Dy gjeneralët që me grusht-shtet ushtarak pamundësuan demokracinë në Sudan, janë kthyer kundër njëri-tjetrit, duke zhytur në luftë shtetin në dy ditët e fundit. Gjenerali i ushtrisë dhe ai i forcave speciale janë në luftë për pushtet, duke pamundësuar kalimin e Sudanit në demokraci
Ushtria sudaneze dhe një grup paramilitar kanë luftuar për kontrollin e shtetit në ditën e dytë të kaosit.
Dy palët kanë paralajmëruar se nuk e kanë ndërmend t’i ndalin luftimet ani pse është rritur presioni diplomatik për armëpushim.
Në luftime janë përfshirë edhe aeroplanët e luftës që kanë fluturuar mbi kryeqytetin Khartoum dhe qytetet tjera të Sudanit.
Forcat rivale besohet se kanë mijëra luftëtarë vetëm në kryeqytet.
Së paku 56 civilë raportohet se janë vrarë, përfshirë tre punonjës të Kombeve të Bashkuara.
Luftimet janë pjesë e betejës për pushtet mes gjeneralit të ushtrisë Abdel-Fattah Burhan dhe homologut të tij Mohammed Hamdan Dagalo, prijës i Forcave Speciale. Dy gjeneralët janë ish-aleatë, të cilët organizuan grusht-shtetin ushtarak të vitit 2021 që parandaloi kalimin e Sudanit në demokraci.
Edhe
Luftime të reja në kryeqytetin sudanez, Khartoum
Në muajt e fundit, bisedimet e përkrahura nga shtetet e fuqishme ngjallën shpresën për kalim të rregullt në demokraci. Mirëpo, ngritja e tensioneve mes dy gjeneralëve ka shtyrë marrëveshjen mes partive politike.
Diplomatët kryesorë, përfshirë sekretarin amerikan të Shtetit, sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, shefi i politikës së jashtme të BE-së dhe shtetet arabe, kanë bërë thirrje për ndaljen e luftimeve.
Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kanë kërkuar që dy palët menjëherë të kthehen në dialog.