Botë

Pse konflikti i Sudanit ka rëndësi për botën

Dy gjeneralët që me grusht shtet ushtarak pamundësuan demokracinë në Sudan, janë kthyer kundër njëri-tjetrit, duke zhytur shtetin në luftë. Gjenerali i ushtrisë dhe ai i forcave speciale janë në luftë për pushtet, duke pamundësuar kalimin e Sudanit në demokraci

Luftimet në Sudan midis forcave besnike të dy gjeneralëve të lartë e kanë vënë shtetin afrikan në rrezik kolapsi dhe mund të ketë shumë pasoja përtej kufijve të tij.

Të dyja palët kanë dhjetëra mijëra luftëtarë, mbështetës të huaj, pasuri minerale dhe burime të tjera që mund t'i izolojnë ata nga sanksionet. Është një recetë për llojin e konfliktit të zgjatur që ka shkatërruar vende të tjera në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, nga Libani dhe Siria, në Libi dhe Etiopi.

Luftimet, të cilat filluan ndërsa Sudani u përpoq të kalonte në demokraci, tashmë kanë lënë të vrarë qindra njerëz dhe miliona të tjerë të bllokuar në zonat urbane, të strehuar nga të shtënat me armë zjarri, shpërthimet dhe plaçkitësit.

Kush po lufton?

Gjenerali Abdel Fattah Burhan, kreu i forcave të armatosura, dhe gjenerali Mohammed Hamdan Dagalo, udhëheqës i një grupi paraushtarak të njohur si Forcat e Mbështetjes së Shpejtë, që u formua nga milicitë famëkeqe të Darfur Janjaweedit, po kërkojnë secili të marrin kontrollin e Sudanit. Kjo vjen dy vjet pasi ata së bashku kryen një grusht shtet ushtarak dhe prishën tranzicionin drejt demokracisë që kishte filluar pasi protestuesit në vitin 2019 ndihmuan në rrëzimin e autokratit Omar al-Bashir. Në muajt e fundit, negociatat ishin duke u zhvilluar për një rikthim në tranzicionin demokratik.

Fituesi i luftimeve të fundit ka të ngjarë të jetë presidenti i ardhshëm i Sudanit, me humbësin që do të përballet me dëbim, arrestim ose vdekje. Një luftë civile e gjatë ose ndarja e vendit arab dhe afrikan në çifligje rivale është gjithashtu të mundshme.

Alex De Waal, një ekspert i Sudanit në Universitetin Tufts, shkroi këtë javë se konflikti duhet të shihet si "rundi i parë i një lufte civile".

"Nëse nuk përfundon shpejt, konflikti do të bëhet një lojë shumë nivelesh me aktorë rajonalë dhe ndërkombëtarë që ndjekin interesat e tyre, duke përdorur para, furnizime me armë dhe ndoshta trupat ose përfaqësuesit e tyre", shkroi ai.

Çfarë do të thotë lufta për fqinjët e Sudanit?

Sudani është vendi i tretë më i madh i Afrikës për nga sipërfaqja dhe shtrihet në lumin Nil. Ajo ndan pa vështirësi ujërat e saj me peshat e rënda rajonale, Egjiptin dhe Etiopinë. Egjipti mbështetet në Nilin për të ndihmuar popullsinë e tij prej mbi 100 milionë banorësh dhe Etiopia po punon në një digë masive në rrjedhën e sipërme që ka alarmuar si Kajron, ashtu edhe Khartoumin.

Egjipti ka lidhje të ngushta me ushtrinë e Sudanit, të cilën e sheh si aleate kundër Etiopisë. Kajro ka kontaktuar të dyja palët në Sudan për të bërë presion për një armëpushim, por nuk ka gjasa të qëndrojë në këmbë nëse ushtria përballet me disfatë.

Sudani kufizohet me pesë vende të tjera: Libinë, Chadin, Republikën Qendrore të Afrikës, Eritrenë dhe Sudanin e Jugut, të cilat u ndanë në vitin 2011 dhe morën me vete 75% të burimeve të naftës së Khartoumit. Pothuajse të gjithë janë të zhytur në konfliktet e tyre të brendshme, me grupe të ndryshme rebele që veprojnë përgjatë kufijve poroz.

"Ajo që ndodh në Sudan nuk do të qëndrojë në Sudan", tha Alan Boswell i Grupit Ndërkombëtar të Krizave. “Chadi dhe Sudani i Jugut duken më të rrezikuar në rast të përhapjes së mundshme. Por sa më shumë të zvarriten (luftimet), aq më shumë ka të ngjarë që të shohim ndërhyrje të mëdha të jashtme”.

Cilat fuqi të jashtme interesohen për Sudanin?

Vendet e Gjirit Arab kanë vëzhguar bririn e Afrikës në vitet e fundit, ndërsa kanë kërkuar të projektojnë fuqi në të gjithë rajonin.

Emiratet e Bashkuara Arabe, një fuqi ushtarake në rritje që ka zgjeruar praninë e saj në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën Lindore, ka lidhje të ngushta me Forcat e Mbështetjes së Shpejtë, të cilat dërguan mijëra luftëtarë për të ndihmuar Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite në luftën e tyre kundër rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani, në Jemen.

Ndërkohë, Rusia ka pasur prej kohësh plane për të ndërtuar një bazë detare të aftë për të pritur deri në 300 trupa dhe katër anije në Portin Sudan, në një rrugë të rëndësishme tregtare të Detit të Kuq për dërgesat e energjisë në Evropë.

Grupi Wagner, një grup mercenar rus me lidhje të ngushta me Kremlinin, ka depërtuar në të gjithë Afrikën vitet e fundit dhe ka operuar në Sudan që nga viti 2017. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur sanksione ndaj dy firmave të minierave të arit të lidhura me Wagnerin në Sudan të akuzuara për kontrabandë.

Çfarë roli luajnë vendet perëndimore?

Sudani u bë pari ndërkombëtare kur priti Osama bin Ladenin dhe militantë të tjerë në vitet 1990, kur Al-Bashiri kishte fuqizuar një qeveri islamiste të vijës së ashpër.

Izolimi i saj u thellua për shkak të konfliktit në rajonin perëndimor të Darfurit në vitet 2000, kur forcat sudaneze dhe Janjaweede u akuzuan për kryerjen e mizorive, ndërsa shtypnin një rebelim lokal. Gjykata Ndërkombëtare Penale përfundimisht akuzoi Al-Bashirin për gjenocid.

SHBA-ja e hoqi Sudanin nga lista e shteteve nxitëse të terrorizmit pasi Qeveria në Khartoum ra dakord të krijonte lidhje me Izraelin në vitin 2020.

Por miliarda dollarë kredi dhe ndihmë u vunë në pritje pas grusht shtetit ushtarak të vitit 2021. Kjo, së bashku me luftën në Ukrainë dhe inflacionin global e çuan ekonominë në rënie të lirë.

A mund të bëjnë diçka fuqitë e jashtme për ta ndaluar luftën?

Vështirësitë ekonomike të Sudanit duket se ofrojnë një hapje për vendet perëndimore që të përdorin sanksione ekonomike për t'i bërë presion të dyja palëve që të tërhiqen.

Por në Sudan, si në vendet e tjera afrikane të pasura me burime, grupet e armatosura janë pasuruar prej kohësh përmes tregtisë së errët të mineraleve të rralla dhe burimeve të tjera natyrore.

Dagalo, dikur një bari devesh nga Darfuri, ka ferma të mëdha blegtorale dhe sisteme operacionale të nxjerrjes së arit. Ai gjithashtu besohet se është paguar mirë nga vendet e Gjirit për shërbimin në RSF, në Jemen duke luftuar me rebelët e lidhur me Iranin.

Ushtria kontrollon pjesën më të madhe të ekonomisë dhe gjithashtu mund të mbështetet në biznesmenë në Khartoum dhe përgjatë brigjeve të Nilit, të cilët u pasuruan gjatë sundimit të gjatë të Al-Bashirit dhe që e shohin RSF-në si luftëtarë të papërpunuar nga vendet e brendshme.

"Kontrolli mbi fondet politike nuk do të jetë më pak vendimtar se sa fusha e betejës", tha De Waal. “(Ushtria) do të dëshirojë të marrë nën kontroll minierat e arit dhe rrugët e kontrabandës. RSF-ja do të dëshirojë t’i ndërpresë arteriet kryesore të transportit, duke përfshirë rrugën nga Portin Sudan në Khartoum.

Ndërkohë, numri i madh i ndërmjetësve të mundshëm – duke përfshirë SHBA-në, OKB-në, Bashkimin Evropian, Egjiptin, vendet e Gjirit, Bashkimin Afrikan dhe bllokun e Afrikës Lindore prej tetë vendesh të njohur si IGAD – mund të bëjë çdo përpjekje për paqe më të komplikuar sesa vetë lufta.

“Ndërmjetësit e jashtëm rrezikojnë të bëhen bllokim trafiku pa policë”, tha De Waal.

Përktheu: Forca Jashari