Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

17 të vrarë dhe mbi 50 të plagosur nga një sulm rus mbi Kiev

Ukraine

Foto: Associated Press

Të paktën 17 persona janë vrarë dhe më shumë se 50 të tjerë janë plagosur, nga sulmet ruse natën e së martës mbi kryeqytetin ukrainas, Kiev. 

Ky sulm vdekjeprurës nxjerr në pah rrezikun në rritje për civilët në zonat urbane, larg vijave të frontit, ndërkohë që Ukraina përballet me mungesa kritike të raketave përgjuese, shkruan CNN.

Forcat ajrore ukrainase kanë njoftuar se Rusia kishte lëshuar 24 raketa balistike dhe katër raketa kundër-anije gjatë natës, por nuk kanë përmendur kapjen e asnjërës prej tyre.

Në muajin korrik, sulmet ruse kanë vrarë të paktën 377 civilë dhe kanë plagosur 2,129 të tjerë në Ukrainë, duke e bërë muajin më vdekjeprurës të pushtimit që nga prilli i vitit 2022, ndërsa lufta, që tashmë ka hyrë në vitin e saj të katërt, vazhdon pa ndërprerje.

Sulmet e fundit ukrainase ndaj "Wildberries" – ekuivalenti rus i gjigantit të tregtisë elektronike "Amazon", e kanë sjellë luftën e Moskës kundër Ukrainës edhe më pranë vetë rusëve, duke ndikuar negativisht në jetën dhe mjetet e tyre të jetesës.

"Punonjësit e shpëtimit po vazhdojnë të operojnë në kushte me rrezik të lartë, pasi rreziku i sulmeve të mëtejshme të armikut vazhdon", ka thënë Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës.

Sulmet, të cilat kishin në shënjestër depot dhe objektet logjistike në rajonin e Kievit, vijnë disa ditë pasi Moska tha se mbeturinat nga një dron ukrainas kishin rënë në një plazh të mbushur me njerëz në Rusinë jugore, duke vrarë të paktën shtatë persona.

Zelensky me apel për aleatët pas sulmit rus që la 17 të vdekur

1 muaj më parë / 5 gus 2026 13:21
Volodymyr Zelensky

Photo: Associated Press

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka fajësuar aleatët për vonesat në dërgimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore, pasi Ukraina nuk arriti të rrëzonte asnjë raketë ruse gjatë një sulmi vdekjeprurës në orët e para të së mërkurës, nga i cili mbetën të vdekur të paktën 17 persona dhe të lënduar dhjetëra të tjerë.

"Raketat penguese kundër raketave balistike mund t'ua kishin shpëtuar jetën atyre që u vranë sot. Është shumë e rëndësishme që partnerët tanë ta kuptojnë se vonesat në furnizimin me këto sisteme, ose mungesa e gatishmërisë për të ofruar sisteme kundër raketave balistike, çojnë drejtpërdrejt në humbje kaq të tmerrshme jetësh dhe shkatërrime”, ka shkruar Zelensky në rrjetet sociale.

Prej muajsh, Kievi zyrtar po kërkon me ngulm më shumë raketa penguese Patriot, të prodhuara në SHBA, ndërsa përballet me sulme gjithnjë e më intensive. Muajin e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, ka lënë të kuptohej se Shtetet e Bashkuara mund t'i jepnin Ukrainës një licencë për prodhimin e sistemeve Patriot, por më vonë u tërhoq pjesërisht nga kjo ide, duke u thënë gazetarëve se teknologjia bazë e këtyre sistemeve ishte "diçka që është e vështirë të jepet".

Administrata ushtarake e Kievit ka njoftuar se shtatë objekte janë goditur në sulmin që ka nisur menjëherë pas mesnatës të së mërkurës. Sipas Zelenskyt, objektivat kryesore ishin magazina të bizneseve civile, përfshirë një fabrikë birre dhe depo të materialeve të ndërtimit.

"Partnerët që ende nuk janë të gatshëm të luajnë një rol më aktiv në furnizimin me raketa penguese mund të ndihmojnë duke vendosur sanksione të reja. Një pjesë e konsiderueshme e prodhimit rus të raketave balistike ende nuk është nën sanksione...Nevojiten hapa të rinj – nga G7, Bashkimi Evropian dhe të gjithë ata që mbështesin mbrojtjen e jetës”, ka shtuar Zelensky në X.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, ka thënë pas sulmit se "mund të ketë ende njerëz nën rrënoja".