Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i ka reaguar Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke thënë se vendimet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë nuk shtyhen e as anulohen me nënshkrime, por mund të sfidohen vetëm në gjykata.
Lidhjes Demokratike të Kosovës ka dorëzuar kërkesën për anulimin e dy vendimeve nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, atë për shtrenjtim të rrymës dhe daljen në treg të hapur të rreth 1.300 bizneseve nuk pritet të marrë përgjigje pozitive.
Kjo kërkesë është nënshkruar nga vetëm 30, prej 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Deputetja Hykmete Bajrami, pas dorëzimit të saj dhe takimit me bordin e këtij institucioni, tha se nga ZRRE-ja u tha se vetëm subvencionimi nga Qeveria mund ta shtyjë këtë vendim.
“Nuk është se morëm përgjigje pozitive për shqyrtimin dhe trajtimin e kërkesës. Sipas tyre, një vendim të tillë mund ta shtyjë vetëm Qeveria e Kosovës, kushdo që është duke kryer detyrën e ministrave, pasi bëhet fjalë për rreth 50 milionë euro diferencë, e cila duhet të vijë nga subvencionimi i buxhetit të shtetit përndryshe këta detyrohen që vendimin ta lënë në fuqi dhe nga 1 qershori të kemi pikërisht këtë”, tha Bajrami.
Rizvanolli ka thënë se Qeveria s’do të ndajë 50 milionë euro të taksapaguesve për të subvencionuar konsumin elektrik të 1 për qindëshit të korporatave më të fuqishme që operojnë në Kosovë.
“Për LDK-në, dhënia e milionave të taksapaguesve bizneseve të mëdha - siç kanë bërë edhe gjatë pandemisë - edhe mund të jetë politikë e dëshiruar, por atë mund ta realizojnë veç nëse i fitojnë zgjedhjet ndonjëherë. LDK e di shumë mirë se vendimet e ZRrE-së si institucion i pavarur nuk shtyhen as anulohen me nënshkrime e me deklarata boshe, të askujt. Ato mund të sfidohen vetëm në Gjykatë. Por ata kanë zgjedhur cirkun për publikun në vend të substancës. Po të brengoseshin për qytetarët, nuk do të bllokonin konstituimin e Kuvendit, duke pamundësuar kështu edhe raportimin e ZRrE-së në Kuvend. ZRrE, në vend se të merret me politika qeveritare, bën mirë të shfrytëzojë kohën të analizojë në mënyrë të detajuar shkaqet e rritjes aq të madhe të kostos së furnizimit me energji gjatë vitit të kaluar, përfshirë 10-fishimin e tarifave të transmisionit, dhe nëse këto kanë mundur të evitohen - siç u kam kërkuar edhe përmes komenteve, edhe gjatë takimit në procesin konsultativ. Kjo duhet të jetë tema e parë që Komisioni parlamentar i ardhshëm për Ekonomi do ta trajtojë”, ka shkaruar Rizvanolli në Facebook. “Ndërkohë, sa i përket Qeverisë së Republikës së Kosovës, sigurojmë qytetarët se: Vendime për dhënie të "veç 50 milionë eurove" të taksapaguesve për të subvencionuar konsumin e energjisë elektrike të 1%-shit të korporatave më të fuqishme që operojnë në Kosovë, NUK do të ketë me Qeverinë Kurti 2 as 3; dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, si gjithmonë, do t'u qëndrojë pranë prodhuesve vendorë që preken nga liberalizimi për të siguruar minimizim të ndikimit në konkurrueshmërinë e tyre e në çmimet për qytetarët. Për këtë kemi punuar dhe jemi duke punuar në të gjitha drejtimet, dhe do të vazhdojmë konsultimet me prodhuesit gjatë ditëve dhe javës në vijim”.