Aktivistët po kërkojnë që femicidi të njihet qartësisht si krim dhe autorët të marrin dënime më të rënda. Ata gjithashtu duan që qeveria të mbledhë të dhëna për gratë dhe që zyrtarët e shëndetësisë dhe zbatuesit e ligjit të trajnohen në mënyrë që ata të mund të identifikojnë dhe të mbrojnë personat e cenueshëm
Vrasjet e dy grave keniane këtë muaj kanë nxjerrë në pah trendin shqetësues të dhunës me bazë gjinore në vendin e Afrikës Lindore dhe kanë nxitur aktivistët që të bëjnë thirrje për më shumë masa mbrojtëse të qeverisë.
Rita Waeni, studente 20-vjeçare, u vra dhe u copëtua në një apartament të vogël në kryeqytetin Najrobi më 14 janar. Ditë më parë, një figurë e njohur në Instagram, Starlet Wahu, 26 vjeçe, u gjet e vdekur në një dhomë, me një plagë vdekjeprurëse me thikë e shkaktuar nga një burrë që ajo dyshohet se takoi në internet.
Ato janë vetëm dy nga të paktën katër vrasjet e raportuara me bazë gjinore në Keni që nga fillimi i vitit. Vendi edhe ashtu përballet me numër në rritje të vrasjeve dhe abuzimeve të kryera ndaj grave, thonë grupet e të drejtave.
Çfarë dimë për vrasjet e fundit?
Pamjet e filmuara nga kamerat kapën Starlet Wahu, një influencuese e mediave sociale, duke ecur me një mashkull të veshur me pantallona të shkurtra në një lagje të klasës së mesme në Najrobi, mbrëmjen e 3 janarit. Burri u largua nga ambientet të nesërmen në mëngjes me rroba të gjakosura dhe me një plagë në këmbë, i tha policisë një rojë. Wahu u gjet e pajetë, me plagë të shkaktuar nga thika dhe me shenja kafshimi. Policia gjeti testet për HIV dhe një thikë të gjakosur në dhomë. Policia ka arrestuar një të dyshuar, i cili besohet të jetë një dhunues serial. Disa gra kanë ngritur akuza ndaj të njëjtit burrë për sulme të mëparshme.
Edhe
Arrestohet i dyshuari për vrasjen e 42 grave në Kenia
Gati dy javë më vonë, më 14 janar, trupi i copëtuar i Rita Waeni, një studente e vitit të katërt të Universitetit të Bujqësisë në Najrobi, u gjet brenda qeses të hedhur në një pikë grumbullimi plehrash.
Waeni gjithashtu kishte hyrë në apartamentin me qira me një burrë një ditë më parë, por dëshmitarët okularë thonë se vetëm burri doli nga dhoma dhe se gjurmët e gjakut janë parë në çantë. Gazetat lokale raportojnë se Waeni mund të jetë joshur nga vrasësi i saj përmes aplikacionit social, Instagram. Tre të dyshuar meshkuj janë në paraburgim - njëri u arrestua në aeroport teksa po dilte nga Kenia.
Mediat keniane kanë raportuar edhe për vrasjen e dy grave të tjera javën e fundit. Policia thotë se Christine Aume po gatuante në kuzhinën e saj në Homa Bay në Keninë perëndimore, kur ajo u sulmua dhe iu pre koka më 17 janar. Në të njëjtën ditë, policia gjeti një grua të vrarë dhe të hedhur në rrugë në Kiambu të Kenisë qendrore.
Sa gra janë vrarë?
Aktivistët në Keni thonë se vendi po përjeton ritme në rritje të femicidit, e cila përkufizohet si vrasje e qëllimshme e grave ose vajzave kryesisht për shkak të gjinisë së tyre dhe zakonisht nga partnerët e tyre ose persona të tjerë që i njohin si anëtarë të familjes.
Qeveria keniane nuk mban statistika për vrasjet e grave. Megjithatë, organizata lokale “Femicide Count Kenia”, e cila monitoron vrasjet e raportuara në lajmet lokale, regjistroi 58 vdekje që i cilësoi si femicid, midis janarit dhe tetorit 2022. Në vitin 2023, organizata ka njoftuar se regjistroi të paktën 152 vrasje – më e larta në pesë vitet e fundit.
Rreth 500 gra keniane u vranë midis viteve 2017 dhe 2024, sipas një vlerësimi tjetër nga platformat hetimore “Africa Uncensored” dhe “Africa Data Hub”.
Rastet e abuzimit janë të shumta. Raportet e lajmeve dokumentojnë gra duke u rrahur, duke u therur me thikë dhe duke përdhunuar. Organizata jofitimprurëse “Usikimye”, e cila drejton një linjë ndihme për femrat e mbijetuara të dhunës, thotë se merr më shumë se 150 telefonata çdo ditë, përfshirë nga njerëz që i referohen një pale të tretë që vuan nga abuzimi.
Një studim kombëtar i vitit 2022 zbuloi gjithashtu se rreth një e treta e femrave keniane – rreth nëntë milionë gra – kanë përjetuar një formë të dhunës fizike.
Edhe pse shumë nga vdekjet ndodhën në hapësira private, gratë në Najrobi thonë se ka një atmosferë të përgjithshme frike në qytet dhe meqë kanë pak besim tek autoritetet, ato po gjejnë siguri në udhëtimet në grup.
“Ne si gra keniane nuk dëgjohemi”, ka theksuar Inyika Odero, aktiviste dhe modele që ndihmoi në organizimin e një proteste dhe diskutimi virtual pasi autoritetet ia refuzuan asaj kërkesën për protestë.
“Çfarë mund të bëjmë tjetër përveç udhëtimit në grup dhe të përpiqemi të kthehemi në shtëpi para se të errësohet, gjë që është pothuajse e pamundur sepse njerëzit kanë punë dhe përdorin transportin publik?”, tha Odero. “Nuk na lejohet të kemi mjete vetëmbrojtëse, është e paligjshme”.

Pse femicidi është në rritje?
Kenia, si shumë vende afrikane, ka miratuar traktate që trajtojnë dhunën me bazë gjinore duke përfshirë Konventën e OKB-së për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Kundër Grave (CEDAW) dhe Kartën Afrikane për të Drejtat e Njeriut dhe të Popullit.
Ligjet kombëtare si Ligji për kundërvajtje seksuale gjithashtu ndëshkojnë dhunën ndaj grave. Por aktivistët thonë se politikat e qeverisë nuk janë shumë efektive.
Edhe
Dy të vrarë në Kenia gjatë protestave kundër një qendre amerikane për Ebola
“Ne nuk kemi parë asnjë fushatë kombëtare të sponsorizuar nga qeveria që trajtojnë GBV-në, dhunën me bazë gjinore ose pasojat e saj”, ka theksuar Shyleen Bonareri, drejtore e Institutit të Lidershipit të Grave të Reja me bazë në Najrobi (YWLI).
“Sistemi i drejtësisë mbetet i ngadaltë dhe joefektiv në ndjekjen penale të autorëve dhe korrupsioni vazhdon të shkaktojë boshllëqe në zbatimin e këtyre ligjeve ambicioze”, tha ajo për Al Jazeeran.
Në vend të kësaj shumë gra thonë se ekziston një kulturë “mizogjiniste” e rrënjosur thellë e që i sheh gratë si objekte për t’u “pronësuar” dhe që fokusohet në turpërimin e tyre për të qenë viktima, në vend të autorëve të tyre meshkuj.
Edhe pse tronditja dhe zemërimi u rritën për vrasjet e Wahus dhe Waenit në mediat sociale, aktivistët theksojnë se si disa kenianë, veçanërisht burra, kanë zgjedhur të fajësojnë gratë.
“Është e zakonshme që një grua keniane të ‘disiplinohet’ nga burri i saj me njerëz që e shohin këtë si një shenjë dashurie kur një burrë humb kohë për të ‘mësuar’ gruan e tij”, ka shtuar Bonareri. “Idetë patriarkale si këto, të shoqëruara me pabarazitë strukturore midis burrave dhe grave në shoqërinë keniane, lënë një terren të favorshëm për të ushtruar dhunë”.
Çfarë duan grupet e grave tani?
Shumë zyrtar në Kenia thonë se po bëjnë hetime të vazhdueshme për vrasjet e Wahus dhe Waenit. Ata arsyetohen se janë ende duke u përpjekur të gjejnë të dyshuar për dy vrasjet e tjera të raportuara këtë javë.
Kenia po kalon një “krizë” kombëtare, thonë grupet e të drejtave. Kjo është arsyeja pse gratë po mobilizohen për demonstrata më vonë në janar.
Disa si Momanyi thonë se nuk ka pasur një përgjigje efektive nga administrata e presidentit William Ruto për këtë çështje dhe shtojnë se qeveria e tij është “e pandjeshme”.
Harriet Chiggai, këshilltarja e presidentit, ka dënuar rastet e fundit të femicidit dhe ka siguruar se qeveria po merr masa për të trajtuar këtë çështje.
“Më lejoni të përsëris se qeveria në agjendën e saj është e përkushtuar në mënyrë eksplicite për t’u dhënë fund të gjitha formave të dhunës”, ka thënë Chiggai në një konferencë për media në Najrobi më 19 janar.
Aktivistët po kërkojnë që femicidi të njihet qartësisht si krim dhe autorët të marrin dënime më të rënda. Ata gjithashtu duan që qeveria të mbledhë të dhëna për gratë dhe që zyrtarët e shëndetësisë dhe ligjit të trajnohen në mënyrë që ata të mund të identifikojnë dhe mbrojnë në mënyrë proaktive njerëzit e cenueshëm.
Vdekjet e këtij viti të kujtojnë vrasjet tronditëse të dy sportisteve elitarë në tetor 2021 dhe prill 2022.
Vrapueset në distanca të gjata Agnes Tirop dhe Damaris Mutua u vranë të dyja në shtëpitë e tyre në qytetin idilik, në majë të malit, Iten, me gjashtë muaj diferencë.
Edhe
“Zona e Vdekjes” - Si po i josh Rusia afrikanët për të luftuar në Ukrainë?
Tirop sapo ishte bërë vrapuesja më e shpejtë në botë e një gare 10 km për femra në Gjermani, si dhe Mutua olimpiste - e katërta në një garë tjetër në Angola. Policia dyshon se të dyja u vranë nga burra që i njihnin. Aktualisht vetëm bashkëshorti i Tiropit është në gjyq për vrasjen e saj.
Përktheu: Blerta Haxhiu