Në një qendër të ndalimit kufitar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shkretëtirën Texan, fëmijët imigrantë po jetojnë në kushte alarmante – ku sëmundja është shumë e përhapur, ushqimi mund të jetë me rrezik dhe ka raporte për abuzim seksual, ka gjetur një hulumtim i BBC-së.
Në muajt e fundit, SHBA-ja ka parë rritje masive të imigrantëve dhe kërkues të azilit nga Amerika Qendrore. Dhuna, katastrofat natyrore dhe ngërçi ekonomik i lidhur me pandeminë janë disa nga arsyet prapa dyndjes, kanë thënë ekspertët.
Kampi me çadra në bazën ushtarake Fort Bliss në El Paso, Texas, është shtëpia e përkohshme e mbi 2000 adoleshentëve të cilët kanë kaluar kufirin SHBA-Meksikë të vetëm dhe tani po presin bashkim me familjen në SHBA.
Të gjeturat e BBC-së përfshijnë deklarime për abuzim seksual, shpërthim të COVID-19 dhe të morrave, një fëmijë në pritje për orë të tëra që të ketë përkujdesje mjekësore, mungesë e rrobave të pastra dhe fëmijë të uritur të cilëve u shërbehet ushqim i pagatuar mirë.
“Disa herë pula ishte me gjak, mishi ishte shumë i kuq. Nuk mund të duronim urinë dhe e hanim, por sëmureshim nga ajo”, ka thënë një 15-vjeçar që tash është liruar. Ai tregon se kur kërkonin përkujdesje mjekësore u duhej të pritnin me orë e kur futeshin për kontroll, u jepnin rroba të palara dhe se stafi në kamp “gjithmonë qeshnin mes vete”.
Një punonjës ka thënë se qindra fëmijëve kanë rezultuar pozitiv për koronavirus.