Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gjenerali i paramilitarëve, i gatshëm për bisedime në Sudan

Gjenerali i njohur me nofkën Hemedti ka thënë se është i hapur për bisedime vetëm me kusht që armëpushimi të respektohet. “Ndalni luftimet. Pas kësaj mund të kemi negociata. Fatkeqësisht Burhan po prihet nga liderët e frontit radikal islamik”, ka thënë Hemedti.

Të shtënat e armëve dhe artilerisë janë dëgjuar të shtunën në disa pjesë të kryeqytetit sudanez, Khartoum, ani pse ishte zgjatur armëpushimi mes dy gjeneralëve, lufta e të cilëve ka lënë të vdekur qindra njerëz dhe ka detyruar largimin e mijëra sudanezëve të tjerë.

Numri i civilëve të vrarë të shtunën është ngritur në 411, kanë bërë të ditur organizatat që monitorojnë vrasjet në Sudan. Nga luftimet janë plagosur 2 mijë civilë. Në qytetin Genena, kryeqytet provincial i Darfurit Perëndimor, janë vrarë së paku 89 persona. Luftëtarët kanë hyrë nëpër shtëpi dhe po kontrollojnë spitalet, kanë njoftuar organizatat.

Gjenerali i forcave paramilitare në Sudan ka thënë se nuk do të nisë bisedimet e paqes derisa nuk ndalen luftimet. Gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo ka thënë se forcat e tij po bombardohen pamëshirshëm, ani pse u arrit armëpushim treditor me ushtrinë. Ai ka fajësuar gjeneralin e ushtrisë Abdel Fattah al-Burhan për dhunën në Sudan.

Të shtunën, kanë vazhduar sulmet ajrore në disa pjesë të kryeqytetit Khartoum, duke e bërë të pamundur dialogun mes dy forcave që kanë dallime të thella. Gjenerali i paramilitarëve ka thënë se nuk ka probleme personale me gjeneralin e ushtrisë, por e sheh atë si tradhtar që ka sjellë në qeveri lojalistët e ish-presidentit Omar al-Bashir, i cili u rrëzua nga pushteti gjatë vitit 2019.

Regjimi i Bashirit që ishte në pushtet në 30 vjetët e fundit – njihej për ideologjinë islamiste dhe vendosjen e ligjeve të ashpra të Sheriatit.

Gjenerali i njohur me nofkën Hemedti ka thënë se është i hapur për bisedime vetëm me kusht që armëpushimi të respektohet. “Ndalni luftimet. Pas kësaj mund të kemi negociata. Fatkeqësisht Burhan po prihet nga liderët e frontit radikal islamik”, ka thënë Hemedti.

Në vitin 2021, gjenerali Burhan refuzoi marrëveshjen për të ndarë pushtetin me civilët, duke marrë kontrollin e plotë me anë të grusht shtetit.

Dy gjeneralët janë përplasur për propozimin që pushteti të jetë civilë, por edhe për mënyrën se si të përfshihen në ushtri 100 mijë pjesëtarët e paramilitarëve.

“Mezi pres që të kemi qeveri civile – para të nesërmes, pres që të kemi qeveri të plotë civile. Ky është parimi im”, ka thënë Hemedti për BBC-në.

Kjo nuk është hera e parë që gjenerali flet për angazhimin e tij për demokracinë, ani pse analistët kanë thënë se forcat e tij kanë shtypur protestat civile në të kaluarën.

Khartoum, qytet i pesë milionë banorëve, është shndërruar në front lufte mes dy gjeneralëve që dikur kishin shpresa të mëdha për demokracinë e Sudanit.

Shtetet e ndryshme kanë vazhduar me evakuimin e stafit diplomatik dhe shtetasve të tjerë, teksa mijëra sudanezë kanë ikur në drejtim të Chadit dhe Egjiptit. Më shumë se 20 mijë refugjatë – kryesisht gra dhe fëmijë – kanë kaluar kufirin perëndimor drejt Chadit, kanë njoftuar Kombet e Bashkuara.

Ata që kanë ikur nga zonat e luftimeve në Khartoum janë përballur me pengesa të tjera gjatë rrugës. Udhëtimi tokësor drejt Port Sudanit, në të cilin presin anijet për evakuimin e njerëzve nëpërmjet Detit të Kuq, është shumë i rrezikshëm dhe i gjatë. Hatim el-Madani, ish-gazetar, ka thënë se paramilitarët kanë ndalur refugjatët dhe ua kanë marrë telefonat e gjësendet e tjera me vlerë.

“Ka një natyrë bandite te milicia RSF”, ka thënë ai, duke iu referuar forcave paramilitare. “Kjo tregon se ata nuk kanë linjë furnizimi dhe mund të përkeqësohet situata gjatë ditëve në vijim”.

I rrezikshëm ka qenë edhe evakuimi me aeroplanë. Një aeroplan turk është sulmuar të premten në periferi të Khartoumit.

Të shtunën – pavarësisht nga armëpushim i zgjatur nën presionin e madh ndërkombëtar me 72 orë të tjera– përleshjet vazhduan rreth pallatit presidencial, selisë së transmetuesit shtetëror dhe bazës ushtarake në Khartoum, kanë raportuar banorët. Mbi qytet shihej tymi i dendur shkaku i luftimeve të ashpra.

Në disa zona pranë kryeqytetit, duke përfshirë në Omdurman, banorët raportuan se disa dyqane po rihapen pasi shkalla e luftimeve po qetësohej, me të dyja palët që kërkonin të respektonin armëpushimin e dobët. Por në zona të tjera, banorët e strehuar në shtëpi ndërsa shpërthimet gjëmuan rreth tyre kanë thënë se luftëtarët po hynin nëpër shtëpi, duke tmerruar njerëzit dhe duke vjedhur gjithçka që mund të gjenin.

Tani në javën e tretë, luftimet kanë lënë zona të Khartoum pa energji elektrike dhe ujë. Ata që strehohen në shtëpi kanë thënë se po u mbarojnë ushqimet dhe furnizimet bazë. Banorët të shtunën në qytetin Omdurman, në perëndim të Khartoum, kanë treguar se kishin pritur tri ditë për të marrë karburant - duke ndërlikuar planet e tyre të ikjes.

Koordinatori i ndihmës së OKB-së, Martin Griffiths, ka thënë se zyrat e OKB-së në Khartoum, si dhe qytetet Genena dhe Nyala në Darfur ishin sulmuar dhe plaçkitur. “Kjo është e papranueshme - dhe e ndaluar sipas Ligjit ndërkombëtar”, ka thënë ai.

Gjatë 15 ditëve të fundit të luftimeve mes dy grupeve, gjeneralët nuk kanë arritur secili t'i japin goditjen vendimtare tjetrit në luftën e tyre për kontrollin e shtetit të tretë më të madh të Afrikës. Ushtria duket se ka dorën e sipërme në luftime, me monopolin e saj mbi fuqinë ajrore, por ka qenë e pamundur të konfirmohen pretendimet e saj për avancim.

“Së shpejti, shteti sudanez me institucionet e tij të bazuara mirë do të dalë fitimtar dhe përpjekjet për të rrëmbyer vendin tonë do të ndërpriten përgjithmonë”, ka thënë ushtria sudaneze në rrjetet sociale.

Shumë spitale në Khartoum dhe në të gjithë vendin janë mbyllur. Pak kishin shpresuar se konflikti do të përfundonte së shpejti.

“Të dyja palët po bëjnë përpjekje të mëdha”, ka thënë ish-gazetari el-Madani. “Kjo luftë mund të vazhdojë për një kohë të gjatë”.

Përktheu: Gent Mehmeti

LEG: Khartoum, qytet i pesë milionë banorëve, është shndërruar në front lufte mes dy gjeneralëve që dikur kishin shpresa të mëdha për demokracinë e Sudanit.

Artikuj të ngjashëm