Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

100 ditë luftime, pa paqe në horizont

Që nga fillimi i luftës të paktën 3 mijë njerëz janë vrarë, kanë thënë autoritetet shëndetësore të Sudanit. Rreth 2.6 milionë njerëz tani janë të zhvendosur brenda vendit, teksa më shumë se 750 mijë kanë kaluar në vendet fqinje, kanë treguar shifrat nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin. E “Save the Children” ka raportuar për “numra alarmantë” të vajzave adoleshente të përdhunuara, të cilat në disa raste ishin edhe më të reja se 12 vjeç

Ka pasur 100 ditë luftime në Sudan dhe konflikti ka shkaktuar një numër tmerrues të jetëve të humbura, duke e rindezur dhunën etnike dhe duke nxitur frikë se mund të prodhojë destabilizim më gjerë në rajon.

Më 15 prill, rivaliteti midis ushtrisë dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) u shndërrua në luftë, duke e kthyer Khartoumin dhe zonat më të gjera të kryeqytetit në një fushëbeteje të përgjakshme. Që atëherë, luftimet janë përhapur edhe në rajonin e Darfurit të plandosur nga konflikti, si dhe në disa pjesë të shteteve të Kordofanit dhe të Nilit Blu.

Një mori nismash diplomatike për të ndalur luftën dështuan të prodhojnë ndonjë rezultat konkret, pasi që palët rivale janë bllokuar në një betejë për mbijetesë – betejë që të dyja mendojnë se mund ta fitojnë plotësisht pa pasur nevojë të angazhohen në negociata kuptimplote, thonë analistët.

Çfarë nismash janë provuar deri tani?

Në maj, të dy palët ndërluftuese ranë dakord të dërgonin ekipe negociuese në Jeddah të Arabisë Saudite për të filluar bisedimet e ndërmjetësuara nga Riadi dhe Uashingtoni. Pasuan të paktën 16 marrëveshje armëpushimi porse akëcila prej tyre ka dështuar.

Edhe Rrëfime tronditëse nga Sudani: dhunë seksuale dhe rrëmbime gjatë luftës Botë 1 muaj më parë Rrëfime tronditëse nga Sudani: dhunë seksuale dhe rrëmbime gjatë luftës
Image

Negociatat u pezulluan një muaj më vonë, pasi ushtria tërhoqi pjesëmarrjen e saj duke akuzuar RSF-në për mungesë angazhimi. Teksa bisedimet në Jeddah dështuan dhe luftimet vazhduan, Bashkimi Afrikan (AU) zbuloi planin e vet. Ai përfshinte fillimin e një dialogu politik midis aktorëve ushtarakë, civilë dhe socialë të vendit jo vetëm për të zgjidhur konfliktin në vazhdim, por edhe për të vendosur rregullime kushtetuese për një periudhë tranzicioni dhe formimin e një qeverie civile.

Ndryshe nga bisedimet e Jeddahs, samiti i AU-së u ndoq nga anëtarë të një koalicioni civil që ndante pushtetin me ushtrinë përpara se gjenerali Abdel Fattah al-Burhan dhe gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur gjithashtu si “Hemedti”, orkestruan një grusht shteti në vitin 2021, duke i dhënë fund tranzicionit të brishtë të vendit drejt demokracisë. Por krahas mbledhjes tre herë – takimi i fundit ishte më 1 qershor – dhe lëshimit të deklaratave të gjera, samiti nuk ka dhënë ende ndonjë rezultat domethënës.

Më pas erdhi përpjekja negociuese e Autoritetit Ndërqeveritar për Zhvillim (IGAD).

Organi rajonal, i përbërë nga tetë vende rreth Bririt të Afrikës, krijoi një komitet katërshe, duke përfshirë Kenian, Etiopinë, Xhibutin dhe Sudanin e Jugut, për të adresuar krizën sudaneze. Por një takim i IGAD-it më 10 korrik u bojkotua nga delegacioni i ushtrisë, i cili akuzoi sponsorin kryesor të kuartetit, Kenian, për mungesë të paanshmërisë.

Në vend të kësaj, ushtria sudaneze mirëpriti më 13 korrik një samit të mbajtur në kryeqytetin egjiptian, Kajro, të kryesuar nga presidenti Abdel Fattah el-Sisi, me të cilin gjenerali sudanez al-Burhan gëzon lidhje të kamotshme. Në takim morën pjesë liderët e shtatë vendeve fqinje të Sudanit së bashku me sekretarin e përgjithshëm të Ligës Arabe dhe kryetarin e Komisionit të Bashkimit Afrikan (AUC).

Presidenti egjiptian përshkroi një iniciativë për të vendosur një armëpushim të qëndrueshëm, për të ngritur korridore humanitare për ndihmë humanitare dhe për të ndërtuar një kornizë dialogu që do të përfshinte të gjitha partitë politike sudaneze.

Pjesëmarrësit në tryezë ranë dakord të formojnë një mekanizëm ministror të përbërë nga ministrat e jashtëm të shtatë shteteve për të zgjidhur konfliktin në vazhdim. Plani u vlerësua nga ushtria dhe RSF-ja.

Shumë pak bashkëpunim, shumë konkurrencë

Organizimi i nismave të ndryshme diplomatike nuk është i dobishme për një zgjidhje, kanë paralajmëruar ekspertët.

“Ka një dështim të madh të diplomacisë këtu. Ne shohim shumë konkurrencë dhe shumë pak bashkëpunim”, ka theksuar Alan Boswell, koordinator i projektit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Bririn e Afrikës. “Diplomacia nuk ka qenë atje dhe kjo është për shkak se ajo nuk është mjaft e theksuar në agjendë, veçanërisht për SHBA-në”, ka thënë Boswelli, duke vënë në dukje se Uashingtoni nuk ka bërë mjaftueshëm në rolin e tij tradicional koordinues.

Përçarjet midis akterëve rajonalë që mund të ushtrojnë presion mbi dy palët ndërluftuese në funksion të arritjes së një dakordimi për armëpushim përbëjnë një tjetër pengesë.

Emiratet e Bashkuara Arabe nuk janë përfshirë drejtpërsëdrejti në ndonjë tryezë të rrumbullakët dhe konkurrenca e saj e flakët me Arabinë Saudite mund të jetë pengesë për përfshirje në çdo proces.

“Tensionet ekzistuese po rezultojnë ndoshta të tepërta për t'i bërë të gjithë të ulen në tryezë”, ka sqaruar Boswell.

Edhe “Mesazhet e palexuara për tre vjet” - historia e luftës në rrëfimin e gazetarit të bllokuar në el- Fasher Botë 3 muaj më parë “Mesazhet e palexuara për tre vjet” - historia e luftës në rrëfimin e gazetarit të bllokuar në el- Fasher

Pavarësisht numrit të negociatave të zhvilluara, asnjë nga palët ndërluftuese nuk është vërtet e interesuar të angazhohet në negociata në këtë fazë, ka thënë Kholood Khair, ekspert për Sudanin dhe drejtor themelues i Confluence Advisory.

“Të dyja palët mendojnë se mund të fitojnë dhe për sa kohë që të dyja mendojnë se mund të fitojnë, do të vazhdojnë të shtyhen ushtarakisht jo vetëm për të pasur më shumë fuqi negociuese, por për të fituar plotësisht”, ka thënë Khair.

Të dyja palët megjithëse kanë shfaqur interesim për përpjekjet ndërmjetësuese, këtë nuk e kanë bërë për të gjetur një zgjidhje por për të blerë kohë, duke fituar legjitimitet ndërkombëtar.

“Ne e dimë se ata janë riarmatosur, kështu që nuk po hyjnë fare seriozisht në ndonjë ndërmjetësim ose në një mënyrë që sugjeron se duan të jenë seriozë”, ka shtuar Khair.

Mungesa e legjitimitetit

E civilët kanë ngelur në midis të konfliktit.

Që nga fillimi i luftës, të paktën 3 mijë njerëz janë vrarë, kanë thënë autoritetet shëndetësore të Sudanit. Rreth 2.6 milionë njerëz tani janë të zhvendosur brenda vendit teksa më shumë se 750 mijë kanë kaluar në vendet fqinje, kanë treguar shifrat nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin.

“Save the Children” ka raportuar për “numra alarmantë” të vajzave adoleshente të përdhunuara, të cilat në disa raste ishin edhe më të reja se 12 vjeç.

Në Darfur, ku konflikti ka marrë dimension tjetër duke i vënë në lëvizje komunitetet arabe kundër anëtarëve të fisit joarab Masalit, një numër në rritje i dëshmive dhe i dokumenteve ekzistuese përshkruajnë shtimin e sulmeve dhe spastrimin etnik të kryer nga luftëtarët arabë, së bashku me anëtarët e RSF-së, e cila ka mohuar akuza të tilla.

Luftimet në rajonin perëndimor sudanez kanë rindezur frikën për përsëritjen e mizorive që patën ndodhur në vitin 2003, kur ishin vrarë më shumë se 300 mijë njerëz.

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut ka njoftuar se posedon informacion të besueshëm se RSF-ja qëndronte pas vrasjes së 87 personave, trupat e të cilëve u gjetën në një varr masiv pranë El-Geneinas, kryeqyteti i Darfurit Perëndimor.

Ndërsa RSF-ja ka një avantazh ushtarak në zonat ku ka luftime aktive – veçanërisht në Khartoum dhe Darfur – ndërsa ka prova të shumta që tregojnë se trupat e saj plaçkitin shtëpi, zona banimi dhe kryejnë dhunë seksuale, duke e bërë grupin të humbasë legjitimitetin.

Nga ana tjetër, ushtria ka treguar se nuk është në gjendje që të luftojë kundër RSF-së, përderisa ajo mbështetet gjithnjë e më shumë te aleatët e ish-regjimit të Omar al-Bashirit.

Edhe OKB: Mbi 6 mijë të vrarë në tre ditë nga ofensiva e forcave paraushtarake në Sudan Botë 5 muaj më parë OKB: Mbi 6 mijë të vrarë në tre ditë nga ofensiva e forcave paraushtarake në Sudan

“Asnjëra palë nuk ka legjitimitet për të sunduar Sudanin, por as nuk mund t’i largojmë nga aty”, ka theksuar Boswell. “Duhet ta shohim këtë si proces me dy hapa: negociatat për t’i dhënë fund konfliktit, të cilat më pas duhet të kalojnë në një proces më të gjerë politik”.

Përktheu: Blerta Haxhiu