Mijëra fëmijë të pashoqëruar nga Amerika Latine po mundohen të mbërrijnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku tashmë ndodhen prindërit e tyre. Por ëndrra e tyre shpesh merr fund me të mbërritur te kufiri. Dy prej tyre i kanë ndarë historitë e tyre për revistën gjermane, “Der Spiegel”
Është një vend mërzie – asi ku shuhen ëndrrat e fëmijëve. Strehimorja për emigrantët e mitur të pashoqëruar, “Noemi Alvarez Quillay”, ndodhet në qytetin Ciudad Juarez, afër kufirit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Meksikës.
Është një ngrehinë prej betoni me dritare të mbyllura. Më shumë se 100 fëmijë ndërmjet tri dhe gjashtëmbëdhjetë vjeç ndodhen aty. Prindërit e shumë prej tyre tashmë kanë arritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan revista gjermane, “Der Spiegel”, teksa pasqyron jetën e të miturve të kurthuar në kufirin amerikan.
Kriza në kufirin ndërmjet Meksikës dhe SHBA-së ka arritur kulmin në muajin e fundit, teksa me qindra fëmijë nga Amerika Latine po vijnë përditë në Meksikë. Vetëm gjatë muajit mars, agjencia amerikane e patrullimit kufitar ka raportuar për 19 mijë fëmijë që dëshironin të hynin në tokën amerikane – dhe kampet e pranimit janë stërmbushur. Shifrat janë të pashembullta.
Shpresa për jetë të re

“Por ata që ia dalin të kalojnë kufirin së paku shpresojnë se do të nisin jetë të re. Së fundmi, të miturit e pashoqëruar nuk po depërtohen menjëherë nga Shtetet e Bashkuara”, shkruan “Der Spiegelit”.
Edhe
Yjet refugjatë të Kupës së Botës
“Situata është ndryshe kur fëmijët mbërrijnë në SHBA bashkë me prindërit e tyre. Pastaj, nën urdhrin e mbrojtjes nga pandemia, të nxjerrë nga ish-presidenti Donald Trump, familja shpesh kthehet në Meksikë brenda orësh, pa iu dhënë mundësia për të aplikuar për azil. Kjo ka shtyrë shumë prindër që të ndahen prej fëmijëve të tyre para se të arrijnë në kufi dhe të kthehen vetë”.
Por edhe tani nuk është se ofrohet shumë siguri. Nëse ata përfundojnë në duar të policisë meksikane pak para se të kalojnë në tokën amerikane – sikur ka ndodhur shumë herë – atëherë fëmijët dërgohen në strehimoren e qytetit Ciudad Juarez. “Shumica e këtyre fëmijëve po presin që të riatdhesohen në shtetet nga kanë ardhur”.
“Ata janë shumë të fortë”, thekson Claudia Villalobos, psikologe në strehimore. “Ata nuk e kuptojnë çfarë udhëtimi të rrezikshëm kanë marrë përsipër”, ka shtuar ajo për “Der Spiegelin”.
Në njëfarë forme, kjo i mbron fëmijët nga trauma. Njohësit thonë se në momentin kur fëmijët përballen me arrestimin dhe strehimin në strehimore, ndiejnë sikur gjithçka u shkoi huq.
Mund të kalojnë disa muaj derisa fëmijët të riatdhesohen – e gjatë krejt kësaj periudhe as nuk lejohen të largohen e as të ndjekin mësimin. Ata kanë mundësi të pikturojnë, luajnë shah e sporte të tjera, dhe të kalojnë kohë para televizorit në sallën e ndejës, duke shikuar si “The Lion King”. Fëmijët flenë në shtretër marinarësh. Nevojtoret në strehimore nuk mund të mbyllen nga brenda me qëllim që të parandalohen vetëvrasjet.
“Mendova se do të vdisja”

Luis Chaparro, kontribuues i “Der Spiegelit”, ka pasur qasje në strehimore. Ai ka folur me dy prej tyre gjerë e gjatë. Rrëfimet e tyre janë të ngjashme me të shumicës së refugjatëve dhe emigrantëve. Me qëllim që të mbrohen fëmijët, revista gjermane ka vendosur të mos ua publikojë identitetin e vërtetë.
Juliana Fernandez është një dhjetëvjeçare nga Hondurasi.
“Më mungon nëna. Ajo shkoi në Shtetet e Bashkuara pesë vjet më parë dhe punon si shërbëtore në një hotel në Kansas City. Ajo planifikonte që të më merrte edhe mua pas një kohe. Por pastaj më tha se nuk ishte mirë të nisesha atëherë për shkak të presidentit të atëhershëm. Unë qëndrova me babanë në Honduras, por me kalimin e kohës gjendja u përkeqësua për shkak se babai pinte çdo natë me paratë që na i dërgonte nëna”, ka rrëfyer Fernandez.
Ajo ka treguar se si në janar i kishte treguar gjithçka nënës, e cila pastaj do ta shtynte që të merrte udhën drejt kufirit ndërmjet Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo bashkë me tezen i ishte bashkuar një karvani emigrantësh, duke ecur në këmbë deri në kufirin me Meksikën.
“Në Meksikë, na u desh të hipnim në rimorkio makinash. Një herë ishim në një kamion të mbushur me njerëz dhe unë u tmerrova. Ndjeva sikur nuk po mund të merrja frymë. Mendova se do të vdisja”, ka treguar Fernandez.
Tezja e kishte shoqëruar deri në qytetin Puebla, prej ku do të vazhdonte drejt Ciudad Juarezit, që ndodhet nja dy mijë kilometra larg. Fernandezin do ta kapte policia kufitare amerikane derisa po mundohej të kalonte në tokën e shpresës. “Pastaj më sollën këtu në strehimore”, ka theksuar ajo.
Edhe
Përballja e të ndaluarve të ICE-së në SHBA me mungesë ilaçesh e trajtimesh mjekësore
Fernandezit i lejohet vetëm një herë në javë që të telefonojë me nënën, e cila kishte menduar se meqë ndodhej në strehimore, shumë shpejt do të lejohej të kalonte në Shtetet e Bashkuara. “Nëna qau kur e kuptoi gjendjen e vërtetë”, thekson Fernndez.
Ajo shpresonte se pas largimit të Donald Trumpit nga presidenca amerikane, nuk do të kishte probleme për emigrantët që të hynin në Shtetet e Bashkuara. Është e bindur se shumë mund ta mësojë anglishten dhe se do të mund të shoqërohej me bashkëmoshatare amerikane. Megjithatë, ende po pret derisa të merret ndonjë vendim që do t’i hapte rrugë realizimit të ëndrrës së saj.
“Më vjen turp se nuk ia dola”
Jose Lopez është një 14-vjeçar nga Guatemala, e që po qëndron gjithashtu në strehimore.
Ai dhe familja e tij është përballur me shumë sfida si pasojë e uraganeve të fuqishme. Për shkak të mjerimit të familjes, prindërit ishin pajtuar që Lopez të merrte udhë drejt Shteteve të Bashkuara. Familja u detyrua të shiste tokë që të bënte paratë e nevojshme për t’i paguar trafikantët e qenieve njerëzore.
Në muajin shkurt, një burrë nga fshati i tij u kishte thënë banorëve se ishte koha e duhur për të marrë udhë, meqë tashmë ishte zgjedhur Joe Biden president i ri i Shteteve të Bashkuara. “Burri më mori mua dhe babanë në kufirin ndërmjet Guatemalës dhe Meksikës dhe ne vazhduam me autobus. Një tjetër burrë na mirëpriti në qytetin e San Luis Potosit. Ne kishim një fjalë parullë, por e kishim të gabuar. Na u desh të paguanim burrin përsëri dhe na u dha një tjetër fjalë parullë”.
Trafikantët i kishin thënë Lopezit se ishte më mirë që babai të qëndronte. Kështu, ai vazhdoi i vetëm udhëtimin. “Ai më tha se nëse do të më arrestonte policia, nuk do të më kthente nëse do të isha vetëm”, ka treguar ai.
Pas pritjes disaditëshe, Lopezi do të merrte i vetëm rrugën drejt kufirit. “I thamë lamtumirë njëri-tjetrit dhe babai më tha të kujdesesha për veten dhe që ta telefonoja kur të mbërrija në Shtetet e Bashkuara. Nuk u ndjeva mirë. Po mundohesha të mendoja për Shtetet e Bashkuara. Planifikoja të punoja në ndërtimtari në Virxhinia. Pastaj do të mund t’i dërgoja para familjes”, tregon Lopez.
Trafikanti dhe ai vazhduan rrugën me autobus. I kishte thënë se nëse do ta pyeste policia se çfarë e kishte, ta paraqiste si dajë. “Në Ciudad Juarez më futën në një bagazh. U frikësova”, thekson ai. Ishte frikësuar për shkak se shumë emigrantë po rrëmbeheshin dhe vriteshin në Meksikë. E kishin dërguar në një shtëpi, ku kishte shumë njerëz. “Qëndruam aty rreth një javë, pastaj na dërguan në një dhomë hoteli”.
Pastaj trafikanti i kishte thënë se kishte ardhur koha të niseshin. Pos tij, kishte marrë edhe një vajzë, duke i dërguar deri te kufiri. “U munduam ta kalonim, por na ndalën ushtarët meksikanë. Ai ishte momenti më i keq, për shkak se e dija se i çova huq krejt paratë e familjes dhe se do të kthehesha duarthatë. Më mungojnë nëna dhe babai, por më vjen marre për shkak se nuk ia dola”, thotë Lopez.
Ai i ka thënë “Der Spiegelit” se nuk e di se çfarë do të ndodhë me fatin e tij. Mbetet të shihet nëse babai do të shkojë në Ciudad Juarez për ta marrë, ose të presë derisa Meksika ta riatdhesojë me aeroplan në Guatemalë. Ai flet një herë në javë me nënën. “Nuk e dimë ku është babai dhe nuk mund të vëmë kontakt me të. Mbase më nuk ka telefon”.
Edhe
Gjeti eshtrat e njërit djalë, vazhdon ta kërkojë tjetrin - lufta e meksikaneve për t’i gjetur fëmijët
“Nuk mendoj se do ta provoj përsëri këtë udhëtim. Kushton goxha shumë para. Ku mund t’i marrim paratë? Kam dëgjuar se presidenti i ri amerikan besohet se është i mirë me emigrantët. Por nuk e di nëse është e vërtetë. A është e vërtetë?”
Përktheu: Rexhep Maloku