BETIMI PËR DREJTËSI

Kush është Naser Kelmendi, i cilësuar si “bosi i drogës” në Ballkan?

Naser Kelmendi, i cilësuar nga mediat ndërkombëtare si “bosi i drogës” në Ballkan, më 18 maj 2023 në proces të rigjykimit është dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim, për veprën penale trafikim me narkotik.

Afërsisht kaq kohë, Naser Kelmendi ka qëndruar në paraburgim dhe arrest shtëpiak. Sidoqoftë, ky dënim vjen afër 20 vjet pas kohës kur pretendohet se është kryer vepra penale dhe afër 9 vjet pas ngritjes së aktakuzës, thuhet në një hulumtim të "Betimit për Drejtësi" të transmetuar në KTV. 

Por, as ky vendim për dënim me burgim, praktikisht nuk do të arrijë të ekzekutohet, pasi vepra penale për të cilën është dënuar Naser Kelmendi, vjetërsohet në gusht të këtij viti.

Por, kush është Naser Kelmendi? Pse njihet si “bosi i drogës” në Ballkan? Pse SHBA e futi në listën e zezë?

Naser Kelmendi, tashmë 66-vjeçar, është shqiptar i lindur në Kosovë, i cili ka edhe nënshtetësi boshnjake.

Ai dyshohej se udhëhiqte një prej familjeve më të forta kriminale shqiptare në Ballkan dhe se drejtonte prej kohësh një organizatë të madhe që trafikonte heroinë dhe droga të tjera.

Naser Kelmendi, jo rrallëherë ishte kryetitull në mediat ballkanike dhe ndërkombëtare, pasi po hetohej në Bosnjë dhe Hercegovinë për akuza të shumta, që lidheshin kryesisht me trafikimin e drogës dhe vrasje, si dhe lidhjet e tij me politikanë të ndryshëm në Bosnjë, Serbi e Kosovë.

Në vitin 2012 ai u fut në listën e zezë nga Shtëpia e Bardhë, pas një letre të dërguar nga administrata e Presidentit Barack Obama, Kongresit Amerikan. Në atë listë, Naser Kelmendi ishte futur bashkë me një shtetas meksikan, i cili ishte lider i një karteli që kishte kryer qindra vrasje, si dhe një afgan, i cili ishte lider i trafikimit të drogës në vendin e tij.

Kështu, Kelmendi po cilësohej si bosi më i madh rajonal i drogës.

Edhe Departamenti Amerikan i Thesarit në 2015 kishte vendosur që Naser Kelmendit t’i ngriheshin asetet brenda juridiksionit të SHBA-së dhe personave amerikanë me këtë vendim u ndalohej të angazhoheshin në transaksione me grupin e Kelmendit.

“Naser Kelmendi drejton një organizatë të fuqishme kriminale që ka fituar miliona me shitjen e narkotikëve për më shumë se një dekadë”, kishte thënë John E Smith, ushtrues detyre i Drejtorit të Zyrës së Kontrollit të Pasurive të Huaja në Departamentin e Thesarit.

Pas futjes në listë të zezë, një vit më vonë, më 6 maj 2013, Naser Kelmendi u arrestua në Kosovë me një urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet boshnjake. Por, mungesa e një marrëveshje ekstradimi mes dy shteteve, Kosovës dhe Bosnjës, kishte bërë që i akuzuari Kelmendi të lirohej një ditë me vonë.

Po atë ditë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kishte filluar hetimet ndaj të akuzuarit Kelmendi, që nënkuptonte se kjo çështje penale do të trajtohej nga autoritetet kosovare. Prej asaj kohe, Kelmendi ishte mbajtur në paraburgim dhe arrest shtëpiak mbi 4 vjet.

Ndryshe prej këtij profili që njihet në publik dhe nga autoritetet e drejtësisë në Kosovë, Bosnje, por edhe në SHBA, sipas mbrojtësit të tij, avokatit Besnik Berisha, profili i Naser Kelmendit është profil i një biznesmeni të suksesshëm, i cili asnjëherë nuk është përfshirë në trafikim të drogës.

“Profili i tij që e ka sqaruar nga 14 vjet e deri në 66-67 sot, nuk del të jetë as edhe njëherë të vetme që ka rënë në kontakt qoftë me një gram. Dhe ai ka thënë gjithmonë para gjykatës, le të dalë një njeri në botë, le të thotë që ma ka shitur, ja kam shitur, e kam blerë, e kam diskutuar, qoftë edhe për një gram drogë, 50 vjet i nënshkruaj unë këtu. Nëse më pyesni a jam marrë me tregti të lëkurave, po, nëse me thoni a jam marrë me xhinse, po, a jam marrë me mbulesa, shatora, po, nëse me pyesni a jam marrë me kafe, po, nëse me pyesni a jam marrë me cigare, po”, ka thënë ai.

Sipas avokatit Berisha, Naser Kelmendi, ishte arrestuar nën dyshimin për vrasje, por të gjitha pretendimet e tjera ndaj tij e kanë burimin nga një kriminel recidivist nga Sarajeva, i cili po mundohej të shpëtonte veten e tij.

“Pas 3 muajsh që kanë kaluar nga dita e arrestimit, prokurori i shtetit asokohe prokurori special i Prokurorisë Speciale Ndërkombëtare ka zgjeruar hetimin edhe për trafikim me substanca narkotike, i cili kryesisht mbështetej në raportimet e kësaj natyre, pra në raportime nga njerëz të cilit ishin me të kaluar kriminale në burgjet e Sarajevës dhe kryekëput nga një dëshmitar që quhej edhe si mbretëresha e provave të prokurorisë, një dëshmitar i cili ishte dënuar me 26 vite burgim për vrasje të rëndë, rrëmbim, trafikim me substanca narkotike, si lideri i organizatës më të madhe kriminale në Bosnje”, është shprehur Berisha.

Ai thotë se të gjitha pretendimet për Naser Kelmendin kanë gjenezën tek një kriminel i dënuar, një recidivist i shumëfishtë, i cili ishte paraqitur vullnetarisht në prokurori, me idenë që ta zbusë dënimin ndaj tij.

Për më shumë ndiqeni hulumtimin “Shteti dështon të ndajë drejtësi për Naser Kelmendin të njohur si “bosi i drogës”, i cili transmetohet në KTV, TV Arta dhe “Betimi për Drejtësi”.