Të paktën 17 persona kanë vdekur dhe shumë të tjerë janë lënduar pasi dy trena janë përplasur në Bangladeshin lindor, kanë bërë të ditur autoritetet.
Një tren mallrash u përplas me vagonët e pasmë të një treni pasagjerësh në Bhairab, 80 km në veri – lindje të Dhakas, të hënën pasdite.
Ka të ngjarë që një gabim sinjali e ka shkaktuar përplasjen, ka bërë të ditur një zyrtar hekurudhor.
Fatkeqësitë e trenave nuk janë të rralla në Bangladesh, për shkak se infrastruktura është e dobët.
Katërmbëdhjetë persona që ishin në bordin e trenit të pasagjerëve të quajtur Egarsindhur Twilight vdiqën në vendin e ngjarjes pas përplasjes. Aksidenti ndodhi në vendkalimin hekurudhor Jagannathpur. Të paktën dy vagonë janë shkatërruar.
“Shumë njerëz u bllokuan brenda. Shumica e tyre vdiqën në vendin e ngjarjes”, u tha gazetarëve shefi i shërbimit lokal të zjarrfikësve, Mohammad Masud.
Tre të tjerë vdiqën në spitalin ku aktualisht po trajtohen edhe rreth 50 të lënduar. Numri i të vdekurve mund të rritet më tej gjersa operacionet e shpëtimit po vazhdojnë, u tha gazetarëve Anowar Hossain, mbikëqyrës i policisë hekurudhore të Dhakas.
Një zyrtar i qeverisë lokale ka thënë për BBC-në se vendasit kishin ardhur për t’i ndihmuar njerëzit përpara se ekipet e shpëtimit të arrinin në vend.
Autoritetet e Bangladeshit kanë nisur një hetim zyrtar për shkakun e aksidentit.
Përveç gabimit të sinjalit, kushtet e këqija të trasesë dhe kalimet hekurudhore të pambikëqyrura konsiderohen shkaqe për aksidentet e kaluara.
Në muajin prill, disa njerëz u lënduan pasi një tren pasagjerësh me drejtim për në Dhaka u përplas me një tren mallrash në Comilla, në jug të Bhairabit.
Edhe në këtë fatkeqësi vlerësohet se ndodhi një gabim sinjali.