Botë

32% e ukrainasve të hapur për koncesione territoriale që lufta të përfundojë

Lufta në Ukrainë

Lufta në Ukrainë

Foto: Associated Press

Gati një e treta e ukrainasve do të pranonin disa lëshime territoriale ndaj Rusisë për një fund të shpejtë të luftës.

Kjo shënon një rritje të idesë prej më shumë se trefish në krahasim me vitin e kaluar, megjithëse shumica ende kundërshtojnë heqjen dorë nga ndonjë tokë, thuhet në bazë të një sondazhi të publikuar të martën, raporton Reuters.

Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë në Kiev (KIIS) ka thënë se sondazhi i tij me 1,067 persona në territorin e mbajtur nga Ukraina dhe i zhvilluar nga 16-22 maj, zbulon se 32% e të anketuarve do të pajtoheshin me një formë të lëshimeve territoriale, nga vetëm 10% një vit më parë, dhe 19% në fund të vitit të kaluar.

Sipas sondazhit, 55% e ukrainasve mbeten kundër ndonjë lëshimi territorial.

Gati 29 muaj që nga pushtimi i saj në shkallë të plotë, Rusia mban rreth 18% të territorit ukrainas, duke përfshirë gadishullin e Krimesë që e pushtoi në 2014. 

Sondazhi nuk pyeti të anketuarit se ndaj çfarë koncesionesh territoriale do të ishin të hapur ose sa të mëdha duhet të ishin ato. KIIS ka thënë se të anketuarit nuk i shihnin domosdoshmërisht koncesionet si të barabarta me njohjen e territorit si rus.

"Për shembull, disa njerëz janë të gatshëm të shtyjnë çlirimin e territoreve të caktuara për të ardhmen, në një kohë më të mirë”, ka thënë KIIS në një deklaratë për gjetjet e tij.

Rusia në vitin 2022 deklaroi në mënyrë të njëanshme se kishte aneksuar rajonet ukrainase Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia, të cilat i kontrollon pjesërisht.

Në vërejtjet e publikuara krahas sondazhit, drejtori ekzekutiv i KIIS, Anton Hrushetskyi, ka thënë se ukrainasit mbeten kundër idesë për të arritur një zgjidhje paqeje me Rusinë me çdo kusht.