Vrasja brutale e një vajze në mes të ditës në një rrugë të Egjiptit ka tronditur botën arabe, duke sjellë në qendër të vëmendjes krizën e dhunës me bazë gjinore në vend.
21-vjeçarja Naira Ashraf u ther për vdekje të hënën nga një burrë të cilin e kishte refuzuar, sipas prokurorëve egjiptianë të cilët thanë se i dyshuari u arrestua jashtë Universitetit Mansoura ku ndodhi incidenti dhe ku Ashrafi studionte, shkroi CNN të shtunën.
Videot nga kamerat përreth që tregonin një burrë duke sulmuar një grua jashtë universitetit, u bënë virale. Një avokat i familjes së Ashrafit konfirmoi se videot tregojnë incidentin ku u vra Ashrafi.
Ekspertët për të drejtat e grave në Egjipt kanë thënë se problemi me dhunën në baza gjinore është i përhapur në vend.
Të dhëna mungojnë për incidente të tilla dhe nuk dokumentohen si duhet nga shteti, ka thënë Lobna Darëish nga Iniciativa egjiptiane për Të Drejta.
“Kemi nevojë për një ligj që lufton dhunën”, ka thënë Azza Suliman, avokate dhe drejtoreshë e Qendrës për Gratë Egjiptiane dhe Asistencë Ligjore.
Babai i vajzës, Ashraf Abdelkader, i tha CNN-it se i dyshuari i kishte kërkuar asaj martesë disa herë por ishte refuzuar. I dyshuari po ashtu kishte krijuar llogari të rreme për ta ndjekur atë në rrjetet sociale, tha ai. Më vonë Abdelkader kërkoi një urdhër-ndalimi për të.
“Ajo nuk donte të martohej, ajo donte ta ndiqte karrierën... dhe donte të bëhej stjuardesë”, tha ai.
Darëish tha se viktima dhe familja e saj shteruan të gjitha masat për ta mbrojtur Ashrafin, “dhe sërish i gjithë sistemi – social apo ligjor, dështoi.
Disa komentuan për vrasjen duke e fajësuar viktimën. Një ish-prezantues kontrovers televiziv, Mabrouk Atteya, tha se gratë “duhet të mbulohen” që t’i ndalojnë burrat që t’i vrasin ato.
Komentet e Atteyas nxitën zemërim të gjerë dhe bërë që të krijohej një fushatë duke thirrur arrestimin e tij.
Ngacmimi është i paligjshëm në Egjipt dhe në qershor të vitit të kaluar vendi shtrëngoi ligjet e ngacmimit seksual, duke rritur gjobat dhe dënimet me burgim.
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim më 2019 radhiti Egjiptin të 108-n nga 162 shtete bazuar në pabarazitë gjinore në shëndetësi, fuqizim dhe aktivitet ekonomik.
Vitin e kaluar, nëntë gra u ndoqën penalisht për shkelje të vlerave familjare pasi kishin postuar video ku vallëzonin ose këndonin dhe kishin marrë miliona ndjekës.