Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Tërheqja e SHBA-së dhe kapitulli i ri për Afganistanin

Bota po pret para se t’u japë ndonjë njohje formale sundimtarëve të rinj në Kabul, me kujdes, ngaqë talebanët mund të imponojnë një regjim të ashpër sikurse kur ishin në pushtet 20 vjet më parë – pavarësisht nga garancitë e tyre për të kundërtën. Talebanët kërkojnë durim, mirëpo disa shenja janë për t’u shqetësuar. Për shembull, vajzat nuk lejohen të vazhdojnë shkollën e mesme në shumicën e provincave

Për Afganistanin, 2021-ta u dallua si vit i kaosit me tërheqjen e SHBA-së dhe një kapitulli tjetër të pasigurt. Talebanët, të cilët u rrëzuan si sundimtarë të vendit nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja pas sulmeve të 11 shtatorit, 20 vjet më parë, nuk mund të ndaleshin nga një ushtri afgane në rënie dhe një qeveri e mbështetur nga Perëndimi që u largua. Ata shpejt e morën pushtetin përsëri në mesin e gushtit.

Katër muaj pas sundimit të talebanëve, Afganistani po përballet më krizë ekonomike dhe katastrofë humanitare. Asetet e vendit jashtë shtetit në vlerë miliarda dollarësh, kryesisht me bazë në SHBA, janë ngrirë e financimi ndërkombëtar për vendin mori fund.

Bota po pret para se t’u japë ndonjë njohje formale sundimtarëve të rinj në Kabul, ngaqë talebanët mund të imponojnë një regjim të ashpër sikurse kur ishin në pushtet 20 vjet më parë – pavarësisht nga garancitë e tyre për të kundërtën.

Talebanët kërkojnë durim, mirëpo disa shenja janë për t’u shqetësuar. Për shembull, vajzat nuk lejohen të vazhdojnë shkollën e mesme në shumicën e provincave, e megjithëse shumë gra janë kthyer në punën e tyre në sektorin e kujdesit shëndetësor, shumë prej tyre u është ndaluar të punojnë në shërbime civile.

Megjithëkëtë, siguria është përmirësuar nën sundimin e talebanëve, pas goditjes së tyre kundër krimit, kurse organizatat humanitare tani mund të lëviznin nëpër pjesë të vendit që dikur ishin zona të ndaluara.

Vit i trazirave

Kathy Gannon, drejtor i lajmeve, në Afganistan dhe Pakistan, shkruan:” Ky vit i fundit ka qenë përfundimisht i trazirave. Filloi me njoftimin e presidentit Joe Biden se ushtarët e fundit të SHBA-së dhe NATO-s do të largohen nga Afganistani, por nuk jam i sigurt nëse dikush do ta mendonte se kjo do të rezultonte me një kaos të tillë dhe me kaq shumë mjerim për shumë njerëz. Madje edhe presidenti afgan Ashraf Ghani, mendoj se ishte i befasuar nga fakti që amerikanët e NATO-ja po largoheshin. Mendoj se kurrë nuk e ka menduar se kjo do të ndodhte. Dhe, sigurisht atë kohë ne kemi biseduar me shumë njerëz brenda ushtrisë e qeverisë, që ishin me të vërtetë të befasuar nga njoftimi. Edhe pse SHBA-ja kishte biseduar me talebanët, kishin negociuar marrëveshjen, ku është thënë se që nga 1 maji do të fillojë tërheqja e tyre, shumë afganë besojnë se kjo nuk do të ndodhë.

Edhe para se talebanët të merrnin pushtetin, në vitin 2018 u mbajt një sondazh i Gallupit, i cili ka shfaqur se mezi 2% e popullsisë kishin besim në të ardhmen e tyre për pesë vjetët e ardhshëm. E këto ishin vitet para se talebanët ta merrnin pushtetin. Pra, themeli tashmë ishte aty. Njerëzit ishin shumë të pashpresë. Niveli i varfërisë tashmë ishte goxha i lartë. Kishte pak punë për njerëz. Ata ndiheshin të dëshpëruar me të ardhmen në vendin e tyre.

Image

Pra, kur amerikanët po largoheshin e pastaj ambasadat kishin lajmëruar se do të mbylleshin, dukej sikurse një top bore që sa shkonte e merrte vrull duke u rritur. U përhapën thashetheme në rrjete sociale që “amerikanët do ta merrnin këdo që shfaqej në aeroport. Vetëm eja. Nuk të duhen as letrat e kombësisë”. Epo, për shumë afganë, mendoj se kjo ishte parë si një mundësi për jetë më të mirë. Mundësia e tyre të shkojnë në Amerikë, në Perëndim, të kenë një të ardhme që me gjasë nuk do të mund ta kishin në vendin e tyre edhe para ardhjes së talebanëve.

Pa shpresë

E pastaj, me ardhjen e talebanëve, natyrisht se u shkaktua një frikë e madhe, posaçërisht në mesin e brezave kur nuk ishin aty kur talebanët kishin sunduar mes viteve 1996 dhe 2001. Andaj, mendoj se e gjithë kjo çoi në këtë rritje masive drejt aeroportit në Kabul, kur askush nuk ishte i përgatitur për këtë.

E për mua, në shumë mënyra, kjo ishte një lloj padie e 20 vjetëve të fundit, që kishte kaq shumë mungesë të shpresës dhe fatit për të ardhmen. Kurse shoqëria civile, tek e cila ishte besuar aq shumë, dukej se ishte e para që e bëri këtë nxitim për në aeroport, ngaqë kishin frikë për jetën e të ardhmet e tyre. Frikësoheshin edhe për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Kjo kontribuoi në atë kaos me ato imazhe ikonike të të rinjve duke u nxituar pas avionit C-17, të kapur për rrota, duke u përpjekur të hyjnë në avion. E gjithë kjo pasiguri dhe frikë ishte shkak që kjo të ndodhte. Dhe me të vërtetë, 20 vjetët e fundit nuk dhanë dhe aq shumë shpresë për të ardhmen.

Ama, dua të them që nuk ka asnjë dëshmi – që nga koha kur talebanët sunduan për herë të fundit – se do të kishte vrasje të përhapura për hakmarrje. Megjithëkëtë, fatkeqësisht, vrasjet për hakmarrje kanë qenë një shenjë dalluese e çdo ndryshimi të regjimit në Afganistan. Pati shumë vrasje të hakmarrjeve kur talebanët u përmbysën në vitin 2001 nga aleatët afganë të mbështetur nga SHBA-ja, ku grupet e të drejtave të njeriut kanë raportuar më shumë se 80 vrasje hakmarrëse, veçanërisht të ish-ushtarëve, nga sundimtarët talebanë të kthyer.

Megjithatë, deri tash nuk ka pasur dëshmi të ndëshkimit sistematik.

Fakti që talebanët janë këtu e ka befasuar edhe vetë botën, duke qenë se kishte dy vjet negociata me talebanët, me planin që në fund të këtyre negociatave të kishte një marrëveshje që do t’i përfshinte ata në pushtet. Dhe, mendoj se e ardhmja është ende mister. Juria është ende e paqartë nëse talebanët do t’i përmbushin disa nga premtimet e tyre për të garantuar arsimim për vajzat. Apo në atë nëse ata do t’i hapin radhët e tyre a do të përfshijnë më shumë njerëz. Ende nuk ka një pamje të qartë se si do të duket. Por ajo çka shihet qartë është se afganët janë të etur për ndihmë. OKB-ja ka njoftuar se 98% e afganëve deri në fund të këtij viti do të jenë edhe më shumë në nevojë, e nuk dihet ende nëse bota është gati të ngrihet në këmbë për këtë.

Tronditja e natës

Image

Fazel Rahman, producent i lartë televiziv, në Afganistan, shkruan:” Momenti më befasues dhe shokues për mua erdhi këtë vit në mes të natës: burra të armatosur trokitën në derën e zyrës së AP-së, duke na kërkuar e duke na kërcënuar me vdekje. Por ne ishim shumë, ama shumë me fat. Fatmirësisht, nuk kanë mundur ta lëndojnë askënd. Nuk e dimë se kush ishin. Zëdhënësi i talebanëve, Suhail Shaheen, ishte njoftuar menjëherë për këta njerëz që trokitën në derën e AP-së. Zyrtarët talebanë brenda dy ditësh kishin ardhur në zyrë, dhe pasi shikuan rreth e rrotull, siguruan njerëzit tanë të AP-së se askush nuk do të hynte dhe nuk do të duhej të hynte në ambientet tona pa lejen tonë. Nëse dikush do ta bëjë këtë, duhet t’i thërrisnim zyrtarët. Sigurisht që kemi qenë të kujdesshëm, mirëpo nuk kemi pasur talebanë a të tjerë të hyjnë në mënyrë të paligjshme në ambientet tona.

Si afgan, i shoh njerëzit i mi që po humbin shpresat. I humbën arritjet e 20 vjetëve, dy dekada, brenda natës. Vajza ime nuk mund të shkojë në shkollë, a e dini? Kur djemtë e mi dalin nga shtëpia, ajo nuk mundet.

Për fat të keq, tani që talebanët janë prapë në pushtet, është shumë e vështirë për ta të largohen menjëherë, të paktën për një kohë të shkurtër. Gjëja e mirë është se tashmë jemi para dimrit dhe kjo nuk është koha e luftës në Afganistan zakonisht. Mendoj se kemi pak shanse për të negociuar”.

Përktheu: Blerta Haxhiu

Artikuj të ngjashëm