Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ditë e përgjakshme, qindra të vrarë në Izrael e Gaza

22:00 - Ora shënon 23:00 në Izrael. Në një ditë të përgjakshme këto janë informatat kryesore nga luftimet dhe gjendja atje:

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se shteti i tij është në luftë, pasi militantët palestinezë nga Gaza lëshuan seri raketash dhe dërguan persona të armatosur në territor të Izraelit të shtunën në mëngjes. Në kundërpërgjigje, Izraeli nisi sulme ajrore në Gaza dhe luftimet kanë vazhduar gjithë ditën.

Sulmi i befasishëm dhe lufta e mëpasme shënojnë eskalim të madh të konfliktit të vazhdueshëm mes dy palëve.

Zhvillimet e fundit:

Vdekjet: Autoritetet izraelite kanë thënë se të paktën 200 persona kanë vdekur e më shumë se 1400 janë lënduar në Izrael. Ndërkohë autoritetet palestineze kanë thënë se të paktën 232 palestinezë kanë vdekur e mbi 1600 janë lënduar.

Edhe Izraeli injoron thirrjet për armëpushim Botë Izraeli injoron thirrjet për armëpushim

Sulme të reja: Seri raketash janë lëshuar edhe në mbrëmjen e së shtunës nga militantët në Gaza, kanë thënë autoritetet në Izrael. Në një njoftim në Telegram, Hamasi ka thënë se ka lëshuar 150 raketa të reja si përgjigje ndaj shembjes të një ndërtese në qytetin e Gazas.

Pengjet izraelite: Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë thënë se Hamasi ka marrë pengje dhe të burgosur lufte që kur arriti të zinte në befasi shtetin të shtunën në mëngjes. Grupi militant ka thënë se ka kapur dhjetëra persona. Në videot që kanë qarkulluar në internet dhe të konfirmuara nga mediumet botërore, luftëtarët e Hamasit janë parë duke bartur qytetarë e ushtarë izraelitë, në dhe afër Gazas.

Çka thotë Hamasi: Zyrtari i lartë i Hamasit, Saleh al-Arouri, ka thënë se grupi militant, që udhëheq Gazan, është gati “për skenarin më të keq, përfshirë pushtimin tokësor, që do të ishte më e mira për të vendosur fundin e luftës”.

Çka thotë Netanyahu: Në një fjalim televiziv të shtunën në mbrëmje, Netanyahu ka thënë se “ajo që ndodhi sot nuk është parë kurrë më parë në Izrael”. “Do të hakmerremi për këtë ditë të zezë dhe do ta arrijmë çdo vend ku fshihet Hamasi”, ka thënë ai duke paralajmëruar qytetarët e Gazas të largohen menjëherë. Ai ka thënë se Izraeli do të hakmerret edhe për çdo të burgosur që preket nga Hamasi.

Reagimet ndërkombëtare: Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, në një adresim publik të shtunën në mbrëmje ka ofruar mbështetjen e plotë të SHBA-së për Izraelin. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë takim emergjent të dielën për ta adresuar situatën. Shtetet dhe liderë të tjerë botërorë kanë dënuar sulmet dhe kanë bërë thirrje për përmbajtje. Ndërsa kompanitë e fluturimeve tashmë kanë anuluar apo ndalur në masë dërrmuese fluturimet drejt Tel Avivit. Shtetet kanë bërë thirrje që qytetarët e tyre të mos udhëtojnë drejt Izraelit.


21:03 - Biden: Izraeli ka të drejtë ta mbrojë veten dhe pikë

Joe Biden, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka ofruar mbështetjen e plotë për Izraelin ndaj sulmeve prej Hamasit.

“Izraeli ka të drejtë ta mbrojë veten dhe popullin e vet, pikë”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se “nuk ka kurrë arsyetime për sulme terroriste”.


20:35 - Të paktën 200 izraelitë janë vrarë nga sulmet e militantëve të Hamasit në mëngjesin e së shtunës, kanë konfirmuar ekipet e shpëtimeve në Izrael, raporton CNN. Në anën tjetër, nga kundërsulmet izraelite janë vrarë 232 palestinezë dhe janë plagosur rreth 1700 të tjerë, ka konfirmuar Ministria e Shëndetësisë në Gaza.


19:59 - Hamasi nis fushatë të re sulmesh ajrore ndaj Izraelit

Image

Grupi militant palestinez Hamas ka njoftuar se ka nisur fushatën e re të sulmeve ajrore në drejtim të Tel Avivit, të shtunën në mbrëmje.

Sipas grupit, kjo është “përgjigje ndaj bombardimeve në ndërtesat rezidenciale në qendër të Gazas”. Është raportuar për rreth 150 sulme të reja raketash.

Siç kanë njoftuar ekipet e emergjencës në Izrael, raketat kanë goditur disa lokacione në shtet, përfshirë në Tel Aviv.


(Lajmet e mbrëmjes - KTV) - Izraeli zihet në befasi nga Hamasi, luftime në 22 lokacione

Me mijëra raketa në drejtim të qyteteve izraelite, militantët e grupit të Hamasit kanë nisur sulmin më të madh në vitet e fundit ndaj Izraelit. Militantët janë infiltruar, duke zënë në befasi ushtrinë izraelite dhe vetë qeverinë e Netanyahut që ka probleme të brendshme, shkaku i politikave ekstreme.

Militantët e Hamasit kanë lëshuar mijëra raketa dhe ka nisur qindra militantë në drejtim të Izraelit në një prej sulmeve që ka zënë në befasi Izraelin në një festë hebreje të shtunën.

Qindra persona kanë vdekur teksa Izraeli ka deklaruar se tani është në luftë me Hamasit dhe ka nisur sulmet ajrore në Gaza.

Kryeministri Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se Hamasi do të paguajë për sulmet.

“Jemi në luftë. Nuk është operacion ushtarak, por luftë. Këtë mëngjes, Hamasi nisi sulmin e befasishëm ndaj shtetit të Izraelit dhe qytetarëve të tij. Jemi në luftë që në mëngjes. Kam mbledhur shefat e sigurisë dhe u kam thënë se fillimisht duhet pastruar fshatrat nga terroristët e infiltruar. Armiku do të paguaj çmimin”, ka thënë Netanyahu.

Analistët politikë kanë kritikuar qeverinë për dështimin që të kuptojë se Hamasi po përgatiste një prej sulmeve më të planifikuara dhe të koordinuara në vitet e fundit.

Ekipet e shpëtimit kanë deklaruar se më shumë se 100 izraelitë janë vrarë, përfshirë një grua 60-vjeçare që u vra kur u godit direkt nga një raketë. Zyrtarët izraelitë kanë thënë se janë më shumë se 700 të plagosur nga bombardimet e Hamasit.

Si kundërpërgjigje, Izraeli ka goditur disa caqe në Gaza teksa militantët e Hamasit besohet se kanë lëshuar 2 mijë raketa në drejtim të Tel Avivit dhe Jerusalemit. Teksa ka deklaruar se ka luftime në 22 lokacione.

Autoritetet palestineze kanë njoftuar se në Gaza janë vrarë më shumë se 200 persona dhe janë plagosur 1 mijë të tjerë nga bombardimet izraelite.

Militantët e Hamasit janë infiltruar në të paktën shtatë lokacione brenda Izraelit.

Deri të shtunën nuk janë bërë të ditura arsyet e sulmit nga Hamasi.

Lideri në hije i krahut ushtarak të Hamasit, Mohammed Deif, ka njoftuar të shtunën për nisjen e operacionit “Stuhia Al-Aqsa”. Ai u ka bërë thirrje palestinezëve nga të gjitha anët që t’u bashkohen luftimeve.

Të shtunën ndaj këtij konflikti kanë reaguar shtetet perëndimore. SHBA-ja ka dënuar sulmet e terroristëve të Hamasit teksa është shprehur e gatshme ta ndihmojë Izraelin.

Ndërkaq, presidenti turk ka bërë thirrje për ndaljen e luftimeve.

Sulmet kanë ndodhur në kohën kur kryeministri izraelit ka probleme në politikën e brendshme. Mijëra persona çdo javë kanë protestuar nëpër rrugë kundër planeve të tij për dobësim të gjyqësorit, teksa qindra rezervistë në ushtri besohet se kanë shmangur angazhimet si kundërshtim ndaj kryeministrit. Këto probleme kanë nxitur frikën për gatishmërinë e ushtrisë për luftë.


18:39 - Opozita në Izrael kërkon qeveri të unitetit

Lideri opozitar izraelit, Yair Lapid, ka kërkuar nga kryeministri Benjamin Netanyahu të shtunën që ta lërë politikën anash dhe të formojnë një qeveri uniteti, për shkak të situatës emergjente.

Sipas tij, qeveria e unitetit është e domosdoshme për të “menaxhuar me kampanjën e vështirë, komplekse dhe të zgjatur” kundër Izraelit.

Deklarata e plotë


18:25 - Ministria e Shëndetësisë në Izrael ka konfirmuar se nga sulmet e Hamasit të shtunën në mëngjes kanë humbur jetën rreth 100 persona dhe se numri i atyre që kanë kërkuar trajtim në spitale është rreth 1000.

Sipas mediave në Izrael, dhjetëra njerëz janë në gjendje kritike.


17:20 - Çka dihet deri tash për luftimet në Izrael

Izraeli dhe Hamasi edhe një herë kanë shpërthyer në luftime, pasi grupi militant palestinez ka nisur seri të mëdha operimesh në tokë dhe ajër këtë mëngjes nga Rripi i Gazës.

Mbi 2000 raketa u nisën nga Gaza në drejtim të Izraelit, sipas ushtrisë së Izraelit, dhe luftëtarët e Hamasit u infiltruan nëpër qytete e fshatra në zonat periferike.

Izraeli u kundërpërgjigj me sulme ajrore në drejtim të Rripit të Gazës.

Luftimet po vazhdojnë në Izraelin jugor.

Ushtria e Izraelit ka konfirmuar se civilë e ushtarë janë marrë pengje dhe se janë tash në Gaza, pa ofruar shifra. Mediat lokale kanë thënë se bëhet fjalë për dhjetëra.

Edhe Izraeli nis ofensivën tokësore në Qytetin e Gazës Botë Izraeli nis ofensivën tokësore në Qytetin e Gazës

Numri i të vdekurve në Izrael është të paktën 100, ndërsa 1000 janë të lënduar, sipas të dhënave të shërbimeve emergjente në Izrael.

Numri i të vdekurve në Gaza është rreth 200 dhe 1610 të lënduar, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.


17:05 - Hamasi ka marrë pengje, konfirmon Izraeli

Grupi militant Hamas ka marrë “pengje dhe të burgosur lufte” ka konfirmuar zëdhënësi i Forcës së Mbrojtjes Izraelite, Daniel Hagari.

“Ka pengje dhe të burgosur lufte që i ka marrë Hamasi. Ka edhe vdekje të ushtarëve izraelitë. Nuk e kemi numrin e saktë – jemi në luftë”, ka thënë ai, shkruan CNN.


15:31 - Palestina – Izraelit: Ju kemi paralajmëruar vazhdimisht

Shteti i Palestinës ka lëshuar një komunikatë ku i drejtohet Izraelit se e ka paralajmëruar vazhdimisht ndaj pasojave për bllokimin e horizontit politik dhe dështimin për t’u mundësuar palestinezëve të kenë shtetin e tyre.


15:20 - Kundërpërgjigjet Izraeli, vret 161 palestinezë në Rripin e Gazës

Izraeli ka filluar një sulm ajror masiv në Rripin e Gazës, si kundërpërgjigje ndaj sulmit të sotmet të Hamasit.

Sulmet ajrore izraelite lanë të vdekur 161 persona dhe mbi 1 mijë të lënduar, sipas zyrtarëve palestinezë, shkruan BBC.

Sulmet e Hamasit brenda territorit izraelit lanë të vdekur 40 persona e mbi 700 të lënduar.


15:02 - SHBA-ja reagon pas sulmit ndaj Izraelit

Shtetet e Bashkuara të shtunën kanë dënuar sulmet e “terroristëve të Hamasit” kundër Izraelit, ka thënë Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.


14:48 - Rama dënon sulmin ndaj Izraelit: Qëndrojmë të vendosur kundër terrorizmit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dënuar sulmin e Hamasit kundër Izraelit. 


14:23 - Shkon në 40 numri i të vdekurve në Izrael nga sulmi i Hamasit

Ka shkuar në 40 numri i të vdekurve në Izrael pas sulmit masiv të Hamasit të shtunën, raporton Channel 12.

Numri i të lënduarve ka shkuar mbi 700.


13:28 - Izrael – Palestinë, historia e një konflikti që dihet kur ka nisur, por s’dihet kur do të mbarojë

22 izraelitë kanë vdekur dhe qindra të tjerë janë lënduar pas përshkallëzimit të fundit të konfliktit me grupin e Hamasit të shtunën. Ky është vetëm rasti i fundit i një konflikti që zgjat prej dekadash.


13:06 - BBC: Sulmi i Hamasit, dështim kolosal i inteligjencës izraelite

Sulmi i befasishëm i Hamasit ndaj Izraelit ishte dështim kolosal i inteligjencës izraelite, ka thënë të shtunën eksperti i sigurisë i BBC-së, Frank Gardner.


12:23 - Kosova dënon “sulmet terroriste” kundër Izraelit

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka thënë se i dënon fuqishëm “sulmet terroriste kundër Izrealit”, ndërsa presidentja Vjosa Osmani ka shprehur solidaritet të plotë me popullin izraelit.


12:18 - Netanyahu pas sulmit të Hamasit: Armiku do ta paguajë çmimin si kurrë më parë

Pasi anëtarët e Hamasit dhe organizatave të tjera palestineze pushtuan pjesët jugore të Izraelit, hodhën raketa në një numër zonash dhe vranë disa civilë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli ishte në luftë.

Pas disa orësh sulmesh me raketa nga Rripi i Gazës, Netanyahu ka paralajmëruar se sulmi që la 22 izraelitë të vdekur e mbi 500 të lënduar do të paguhet si kurrë më parë.

“Qytetarë të Izraelit, jemi në luftë. Ne do të fitojmë. Armiku do të paguajë çmimin si kurrë më parë”, tha Netanyahu.

Sot në mëngjes, në fillim të sulmit, ushtria izraelite shpalli gjendje lufte dhe vendimi pritet ta konfirmojë edhe Netanyahu, që me shumë gjasa do të nënkuptojë një konflikt shumëditor, veçanërisht në zonën e Gazës.

Për të gjithë situatën ka folur edhe kreu i policisë izraelite, Kobi Shabtai, i cili ka thënë se Izraeli është në gjendje lufte.

“Ne jemi nën sulm masiv nga Gaza. Aktualisht ka 21 konflikte aktive në jug të Izraelit. I gjithë jugu i vendit është i mbyllur”, ka thënë Shabtai.

Forcat izraelite të mbrojtjes nisën sulmet ajrore në Rripin e Gazës disa orë më parë dhe u njoftua se operacioni do të quhet “Shpata e Hekurt”.


12:09 - Ushtria izraelite publikon pamjet e sulmit të pozicioneve të Hamasit në Rripin e Gazës

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë publikuar pamjet e sulmeve në pozicionet e Hamasit në Rripin e Gazës.


12:03 - 22 izraelitë të vdekur nga sulmi befasues i palestinezëve

22 izraelitë kanë vdekur dhe mbi 500 kanë mbetur të lënduar nga sulmi befasues i palestinezëve mëngjesin e së shtunës, kanë konfirmuar shërbimet e emergjencës së Izraelit, shkruan BBC.

Izraeli shpalli gjendje lufte të shtunën pas një sulmi që u vlerësua si i paprecedentë nga grupi militant palestinez Hamas.

Dhjetëra persona të armatosur nga grupi militant palestinez Hamas janë infiltruar në jug të Izraelit nga Rripi i Gazës.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit ka paralajmëruar se Hamasi ka gabuar rëndë me sulmin e sotëm.

Ndërkohë, presidenti i Palestinës, Mahmoud Abbas, ka thënë se palestinezët kanë të drejtë ta mbrojnë veten nga terrori i Izraelit.


10:27 - Izraeli shpall gjendje lufte pas sulmeve nga Hamasi

Edhe Vazhdojnë protestat në Izrael, Netanyahut i bëhet thirrje të bëjë marrëveshje për lirim të pengjeve Botë Vazhdojnë protestat në Izrael, Netanyahut i bëhet thirrje të bëjë marrëveshje për lirim të pengjeve

08:14 - Dhjetëra raketa hidhen nga Gaza drejt Izraelit