Irani është përgjegjës për “dhunën fizike” që çoi në vdekjen e Mahsa Aminit, ka thënë misioni faktmbledhës i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
22-vjeçarja vdiq derisa gjendej në mbajtje policore në vitin 2022 pasi ishte arrestuar me pretendimin se kishte shkelur rregullat për mbajtjen e shamisë në kokë.
Vdekja e saj pati nxitur protesta të papara ndonjëherë më parë në vend.
Misioni i OKB-së ka gjetur po ashtu “përdorim joproporcional të forcës vdekjeprurëse” nga forcat e sigurisë kundër protestuesve.
Shtypja e protestave pati çuar në vrasjen e mbi 500 personave, kanë thënë grupe për të drejtat e njeriut, raportoi BBC.
Raporti ka thënë se Mahsa Amini ishte dërguar në objektin e paraburgimit Vozara, por ishte alivanosur pas 26 minutash dhe u dërgua në spital 30 minuta më vonë.
Në atë kohë, një ekspert për të drejtat e njeriut i OKB-së pati thënë se dëshmitë tregonin se ajo vdiq “si rezultat i rrahjes”. Autoritetet e mohuan dhe thanë se ajo vdiq për shkak të problemeve të mëhershme shëndetësore.
Tani, misioni faktmbledhës ka thënë se “ka vërtetuar ekzistencën e provave të traumës në trupin e Aminit, të shkaktuar ndërsa ishte në paraburgim”. Kjo së bashku me “shenjat e dhunës nga policia e moralit” plotësuan dëshminë se Amini iu nënshtrua dhunës fizike që çoi në vdekjen e saj.
Protestat patën shpërthyer pas varrimit të Aminit kur gratë hoqën shamitë nga koka në shenjë solidariteti. Demonstratat u përhapën në gjithë Iranin. Gratë digjnin shamitë dhe bënin thirrje për rënie të sistemit qeverisës.
Misioni i OKB-së ka thënë se autoritetet përdorën armë, kallashë e automatikë kundër demonstruesve, “duke kryer vrasje të paligjshme”.
Po ashtu gjeti se protestuesit shpesh qëlloheshin qëllimisht në sy. Pasi këto plagë mbesin të përhershme, raporti thotë se kjo ishte mënyrë për të dalluar protestuesit.
Sipas raportit, disa nga të burgosurit u nënshtruan ndaj dhunës seksuale dhe torturave të tjera gjatë mbajtjes.