Botë

Kërcënim shtesë për Ukrainën, Lukashenko e Putini me grup të përbashkët ushtarak

Descriptive Text

Udhëheqësi i Bjellorusisë, Aleksandar Lukashenko, ka udhëzuar Ministrinë e Mbrojtjes që t'i mirëpresë trupat ruse, në një grupim të përbashkët, shkroi BBC-ja të martën. Ai foli për nevojën e krijimit të një grupi të ri, për faktin se sipas Lukashenkos, po përgatitet një sulm nga ana e Ukrainës në territorin bjellorus.

Deklarimi i tij se “do t'ju tregoj kur të përgatitet sulmi (ndaj Bjellorusisë)”, mori vëmendjen në rrjetet sociale, derisa lideri bjellorus nuk dha asnjë detaj se kah i ka informatat për një sulm të mundshëm ukrainas.

"Në lidhje me përshkallëzimin në kufijtë të Rusisë dhe Bjellorusisë, u dakorduam për vendosjen e një grupi rajonal të Federatës Ruse dhe të Republikës së Bjellorusisë. Nëse niveli i kërcënimit arrin nivelin aktual si tani, po fillojmë ta angazhojmë grupin e Shtetit të Bashkimit", u shpreh Lukashenko.

Sipas Lukashenkos, baza e grupimit do të jetë në territorin bjellorus, por tha se ky grup nuk do të jetë shumë i madh.

"Mos llogarisni në një numër të madh të Forcave të Armatosura të Rusisë. Nuk do të jenë mbi 1 mijë persona", tha ai në fjalimin drejtuar ministrit bjellorus të Mbrojtjes.

Qëllimi i grupit sipas liderit të Bjellorusisë është mbrojtës, pasi siç tha ai "rusët kanë mjaft probleme". Ministri i Mbrojtjes, Viktor Hrenin, tha se nuk duan të luftojnë as me lituanezët, as me polakët “e aq më pak me ukrainasit”.

“Nëse nuk dëshironi dhe nuk i ndërmerreni hapat e gabuar, atëherë nuk do të ketë luftë”, tha ai.

Përfshirjen e Bjellorusisë në luftë ndaj Ukrainës, Lukashenko e quajti të rremë, duke thënë se nga ky spekulim, shtetet perëndimore po përgatiten për një sulm ndaj Bjellorusisë.

“Situata përreth Bjellorusisë, siç e kemi thënë tashmë, mbetet e tensionuar. Për më tepër, në Perëndim po mbillet mendimi se ushtria bjelloruse do të angazhohet në një operacion ushtarak special direkt në territorin e Ukrainës. Duke iu besuar këtyre akuzave, lidershipi ushtarak dhe politik i Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), po shqyrton hapur opsionet për agresion të mundshëm kundër vendit tonë, deri në detyrën e një sulmi bërthamor. Ky nuk është lajm për ne”, tha Lukashenko.

Autoritetet e Ukrainës po e konsiderojnë Bjellorusinë si të përfshirë në luftë krah Rusisë. Kjo pasi trupat ruse përdorën territorin bjellorus si trampolinë në tentativë për ta pushtuar Ukrainën.

Që nga nisja e luftës, shumë ukrainas u shprehën të frikësuar se trupat bjelloruse mund të hynin drejtpërdrejt në luftë në anën e Rusisë, ndonëse kjo ende nuk ka ndodhur.

Mykhailo Podolyak, këshilltar në Zyrën e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se rreziku ekziston gjithmonë për një përfshirje të mundshme të Bjellorusisë në luftë, por që situata aktualisht është nën kontroll.

“Nuk bëhet fjalë për një pushtim të dytë nga Bjellorusia”, tha ai.

Çfarë lloj trupash po grupohen në Bjellorusi?

Analistët kanë theksuar se shumica e trupave që do të grupohen, mund të jenë bjellorusë.

“Disa mund të mos e dinë këtë, por pjesa ruse e grupit rajonal (që ekziston që nga 1998-a), e përbërë nga Ushtria e Parë, u shqye shumë keq në Ukrainë. Tani, aftësitë e saj për luftë janë të dyshimtë. Tani, grupi i ri do të përbëhet kryesisht nga njësitë bjelloruse dhe rezervistët rusë. Lukashenko më në fund do të jetë në gjendje të deklarojë se aftësitë e njësive bjelloruse dhe ruse janë të barabartë dhe ndoshta do të ketë të drejtë”, tha Kondrad Muzyka, kreu i Qendrës Analitike polake.

Numri i ushtrisë bjelloruse është rreth 60 mijë trupa.

Më herët, komanda e vendit i dërgoi disa mijëra trupa ushtarake në kufi me Ukrainën.

Reagimi i Polonisë, krah Ukrainës e kundër Bjellorusisë

Krahas deklaratave të Lukashenkos, Polonia iu bëri thirrje qytetarëve të saj të largohen nga Bjellorusia “me të gjitha mjetet e disponueshme”.

Ministrja e Jashtme polake paralajmëroi se autoritetet mund t'i mbyllin kufijtë me Bjellorusinë nëse situata përkeqësohet.

Polonia është një nga mbështetëset më besnike të Ukrainës. Ajo e furnizoi Kievin me armë dhe pranoi miliona refugjatë ukrainas.

Megjithatë, marrëdhëniet mes Polonisë dhe Bjellorusisë u përkeqësuan ndjeshëm edhe para agresionit rus mbi Ukrainë.