BETIMI PËR DREJTËSI

Gjyqtari Sejrani trajtoi dy raste të Pulajt përkundër se kishte komunikime me të

Problemet me rastin e Shkodran Pulajt nuk përfundojnë vetëm me mosveprimet e prokurorit Sadiku. Gjykatës në dy raste të Shkodran Pulajt është caktuar gjykatësi i Themelores në Prizren, Artan Sejrani.

Fillimisht Sejrani është caktuar gjykatës i procedurës paraprake për rastin e video-incizimit që ngritë dyshimet për marrje ryshfeti, që më pas i ka kaluar në kompetencë Gjykatës Themelore në Gjilan.

Më pas gjyqtarit Sejrani i është ndarë një rasti tjetër i Pulajt, ai për narkotikë.

Për rastin e 4 shtatorit, kur ishte arrestuar Pulaj me dyshimet për shitblerjen e narkotikëve, atij Prokuroria Themelore në Prizren ia ka ngritur aktakuzë më 25 janar 2024 për shkak të dyshimeve nga kjo prokurori se i njëjti ka blerë dhe ka shitur personave të ndryshëm substancë narkotikë të llojit KOKAINË.

Në mesin e gjashtë të akuzuarve, Pulaj dyshohet për shitblerjen e narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se i njëjti dyshohet se nga data e pavërtetuar e vitit 2022 deri më 4 shtator 2023 ka blerë dhe shitur substanca narkotike.

Droga dyshohet të jetë blerë nga Shqipëria dhe ta ketë shitur nga lokali i tij “Kosova 2”.

Për këtë ai dyshohet ta ketë përdorur dhe një të mitur.

Por, Sejrani gjykatës njëherë i procedurës paraprake për video-incizim dhe më pas i rregullt i rastit me narkotikë, ka dalë se ka pasur komunikime me Pulajn.

Burimet të “Betimit për Drejtësi” brenda sistemit të drejtësisë, kanë treguar se Sejrani ka komunikime të shkruara dhe thirrje në rrjetin e komunikimit Whatsapp me të akuzuarin Pulaj.

Komunikimet me shkrim datojnë nga viti 2020, derisa thirrjet e fundit me zë janë 5 qershor 2023.

Por, Sejrani i pyetur pas seancës së mbajtur më 13 shkurt, ka mohuar çdo komunikim të mundshëm me të.