“E vrava sepse më kishte lënë”. Këto fjalë thuhet se i ka thënë hetuesve Alessio Tucci, 18 vjeç, i cili dyshohet për vrasjen brutale të Martina Carbonaros, 14-vjeçare nga Afragola, afër Napolit të Italisë, raporton ANSA.
Sipas të dhënave, Martina nuk kishte pranuar të rikthehej me ish-të dashurin, por kishte pranuar të takohej me të në vendin ku më parë shiheshin kur ishin çift. Pikërisht aty, gjatë një zënke, Alessio dyshohet se e ka goditur vajzën me një gur dhe e ka vrarë.
I riu, që punonte si murator dhe është nga i njëjti qytet, është ndaluar nga karabinierët dhe Prokuroria e Napolit nën akuzat për vrasje me rrethana rënduese dhe fshehje të trupit të pajetë. Sipas hetimeve, vrasja ka qenë e dhunshme dhe trupi i vajzës është fshehur në një dollap të vjetër brenda një ndërtese të braktisur pranë ish-stadiumit “Moccia” në Afragola, ku më pas është gjetur nga forcat e rendit. Thuhet se i dyshuari ka rrëfyer krimin dhe ka dhënë detaje për mënyrën se si ndodhi ngjarja.
Martina ishte larguar nga shtëpia mbrëmjen e 26 majit dhe ishte raportuar e zhdukur nga nëna e saj. Ajo kishte dalë për të ngrënë një akullore me një shoqe. Nëna e saj ka deklaruar se vajza do të takonte edhe ish-të dashurin atë natë. Rreth orës 20:30, Martina kishte kontaktuar për herë të fundit me nënën përmes telefonit duke i thënë se do të kthehej së shpejti — por më pas nuk është përgjigjur më.