotoja e saj u bë sinonim i luftës së grave në Iran për liri më të mëdha. 

Lëvizja “Gra, jetë dhe liri” ishte nxitur nga vrasja e 22-vjeçares Mahsa Amini. Ajo vdiq nga lëndimet që mori në paraburgim, pasi ishte akuzuar se nuk kishte veshur si duhet hixhabin. 

Në rastin e Nikas, familja e saj e gjeti trupin e saj në një morg më tepër se një javë pas zhdukjes nga protestat. Por, autoritetet e Iranit mohuan se vdekja e Nikas lidhej me protestat dhe thanë se ajo kishte kryer vetëvrasje. 

Pak para se të zhdukej, Nika ishte parë në mbrëmjen e 20 shtatorit në afërsi të Parkut Laleh në qendër të Tehranit duke qëndruar në afërsi të vendit ku po digjeshin hixhabët nga protestueset. 

Të tjerët rreth saj po bërtisnin “vdekje diktatorit” – duke iu referuar liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei. 

Por ajo që nuk e dinte Nika ishte se po përcillej në atë kohë, së paku siç thuhet në raport. Garda kishte “menduar se Nika ishte udhëheqëse për shkak të sjelljeve”. 

Ekipi kishte dërguar zyrtarë në turmë, duke pozuar si protestues, për të konfirmuar se Nika ishte lidere e protestës. Më pas, sipas raportit, ai kishte ftuar ekipin e tij për ta arrestuar atë. Por Nika kishte ikur. 
Halla e saj i kishte thënë “BBC Persian” se Nika kishte telefonuar një shoqe atë natë dhe i kishte thënë se po ndiqej nga forcat e sigurisë. 

Ajo ishte parë duke u arrestuar dhe duke u futur në furgon. 

Ajo ishte në furgon me tre anëtarë të “Ekipit 12” – Arash Kalhor, Sadegh Monjazy dhe Behrooz Sadeghy. 

Udhëheqësi i tyre Morteza Jalil ishte para së bashku me shofer. 

Grupi kishte tentuar ta dërgonte Nikan te një kamp i përkohshëm policor, por iu tha se ishte i ngarkuar. 

Më pas vazhduan te një qendër e paraburgimit, 35 minuta larg. Komandanti i asaj qendre kishte pranuar që Nika të vendosej aty. Por, ai ndryshoi mendjen më pas. 

“E akuzuara vazhdimisht po shante dhe bërtiste”, u kishte thënë ai hetuesve. “Ishin 14 të arrestuara të tjera në stacion dhe vlerësova se mund të nxitë të tjerat”. 

Morteza Jalil sërish kontaktoi zyrën qendrore të Gardës Revolucionare, thuhet në raport, dhe iu tha që të niset për te burgu famëkeq Evin. 

Rrugës ai nisi të dëgjonte zhurma prapa furgonit. 

Sipas dëshmisë së Behrooz Sadeghyt, Nika kishte nisur të shante e bërtiste pasi nuk u lejua në qendrën e paraburgimit. 

“Arash Kalhor ia futi një çorapë në gojë, por ajo nisi të luftonte. Më pas Sadegh Monjazy qëndroi sipër saj dhe situata ishte qetësuar”, u tha Behrooz hetuesve. “Nuk e di se çfarë ndodhi, por pas disa minutave ajo nisi të shante. Nuk mund të shihja asgjë, mund të dëgjoja vetëm luftime e rrahje”. 

Edhe Irani ia vrau vajzën adoleshente, tani ajo po përballet me regjimin Botë Irani ia vrau vajzën adoleshente, tani ajo po përballet me regjimin

Por, Arash Kalhor dha detaje të tjera. 

Ai tha se shkurtazi ndezi dritën e telefonit dhe e pa Sadegh Monjazyn duke futur “dorën brenda pantallonave të së akuzuarës”. Pas kësaj situata doli nga kontrolli. 

Po ashtu tha se nuk e dinte se kush çfarë po bënte, pasi ishte errësirë, por mund të dëgjonte se me shkopinj po goditej e akuzuara Nika.

“Unë nisa të shkelmoja e grushtoja, por nuk e di nëse po godisja njerëzit tanë apo të akuzuarën”, tha Arash. 

Por, Sadegh dha deklaratë ndryshe, duke shtuar se u motivua nga xhelozia profesionale. Ai mohoi se futi duart në pantallonat e Nikas, por nuk mohoi se “u eksitua” kur ishte ulur mbi Nikan dhe preku të pasmet e saj. 

Ai tha se kjo e provokoi Nikan, që e gërvishti dhe e shkelmoi, ndërsa ai u rrëzua. 

“Ajo më goditi në fytyrë, u desh të mbrohesha”. 

Morteza Jalil urdhëroi shoferin të ndalonte, siç thuhet në raport. Kur u hap dera e pasme e furgonit, u pa trupi i pajetë i Nikas. 

Ai tha se pastroi gjakun nga fytyra dhe koka e saj dhe se “trupi nuk ishte në gjendje të mirë”. 

Nëna e Nikas ka treguar se trupin e vajzës e gjeti në morg, dhe në certifikatën e vdekjes së Nikas thuhet se ajo vdiq “nga lëndime të shumta të shkaktuara nga goditjet nga një objekt i fortë”. 

Lideri i grupit Morteza Jalil pranoi se nuk tentoi të zbulonte se çfarë ka ndodhur. 

“Unë vetëm po mendoja se si ta transferoja atë dhe nuk bëra pyetje të tjera. Unë vetëm pyeta: ‘A po merr frymë?’ Mendoj se ishte Behrooz Sadeghy që u përgjigj, ‘jo, ajo ka vdekur’”. 

Jalil më pas telefonoi për herë të tretë zyrën qendrore të Gardës Revolucionare. 

Në këtë rast, ai foli me zyrtarin e lartë, me nofkën “Naeem 16”. 

“Ne kishim të vdekur tashmë në stacionet tona, nuk doja që numri të rritej në 20”, u tha Naeem 16 hetuesve. “Sjellja e trupit të saj në bazë nuk do ta zgjidhte situatën”. 

Ai i tha Jalilit “që ta hedhë atë në rrugë”. Jalili tregoi se e kishte lënë trupin e Nikas në një rrugë të qetë nën autostradën “Yadegar-e-Emam” në Tehran. 

Raporti konkludon se një sulm seksual nxiti luftimin në pjesën e pasme të furgonit dhe se goditjet nga “Ekipi 12” shkaktuan vdekjen e Nikas. 

Edhe Më shumë gra në Iran shihen pa hixhabe që nga vdekja e Mahsa Aminit Botë Më shumë gra në Iran shihen pa hixhabe që nga vdekja e Mahsa Aminit

“Tre shkopinj dhe tre elektroshokë u përdorën. Nuk është e qartë se cila goditje ishte fatale”, thuhet në raport. 

Raporti kundërshton narrativen e qeverisë së Iranit se çfarë ndodhi me Nikan. Një muaj pas varrosjes së saj, televizioni shtetëror publikoi rezultatet e një hetimi zyrtar, e cili tha se Nika kishte kryer vetëvrasje duke u hedhur nga një ndërtesë.