Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka kritikuar përfshirjen e Amerikës në Afganistan, duke pohuar se me luftën 20-vjeçare nuk arriti asgjë.
Putini ka thënë se për 20 vjet, ushtria amerikane në Afganistan ka tentuar të civilizojë njerëzit, duke ua prezantuar standardet e jetës në një aspekt më të gjerë, përfshirë organizimin politik të shoqërisë. Mirëpo, sipas Putinit, rezultat i Amerikës ishin tragjeditë e njëpasnjëshme me humbje të jetëve nga dy anët. Ndërkaq, është tallur se rezultati zero nuk është negativ.
Moska që luftoi për dhjetë vjet në Afganistan, e që përfundoi duke u tërhequr në vitin 1989, ka bërë një kthim diplomatik duke u shndërruar në ndërmjetësuese e shtetit në vitet e fundit.
Talebanët më 31 gusht, afatin e fundit për tërheqjen e Amerikës nga Afganistani, e kanë shpallur përfundimin e luftës. Kanë premtuar siguri për të gjithë qytetarët, që i druajnë kthimit të regjimit brutal taleban. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se bashkë me aleatët, ia kanë dalë të menaxhojnë evakuimin e më shumë se 123 mijë afganëve para ultimatumit të 31 gushtit. Sekretari i Shtetit, Antoni Blinken, ka thënë se me tërheqjen nga Afganistani ka nisur një kapitull i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.