Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Irani ia vrau vajzën adoleshente, tani ajo po përballet me regjimin

Irani

“Por fakti që Sevda nuk merr më frymë më ka bërë të mundur të qëndroj në këmbët e mia… të mendoj se si ta nderoj jetën dhe rrugën e saj… Të gjithë ata trupa që pashë, të gjitha qeset mortore që hapa duke kërkuar Sevdën, më kanë bërë të luftoj kundër Republikës Islamike deri në frymën time të fundit”, thotë Samira, nëna e vajzës që u vra në protestat e janarit në Iran

Samira thotë se dikur nuk ishte aspak e interesuar për politikën.

“Punova në shitje në Iran. Shisja produkte kozmetike”, i ka thënë ajo BBC Panorama.

Por gjithçka ndryshoi ditën kur fëmija i saj i vetëm u qëllua për vdekje para syve të saj nga forcat iraniane të sigurisë. Sevda, 16 vjeçe, po merrte pjesë në protestat kundër regjimit represiv të Iranit, të cilat përfshinë vendin në fillim të këtij viti, përpara se SHBA-ja dhe Izraeli të nisnin sulme ajrore, ku u vra edhe udhëheqësi suprem i vendit, Ajatollah Ali Khamenei.

Dhimbja e Samirës u shndërrua në zemërim, pasi autoritetet iraniane, në vend që ta ndihmonin, penguan kërkimet e saj për trupin e së bijës, thotë ajo.

“E kuptova se gjetja e Sevdës nuk ishte fundi, por vetëm fillimi i gjithë përndjekjes që do të më bëhej”. 

Samira arriti të arratisej në mënyrë dramatike nga Irani në këmbë, duke përshkuar terrene të rrezikshme malore.

Tani jeton e fshehur jashtë vendit dhe e përshkruan ngjarjen si “një ushtri e përbërë nga një grua të vetme, që lufton kundër regjimit”. 

Në kërkim të përgjegjësisë dhe drejtësisë për vdekjen e së bijës, ajo është e vendosur të bëjë publikë emrat e pjesëtarëve të forcave të sigurisë dhe zyrtarëve që, sipas saj, ishin përgjegjës për të shtënat vdekjeprurëse gjatë protestave.

“Nuk ka më kthim pas”

“Ata do të më çojnë në prag të vdekjes para se të më vrasin, por nuk do ta kenë të lehtë të më gjejnë… Të kthehem në jetën normale? Nuk ka më kthim pas”, thotë ajo.

Samira është njëra nga disa iranianë me të cilët BBC-ja ka biseduar që nga fillimi i vitit. Disa prej tyre, që ende ndodhen brenda vendit, i thanë emisionit Panorama se dëshironin të flisnin pavarësisht rreziqeve, duke thënë se e kishin të vështirë të ruanin shpresën pasi protestat masive u shtypën me dhunë.

Ambasada iraniane në Londër tha se protestat paqësore dhe legjitime ishin përvetësuar nga fuqi të huaja, përfshirë SHBA-në, e cila, sipas saj, nxiti dhunën, siguroi armë dhe pajisje dhe rrezikoi sigurinë publike.

Sevda u vra më 9 janar, ndërsa ajo dhe Samira po merrnin pjesë në demonstrata masive në periferi të kryeqytetit Teheran, të cilat kishin nisur një muaj më parë. Protestat fillimisht u nxitën nga pakënaqësitë ekonomike, por më pas u shndërruan në kërkesa për t’i dhënë fund Republikës Islamike të vendit.

Edhe pse Samira mohon se në atë kohë ishte e përfshirë në politikë, ajo thotë se e bija ishte. Idhujt e Sevdës ishin dy vajza të tjera të reja: Mahsa Amini, vdekja e së cilës në paraburgim, pas një shkeljeje të pretenduar të rregullave për mbajtjen e detyrueshme të shamisë, nxiti protesta masive, dhe Nika Shakarami, e cila u vra gjatë një kryengritjeje të mëvonshme kundër kodit të rreptë islamik të veshjes për gratë në Iran.

“Ajo i mbante gjalla në mendimet e saj dhe gjithmonë dëshironte të vazhdonte rrugën e tyre (të rezistencës)”, thotë Samira.

Një ditë para vrasjes së Sevdës, numri i protestuesve kishte qenë shumë i madh. Samira thotë se ajo dhe e bija iu përgjigjën thirrjes së Reza Pahlavit, djalit në mërgim të shahut (mbretit) të fundit të Iranit, për të dalë në demonstrata.

“Forcat e sigurisë kishin humbur kontrollin”, thotë ajo.

Sipas Samirës, numri i madh i protestuesve e kishte shqetësuar qeverinë iraniane dhe të nesërmen ishte shpallur urdhri për të qëlluar për vdekje protestuesit. Megjithatë, ajo kishte menduar se bëhej fjalë vetëm për një kërcënim bosh.

“Gënjenin aq shumë në Iran… Nuk mund ta imagjinonim një masakër të përmasave të tilla”, shpjegon Samira.

Ajo thotë se i kishin dhënë siguri edhe premtimet e presidentit amerikan, Donald Trump, i cili kishte deklaruar se SHBA-ja ishte në anën e tyre.

Më 8 janar, ai u kishte thënë mediave amerikane: “U kam bërë të ditur (autoriteteve iraniane) se nëse fillojnë të vrasin njerëz, gjë që kanë tendencë ta bëjnë gjatë trazirave të tyre… ne do t’i godasim shumë rëndë”.

Megjithatë, sipas Samirës, turmat e protestuesve më 9 janar dukeshin më të vogla.

Ajo thotë se Sevda dukej se i kuptonte rreziqet. E bija hoqi vathët dhe ia dha gjyshes. Gjithashtu, ia tregoi Samirës kodin e telefonit të saj.

Nëna dhe vajza iu bashkuan pjesës tjetër të protestuesve. Më pas, Sevda hipi mbi një kosh mbeturinash dhe nisi të udhëhiqte thirrjet protestuese.

“Më dukej se kishte më shumë forca sesa njerëz”, thotë Samira për zonën ku ndodheshin. “Nuk e di se si, brenda një dite, arritën të mblidhnin kaq shumë… pjesëtarë të Basijit dhe të Gardës Revolucionare Islamike”.

Garda Revolucionare Islamike mbron establishmentin islamik të vendit, ndërsa Forca e Rezistencës Basij përbëhet nga vullnetarë që veprojnë në kuadër të saj.

“Një snajper qëlloi nga çatia e një ndërtese në të djathtën tonë. Plumbi duhet të ketë ardhur nga çatia. Ai e përshkoi zemrën e saj. Nuk arrita as të bërtisja. Thjesht e shikoja Sevdën, trupin e saj të pajetë. Gjaku i rridhte me vrull nga goja dhe hunda. Nuk mund ta besoja, nuk mund ta besoja se po vdiste. Sytë e saj ende më shikonin”, rrëfen ajo.

Samira thotë se arriti ta dërgonte Sevdën në spital, ku iu tha se mjekët po e operonin. Por më pas u hap dera dhe ajo pa se e bija ishte futur në një qese mortore dhe ishte mbyllur me zinxhir.

Trupi i Sevdës u mor nga spitali. Samira thotë se iu deshën disa ditë për ta gjetur sërish të bijën. Ashtu si shumë familjarë të tjerë, ajo përfundoi në një nga morgjet më të mëdha të Teheranit.

“Adoleshentë, djem dhe vajza të reja. Kishte kaq shumë të vrarë”, thotë ajo mes lotësh.

“Vdisja sa herë që hapja një qese. Nuk kisha parë kurrë kaq shumë trupa. Por nuk u dorëzova”.

Më në fund, ajo e gjeti të bijën.

“Tre trupa ishin vendosur mbi Sevdën. Kështu e gjetëm”, rrëfen.

Autoritetet iraniane pranojnë se më shumë se 3.000 persona u vranë gjatë protestave, por pretendojnë se disa prej tyre ishin pjesëtarë të forcave të sigurisë. Ndërkohë, organizata për të drejtat e njeriut “Hrana” vlerëson se numri i viktimave është mbi 7.000, shumica prej tyre protestues.

Detyrimi për të heshtur 

Sipas Samirës, gjetja e trupit të Sevdës ishte vetëm fillimi i betejës së saj me autoritetet.

Ajo thotë se, për t’u lejuar ta merrte trupin për varrim, u detyrua të deklaronte se për vdekjen e Sevdës ishin përgjegjës “terroristët”, dhe jo forcat e sigurisë.

“Ata e bënë këtë për të fshehur atë që kishin bërë më 8 dhe 9 janar, për të fshehur numrin e njerëzve që kishin vrarë. I detyruan familjet të heshtnin, duke u kërkuar të thoshin se të afërmit e tyre ishin vrarë nga terroristë izraelitë ose amerikanë”, tregon.

Megjithatë, ajo thotë se pas funeralit iu ndalua të vizitonte varrin e së bijës dhe të vendoste një gur varri.

Samira thotë se përndjekja vazhdoi. Disa ditë para ceremonisë së 40 ditëve nga vdekja e Sevdës, një datë me rëndësi të veçantë në kulturën iraniane, ajo thotë se u thirr në një degë lokale të Ministrisë së Inteligjencës.

“Ata më thanë: ‘Duhet të na japësh një intervistë dhe të thuash se Sevda ishte pjesëtare e Basijit dhe se u vra nga protestuesit. Pastaj ne do ta shpallim atë martire dhe ti do të marrësh përfitime, një shtëpi ose çfarëdo që dëshiron’”.

Ajo është e bindur se kjo ofertë u bë nga frika, pasi kishte ndarë lajmin për vdekjen e Sevdës me një organizatë mediatike iraniane me seli në Londër, sapo interneti ishte rikthyer në vend.

“Ata u frikësuan kur kuptuan se kisha kontakte me rrjete të jashtme ose me njerëz jashtë Iranit”, tha ajo.

Për të shmangur dhënien e intervistës, Samira u largua nga Irani menjëherë pas përfundimit të ditës së 40-të nga vdekja e së bijës.

“Nuk doja të bëja pazar me gjakun e fëmijës tim”, shpjegon.

Ajo thotë se trafikantët e njerëzve e ndihmuan të arratisej. Për të arritur në një vend të sigurt, ajo kaloi lumenj dhe male.

Një video që kishte regjistruar gjatë arratisjes së saj tregon qartë zemërimin që ndiente.

“Kjo qeveri e ndyrë, këta bastardë, më kanë përndjekur kaq shumë”, thotë ajo para kamerës, ndërsa ecën përgjatë një shtegu malor, pranë të cilit ndodhet një greminë e thellë.

Samira thotë se, pasi vazhdoi të jepte intervista për mediat e huaja nga jashtë vendit, ndaj saj u ngritën akuza në mungesë për një sërë veprash penale, përfshirë “moharebeh” – luftë kundër Zotit, një vepër që mund të dënohet me vdekje.

Për të shënuar ditëlindjen e 17-të që Sevda nuk arriti ta festonte, familjarët dhe miqtë e saj organizuan një vigjilje, të cilën Samira e ndoqi përmes një transmetimi të drejtpërdrejtë nga vendi ku ndodhet në mërgim.

“Pastaj, papritur, transmetimi u ndërpre”, thotë ajo.

Samira thotë se mësoi se gjatë ceremonisë ishte kryer një bastisje dhe disa nga familjarët e miqtë e saj ishin arrestuar nga Garda Revolucionare Islamike.

Sipas saj, autoritetet e paralajmëruan familjen se, nëse do të vazhdonin të mblidheshin te varri i Sevdës, trupi i saj do të zhvarrosej dhe do të zhvendosej në një vend tjetër.

Tani, Samira publikon në internet emrat e pjesëtarëve të forcave iraniane të sigurisë dhe zyrtarëve që, sipas saj, ishin përgjegjës për të shtënat vdekjeprurëse gjatë protestave të 8 dhe 9 janarit, ku ajo dhe Sevda morën pjesë.

“Dua që drejtësia të vihet në vend për secilin person emrin e të cilit e bëj publik, sepse ata kanë vrarë kaq shumë të rinj. Qëllimi im është që ata të identifikohen dhe të dalin para gjyqit”, thotë ajo.

Kur njëri prej burrave që Samira kishte identifikuar në internet u gjet më vonë i vdekur, një mbështetës i regjimit ofroi një shpërblim prej 5.000 dollarësh për informacione mbi vendndodhjen e saj, duke supozuar se ajo ishte përgjegjëse për vdekjen e tij. Mediat shtetërore iraniane kanë raportuar që atëherë arrestimin e nëntë personave në lidhje me këtë vdekje.

Pavarësisht rreziqeve, Samira thotë se nuk pranon të heshtë.

“Çdo ditë dhe çdo sekondë pa Sevdën është shumë e vështirë për mua. Është sikur një nënë që ka humbur zemrën e saj, që ka humbur qenien e saj, që ka humbur jetën…

“Por fakti që Sevda nuk merr më frymë më ka bërë të mundur të qëndroj në këmbët e mia… të mendoj se si ta nderoj jetën dhe rrugën e saj… Të gjithë ata trupa që pashë, të gjitha qeset mortore që hapa duke kërkuar Sevdën, më kanë bërë të luftoj kundër Republikës Islamike deri në frymën time të fundit”, thotë ajo.