Siguria është përmirësuar nën udhëheqjen e talebanëve, janë marrë masa kundër krimit dhe organizatat humanitare thonë se tani mund të arrijnë në pjesë të vendit që më parë ishin zona të ndaluara
Për Afganistanin, viti 2021 karakterizohet me kaosin që shkaktoi tërheqja e SHBA-së dhe nga fillimi i një kapitulli të ri. Talebanët, të cilët ishin shkarkuar nga detyra e udhëheqësit të shtetit nga një koalicion i udhëhequr nga SHBA-ja pas sulmeve të 11 shtatorit, 20 vjet më parë, nuk mund të ndaleshin nga Ushtria afgane apo nga Qeveria e mbështetur nga perëndimi.
Ata shpejt u rikthyen në pushtet në mes të gushtit, gjë që u kërkua nga ish- presidenti Hamid Karzai në mënyrë që të parandalonin kaosin dhe vdekjet e dhunshme në Kabul - zbulon agjencia e lajmeve “The Associated Press”.
Duke qenë tash e katër muaj nën udhëheqjen e talebanëve, Afganistani po përballet me një krizë ekonomike dhe një katastrofë njerëzore. Asetet e Afganistanit jashtë vendit të cilat kanë vlerë miliona dollarësh, janë bllokuar dhe financimi ndërkombëtar për vendin është ndërprerë.
Bota po pret para se t'u japë ndonjë njohje formale udhëheqësve të rinj të shtetit në Kabul, me kujdes që talebanët mund të imponojnë një regjim po aq të ashpër sikur ishin në pushtet 20 vjet më parë - pavarësisht nga zotimi i tyre për të kundërtën.
Talebanët kërkojnë durim, por disa shenja janë shqetësuese, për shembull: vajzat nuk lejohen të ndjekin shkollën e mesme në shumicën e krahinave dhe megjithëse gratë janë kthyer në punët e tyre në pjesën më të madhe të sektorit të kujdesit shëndetësor, shumë nëpunësve civile femra u është ndaluar të shkojnë në punë.
Përmirësimi i sigurisë

Megjithatë, siguria është përmirësuar nën udhëheqjen e talebanëve, janë marrë masa kundër krimit dhe organizatat humanitare thonë se tani mund të arrijnë në pjesë të vendit që më parë ishin zona të ndaluara.
Këtu, reporterët e “Associated Press” të cilët mbuluan pushtimin e talebanëve në të gjithë vendin dhe pasojat pasuese reflektojnë mbi historinë dhe përvojat e tyre.
“Ky vit i fundit ka qenë veçanërisht një vit i trazuar. Filloi me njoftimin e presidentit Biden se ushtarët e fundit të SHBA-së dhe ushtarët e NATO-s do të largoheshin nga Afganistani, por nuk jam i sigurt që dikush mendonte se kjo do të rezultonte në një kaos të tillë dhe një mjerim kaq të vërtetë për kaq shumë njerëz”, ka thënë Kathy Gannon, drejtoreshë e lajmeve në Afganistan dhe Pakistan.
Edhe presidenti afgan, Ashraf Ghani, ishte me të vërtetë i habitur që amerikanët dhe NATO-ja po e linin vendin. Nuk mendoj se ai e ndjente ndonjëherë se ata do të shkonin. Dhe, sigurisht në atë kohë ne kemi biseduar me shumë njerëz, brenda ushtrisë dhe qeverisë, të cilët ishin habitur ndaj këtij njoftimi. Edhe pse SHBA-ja ka qenë duke biseduar me talebanët, kanë negociuar marrëveshjen dhe kanë thënë që me 1 maj do të filloj tërheqja, shumë afganë me të vërtetë besonin se kjo gjë nuk do të ndodhte.
Madje edhe para se talebanët të vinin në pushtet, një sondazh i vitit 2018 tregon se mezi 2% e popullatës kishte besim për të ardhmen, dhe kjo gjë ndodhi vite para se talebanët të vinin në pushtet. Kështu që njerëzit ishin të zemëruar që më parë.
Niveli i varfërisë ishte shumë i lartë dhe kishte shumë pak vende pune. Njerëzit ndiheshin shumë të dekurajuar me të ardhmen e vendit të tyre. Kështu që kur amerikanët po shkonin dhe pastaj ambasadat po shpallnin njoftimet për mbyllje, ishte sikur një top bore që vetëm po rritej.
Në media sociale po qarkullonin thashetheme se “amerikanët po marrin me vete të gjithë ata që shkojnë në aeroport. Madje, nuk iu nevojiten as dokumente të udhëtimit, mjafton të jeni aty”.
Për shumë afganë, kjo është parë si një mundësi për jetë më të mirë, mundësi për të shkuar në Amerikë, në perëndim, për të pasur një të ardhme të cilën as nuk e kishin menduar të mundshme në vendin e tyre edhe para se të vinin talebanët.
Dhe pastaj, me ardhjen e talebanëve, sigurisht që u shfaq edhe frika, posaçërisht në mesin e gjeneratës së re e cila nuk e kishte përjetuar sundimin e talebanëve gjatë viteve 1996-2001.
Pra, mendoj se e gjithë kjo ndikoi në shkaktimin e kësaj vale të njerëzve drejt Aeroportit të Kabulit, për të cilën askush nuk ishte i përgatitur.
Dhe për mua, në shumë mënyra, fakti që kishte një mungesë të tillë të shpresës dhe besimit për të ardhmen, me të vërtetë ishte një aktakuzë e 20 vjetëve të fundit.
Kaosi i madh

Shoqëria civile, në të cilën kishte besim të madh, dukej se ishte e para që po nxitonte të shkonte në Aeroport, sepse ata kishin frikë për jetën dhe të ardhmen e tyre. Ata kishin frikë për të ardhmen e fëmijëve të tyre.
Kjo gjë kontribuoi në kaosin që dukej në ato fotografi të burrave të rinj të cilët po mundoheshin për të hipur në aeroplanin C-17, duke u kapur për rrota. E gjithë kjo frikë dhe pasiguri kontribuoi në këtë gjë.
Dhe me të vërtetë, këta 20 vjetët e fundit nuk iu kishin ofruar shpresa të mëdha për të ardhmen e tyre. Por unë dua të them se nuk kishte prova - nga koha kur talebanët kishin udhëhequr herën e fundit - se do të kishte vrasje të shumta për hakmarrje.
Megjithatë, vrasjet për hakmarrje fatkeqësisht kanë ndodhur gjatë çdo regjimi në Afganistan. Pati shumë vrasje për hakmarrje kur talebanët në vitin 2001 u rrezuan nga pushteti nga aleatët afganë të cilët ishin të mbështetur nga SHBA-ja. Grupet e të drejtave të njeriut kanë raportuar mbi 80 vrasje për hakmarrje, veçanërisht të ish-ushtarëve nga udhëheqësit talebanë të kthyer në pushtet. Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur dëshmi të ndëshkimit sistematik.
Fakti që bota është e befasuar me ardhjen e talebanëve këtu është paksa çuditëse pasi që dy vjet më parë ka pasur negociata me talebanët dhe është arritur marrëveshja që në fund talebanët të përfshiheshin në pushtet. E ardhmja është ende një mister dhe është ende e paqartë nëse talebanët do t’i përmbushin premtimet e tyre për të garantuar arsimim për vajzat apo nëse do të përfshijnë më shumë njerëz në radhët e tyre.
Kërcënimi ndaj AP-së
Pra, nuk ka një pasqyrë të qartë se si do të duket pushteti. Por, ajo çka dihet tashmë është se afganët janë të dëshpëruar për ndihmë. OKB-ja ka thënë se 98% e afganëve deri në fund të këtij viti do të jenë në nevojë për të tjerët dhe nuk është e qartë nëse bota do t’i përgjigjet kësaj thirrjeje.
Fazel Rahman, producent televiziv në Afganistan thotë:
Momenti më shokues për mua këtë vit erdhi në mes të natës: Persona të armatosur trokitën në derën e zyrës së AP-së (“The Associated Press”) dhe na kërcënuan me vdekje. Por ishim me fat. Fatmirësisht, ata nuk mund të dëmtonin askënd. Ndërkaq, zëdhënësi i talebanëve, Suhail Shaheen, u njoftua menjëherë për ardhjen e këtyre njerëzve në zyrat tona. Ata na vizituan brenda dy ditësh dhe na siguruan që askush nuk do të hynte më në ambientet tona pa lejen tonë.
Dhe nëse rastis dikush të vijë, ne duhet t’i lajmërojmë zyrtarët. Më pas, ne u treguam më të kujdesshëm dhe më tutje, nuk ka ardhur më askush në mënyrë të paligjshme nga ana e talebanëve apo dikush tjetër.
Si një afgan, shoh që njerëzit e mi kanë humbur shpresën. Ata humbën arritjet e 20 vjetëve brenda natës. E keni parasysh, vajza ime nuk mund të shkojë në shkollë, ndërsa djemtë e mi po largohen nga shtëpia. Fatkeqësisht, talebanët erdhën përsëri në pushtet dhe është shumë e vështirë për ta të largohen, të paktën për një kohë të shkurtër. E mira është se dimri po vjen dhe zakonisht dimri nuk është kohë e përshtatshme për luftë. Dhe mendoj se kemi shanse për negociata.
Përktheu: Marigona Avdimetaj