Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
BETIMI PËR DREJTËSI

Përkundër gjykimit maratonik, Naser Kelmendi rrezikon të dalë i pagjykuar

Më 18 maj 2023 në proces të rigjykimit Naser Kelmendi është dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim, për trafikim me narkotikë.

Përveç dënimit, i cili përkon pothuajse me kohën e kaluar në paraburgim, gjasat që ky vendim të bëhet i formës së prerë, praktikisht duket të jenë të pamundura.

Kjo pasi vepra penale, për të cilën është dënuar Kelmendi, është përcaktuar me ligjin penal të Jugosllavisë të vitit 1977, i cili ligj ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale. Kelmendi është dënuar për veprën penale nga 245 paragrafi 1 dhe 2 i ligjit në fjalë, ku thuhet se vepra penale: “Prodhimi dhe shitja” është e dënueshme nga 1 deri në dhjetë vjet. Në bazë të nenit 96 të këtij ligji, afati i parashkrimit relativ është 10 vite, derisa afati i parashkrimit absolut është 20 vite.

Në bazë të datës kur supozohet të jetë kryer kjo vepër penale, atëherë i bie se afati i parashkrimit absolut të kësaj vepre penale arrin në fund të muajit gusht të vitit 2023.

Sipas veprimeve dhe afateve procedurale, pas shpalljes së aktgjykimit sipas Kodit të Procedurës Penale, gjykata e shkallës së parë duhet që brenda 30 ditësh ta përpilojë aktgjykimin me shkrim. Nëse llogaritet ky afat, pra që nga shpallja e aktgjykimit deri në përpilimin e tij, data kur duhet të përfundojë përpilimi me shkrim i aktgjykimit është 18 qershori 2023.

Edhe Apeli liron Naser Kelmendin nga akuza për trafikim me narkotikë Kronikë Apeli liron Naser Kelmendin nga akuza për trafikim me narkotikë

Nëse brenda këtij afati nuk përpilohet aktgjykimi, atëherë kryetari i trupit gjykues mund të kërkojë afat shtesë për përpilimin me shkrim të aktgjykimit, plus 30 ditë në rastet kur lënda është e ndërlikuar.

Nëse kalkulohet edhe afati shtesë për përpilimin e aktgjykimit atëherë afati i fundit për përfundimin e përpilimit të aktgjykimit është 18 korriku 2023.

Kundër aktgjykimit të marrë nga gjyqtari i vetëm gjykues ose trupi gjykues i Gjykatës Themelore, ankesë mund të paraqesin personat e autorizuar brenda 30 ditëve nga dita e dorëzimit të kopjes së aktgjykimit, e që dorëzimi i kopjes së aktgjykimit siç edhe ka ndodhur në raste tjera vonohet edhe disa ditë të tjera, duke bërë që të reduktohet edhe më shumë numri i ditëve të mbetura për vendosje nga Gjykata e Apelit.

Në rast se pala e paraqet ankesën menjëherë, Gjykatës së Apelit i mbeten rreth 30 ditë, duke përfshirë pranimin edhe aspektet procedurale teknike, ku ankesa duhet t’i dërgohet palës kundërshtare për përgjigje në ankesë e afati për këtë veprim procedural është 8 ditë.

“Betimi për Drejtësi” ka kërkuar informata nga gjykatësja e rastit Suzana Qerkini nëse është përpiluar aktgjykimi me shkrim dhe sa a është në dijeni e njëjta se rasti i Naser Kelmendit parashkruhet në gusht të këtij vitit.

Në përgjigjën e saj gjyqtarja Qerkini ka thënë se aktgjykimin do ta përpilojë sa më shpejt që është e mundur, pasi e njëjta konsideron se është brenda afatit ligjor.

Tutje, e njëjta ka sqaruar se procesi gjyqësor ndaj Naser Kelmendit ka qenë i hapur dhe i monitoruar duke përfshirë edhe arsyet e shtyrjes së shqyrtimeve gjyqësore.

Edhe Avokati i Naser Kelmendit: Gjykata s’kishte guxim të merrte aktgjykim lirues, shkak presioni publik BETIMI PËR DREJTËSI Avokati i Naser Kelmendit: Gjykata s’kishte guxim të merrte aktgjykim lirues, shkak presioni publik

“Nëse gjykata deri në fund të muajit do dërgonte aktgjykimin e saj, që nuk e besoj fare, sepse tash do mbesin në stadin e harnimit, të arsyetimit, të asaj që në fakt nuk është as vepër, nuk duhet të ketë as dënim, atëherë i bie që ne e kemi qershorin, korrikun dhe gushtin. Secila palë i ka 30 ditë, me nejt në karrige e mos dorëzu ankesë, secila palë që e merr ankesën i ka edhe 15 të tjera për me dorëzu përgjigje që i bie 45 ditë, nga dita kur dorëzohet 45 ditë dhe i kalon filtrat i duhet edhe nja 5 ditë deri të mbërrin në gjykatën e Apelit. Nga dita kur mbërrin në gjykatën e Apelit duhet të shkoj te prokurori i shtetit, për të, prokurori i Apelit në fakt për të dhënë mendimin e tij. Nga dita kur jep mendimin prokurori, ndahet një numër, krijohet një Kolegj, është afati për ta thirre seancën e Kolegjit dhe deri në momentin kur ata e marrin vendimin, qofte edhe e votojnë vendimin do të ketë parashkrim”, ka thënë Besnik Berisha, avokati i Naser Kelmendit.

Për më shumë ndiqeni hulumtimin “Shteti dështon të ndajë drejtësi për Naser Kelmendin të njohur si “bosi i drogës”, i cili transmetohet në KTV, TV Arta dhe “Betimi për Drejtësi”.