Botë

Gjenerali insiston për sundim civil, por nuk ndal luftën në Sudan

Luftimet në Sudan deri më tani kanë lënë të vrarë 413 persona dhe ka plagosur 3.551 të tjerë, sipas shifrave të fundit të publikuara të premten nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Lufta po vazhdon përkundër zotimeve të gjeneralit më të lartë të Sudanit, Abdel Fattah Burhan, për tranzicion demokratik

Gjenerali më i lartë i Sudanit deklaroi të premten përkushtimin e ushtrisë ndaj një qeverie të udhëhequr nga civilët, një përpjekje e dukshme për mbështetje ndërkombëtare disa ditë pasi luftimet brutale midis forcave të tij dhe një grupi të fuqishëm paraushtarak rrënuan shpresat për tranzicionin demokratik të vendit.

Në fjalimin e tij të parë që nga konflikti që përfshiu Sudanin gati një javë më parë, shefi i ushtrisë, gjeneral Abdel Fattah Burhan, u zotua se ushtria do të triumfonte dhe do të siguronte "tranzicionin e sigurt të kombit të madh afrikan drejt sundimit civil". Por për shumë sudanezë, pretendimi i Burhanit tingëllonte bosh 18 muaj pasi ai bashkoi forcat me rivalin e tij aktual për të marrë pushtetin në një grusht-shtet që la mënjanë forcat pro-demokratike të Sudanit.

Njoftimi i Burhanit erdhi në festën myslimane të Fitër Bajramit, që shënon fundin e Ramazanit, muajit të agjërimit. "Ne kemi besim se do ta kapërcejmë këtë provë me stërvitjen, mençurinë dhe forcën tonë", tha Burhani, duke u zotuar të ruajë "sigurinë dhe unitetin e shtetit".

Festa – e mbushur zakonisht me lutje, festime dhe gosti – ishte e zymtë në Sudan, pasi të shtëna armësh shpërthyen në kryeqytetin e Khartoumit dhe tym i zi u ngrit mbi horizont.

“Në vend që të zgjoheshin nga ezani, njerëzit në Khartoum u zgjuan përsëri nga luftimet e ashpra”, tha ambasadori i Norvegjisë në Sudan, Endre Stiansen. "A mund të jetë ndonjë ferr më i tmerrshëm se ky?"

Xhamitë mbajtën lutje masive të mëngjesit brenda për të mbrojtur besimtarët nga luftimet e intensifikuara. Dhuna deri më tani ka lënë të vrarë 413 persona dhe ka plagosur 3.551 të tjerë, sipas numrit të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ky numër përfshin të paktën nëntë fëmijë të vrarë dhe 50 të plagosur në luftime, tha Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët.

Dallia Abdelmoniem, bukëpjekëse 37-vjeçare nga Khartoumi, u largua me familjen e saj të enjten pasi një raketë i shkatërroi çatinë e saj. Rruga për në periferi të qytetit ishte e mbushur me trupa të pajetë. Abdelmoniemi mbuloi sytë e mbesave dhe nipërve të saj.

"Nuk ka më vend të sigurt në Khartoum", tha ajo nga streha e saj e re jashtë kryeqytetit, ku mund të dëgjonte ende ulërimat e artilerisë dhe të shtënave të premten. “Prioriteti ynë numër një është vetëm të qëndrojmë gjallë”.

Si ushtria ashtu edhe RSF-ja kanë një histori të gjatë të abuzimeve të të drejtave të njeriut në Sudan. RSF-ja lindi nga milicitë Janjaweed, të cilat u akuzuan për mizori të përhapura kur qeveria i themeloi ato për të shuar një rebelim në rajonin perëndimor të Darfurit të Sudanit në fillim të viteve 2000.

Përktheu: Forca Jashari