Kronikë

Apeli liron Naser Kelmendin nga akuza për trafikim me narkotikë

Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e Naser Kelmendit dhe e ka liruar nga akuza për trafikim me narkotikë për çka ishte dënuar nga shkalla e parë me 4 vjet e 8 muaj burgim. Në njoftimin e Apelit thuhet se Kelmendi është liruar nga akuza pasi nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale për çka akuzohej.

“Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, pas mbajtjes së seancës së kolegjit, e ka aprovuar ankesën e të akuzuarit N.K, të paraqitur përmes mbrojtësit të tij av.Besnik Berisha, ashtu që në bazë të nenit 363 paragrafi 1 nënpargrafi 1.3, të Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarin N.K e ka liruar nga akuza, sepse nga provat që janë administruar në shqyrtimin gjyqësor nuk provohet se ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohej me aktakuzë”, ka njoftuar Gjykata e Apelit.

Më 31 korrik, Prokuroria Speciale (PSRK), kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit dënim më të ashpër ndaj të akuzuarit Naser Kelmendi, i cili më 18 maj 2023 ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 4 vjet e 8 muaj burgim për trafikim me narkotikë, ndërsa mbrojtësi i tij avokati Besnik Berisha kërkoi lirimin e tij.

Ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, ankesë kishte paraqitur Prokuroria Themelore në Prishtinë, duke i propozuar Apelit që lidhur me këtë çështje penale, të ndryshohet pjesa e vendimit lidhur me dënimin dhe të nxjerrë vendim më të ashpër, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kelmendi edhe në shkurt të 2018-s ishte dënuar me gjashtë vjet burgim për trafikim me narkotikë, por Apeli kishte rikthyer rastin në rigjykim. Themelorja në Prishtinë e pati shpallur të pafajshëm për akuzat që lidheshin me vrasje, krim të organizuar e pika të tjera të aktakuzës.

Ndaj tij aktakuzë ishte ngritur në vitin 2014. Prokuroria e ngarkonte me 9 pika të aktakuzës. Kelmendi, i cili është gjykuar nga një trup gjykues me shumicë të gjyqtarëve të EULEX-it, qe arrestuar në maj të vitit 2013, ndërsa nga ajo kohë kishte qëndruar në paraburgim deri më 28 shkurt 2017, kur iu zëvendësua kjo masë me atë të arrestit shtëpiak. Më pas, Apeli e kishte kthyer prapë në paraburgim, ndërsa më 17 mars 2017, ishte liruar nga paraburgimi përsëri nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Ndaj këtij vendimi ishte ankuar prokurori, ndërsa Gjykata e Apelit e kishte miratuar ankesën e tij duke e kthyer në paraburgim prapë.

Më vonë, në qershor të vitit 2017, Kelmendi u lirua prapë nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri, gjë që e bën edhe tani pasi që ndaj tij, nuk ka të caktuar ndonjë masë për sigurimin e pranisë së tij në gjykatë, pasi që u është përgjigjur rregullisht ftesave të gjykatës.

Prokuroria Speciale, Naser Kelmendin e ka ngarkuar me veprat penale: krim i organizuar, vrasje e rëndë, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim i paautorizuar i narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike, të përmbledhura në 9 pika të aktakuzës.

Prokuroria pretendonte se Kelmendi në bashkëkryerje me disa persona të tjerë “ka organizuar, formuar, mbikëqyrur, udhëhequr dhe apo drejtuar grupin kriminal të organizuar dhe të strukturuar, apo ka marrë pjesë aktivisht në këtë grup të organizuar kriminal që kanë kontribuar në kryerjen e krimeve të rënda, e që veçohet vrasja e ‘kryegangsterit rival’ Ramiz Delaliq- ‘Çelo’, në vitin 2007”.

Për vrasjen e Delaliqit, sipas Prokurorisë, Naser Kelmendi, në vitin 2006, ka bërë një sërë takimesh në Sarajevë, për të planifikuar dhe për të bërë komplotin dhe për ta vrarë Delaliqin.

Prokuroria pretendonte se si rezultat i këtyre takimeve të organizuara, Naser Kelmendi është ofruar dhe ka pranuar përgjegjësi për të identifikuar dhe punësuar ata që do të kryenin vrasjen e Ramiz Delaliqit. Për kryerjen e kësaj vrasjeje prokuroria ka thënë se Kelmendi ka angazhuar me pagesë dy persona nga Serbia, për të vrarë Ramiz Delaliqin, më 27 qershor 2007 në Sarajevë rreth orës 23:30.

Sipas aktakuzës, Kelmendi për 12 vjet nga viti 2000 deri më 2012 “ka udhëhequr një grup të gjerë kriminal të strukturuar dhe organizuar, ka menaxhuar dhe drejtuar blerjen, përgatitje, transportin, shitjen dhe shpërndarjen e drogave”.

Prokuroria pretendonte se përmes rrugëve të koordinuara mirë për trafikimin e narkotikëve, dërgesave të mëdha me ekstazi janë marrë nga Holanda dhe janë transportuar për në Bosnjë- Hercegovinë dhe Kosovë, ku janë ripaketuar dhe transportuar më tej për në Stamboll dhe Droga e marrë në Stamboll u transportua përsëri përmes Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës dhe më pas u dërgua dhe iu shit tregtarëve dhe shpërndarësve në të gjithë Evropën./Betimi për Drejtësi