Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
BETIMI PËR DREJTËSI

Gjykatësi Sejrani kërkoi përjashtimin nga rasti i Pulajt, pas hulumtimit të “Betimit për Drejtësi”

Artan Sejrani që në tentimin e “Betimit për Drejtësi” të datës 13 shkurt mohonte çdo komunikim të mundshëm me të akuzuarin, Shkodran Pulaj, del se më 26 shkurt ka kërkuar që të përjashtohet nga rasti, vetëm atëherë kur kryetarja ka pranuar raportin informues nga Prokuroria.

“Paraprakisht Gjyqtari Artan Sejrani me datë 26.02.2024, ka paraqitur kërkesë për përjashtim nga trajtimi i rastit, me qëllim që të evitohen të gjitha dilemat për trajtim të rastit. Për veprime të mëtutjeshme, si autoritet kompetent, jemi duke shqyrtuar në detaje raportin informues të pranuar nga ana e Prokurorisë së Shtetit, për të analizuar se veprimet e Gjyqtarit Artan Sejrani, a bien ndesh me Ligjin për procedurën disiplinore, dhe pas analizimit të të gjitha shkresave, do të ndërmarrim hapat e ardhshëm”, ka thënë Shpresa Emra, kryetare e Gjykatës Themelore në Prizren.

Lavdim Makshana nga IKD-ja thotë se fillimisht të shqyrtohen veprimet e gjyqtarit në drejtim të përgjegjësisë penale e pastaj përgjegjësia disiplinore.

“Prokuroria fillimisht veprimet e gjyqtarit duhet t’i trajtojë në kuptim të elementeve të përgjegjësisë penale, pra nëse ka pasur komunikime dhe nuk është njoftuar kryetarja e gjykatës atëherë ka dyshime për përgjegjësi penale, i takon prokurorisë me hulumtu tutje. Në rast se nuk ka elemente inkriminuese më pastaj kalohet në përgjegjësi disiplinore. Sipas Kodit të Procedurës Penale, përkatësisht paragrafit 3 të nenit 38, gjyqtari mund të përjashtohet nga trajtimi i rastit nëse paraqiten rrethana që vënë në dyshim paanshmërinë e tij. gjyqtari është dashur ta njoftoj kryetaren e Gjykatës për relacionin e tij me të akuzuarin Pulaj, për çka ka biseduar, kur ka biseduar, cili është raporti i tij me të akuzuarin etj, duke ia lënë kryetares së gjykatës të vlerësojë nëse ka baza për përjashtim të gjyqtarit nga rasti në fjalë. Për më tepër, këtë kërkesë ka mundur ta bëjë edhe prokurorja e rastit nëse realisht i ka pasur në posedim këto biseda pasi është rrethanë e mjaftueshme biseda e gjyqtarit me një të akuzuar që ajo ka ngritur aktakuzë për ta vënë në dyshim paanshmërinë e gjyqtarit”, sqaron Makshana.

Që nga 4 shtatori i vitit 2023, Pulaj gjendej në paraburgim për një vepër penale që parasheh dënim deri në 15 vjet burgim.

Edhe Prokuroria njofton Gjykatën për komunikimet e gjykatësit Sejrani me Pulajn BETIMI PËR DREJTËSI Prokuroria njofton Gjykatën për komunikimet e gjykatësit Sejrani me Pulajn

Por, pas seancës fillestare të mbajtur më 13 shkurt, gjyqtari Serjani e liroi atë nga paraburgimi.

Megjithëse po atë ditë u mbajt seanca në Gjykatën Themelore në Prizren, lirimi u bë larg syve të publikut, pas përfundimit të saj.

Megjithatë ai sërish nuk shpëtoi nga masa e paraburgimit, pasi ndaj tij u mbajt edhe një seancë tjetër për çka ka aktvendim për fillim të hetimeve me dyshimet për dhunim, për cka gjykata i ka vendosur masën e paraburgimit.

Në seancën për narkotik, Pulaj pranoi marrëveshjen e fajësisë për armëmbajtje pa leje, por jo edhe për shitblerjen me narkotik.

Pranimin e fajësisë e refuzoi prokurori Petrit Kryeziu, por sërish u miratua nga Sejrani.

Edhe Gjyqtari Sejrani trajtoi dy raste të Pulajt përkundër se kishte komunikime me të BETIMI PËR DREJTËSI Gjyqtari Sejrani trajtoi dy raste të Pulajt përkundër se kishte komunikime me të

“E pranoj fajësinë sa i përket veprës penale të armëmbajtës, për narkotik absolutisht jo”, ka thënë në seancë Pulaj.

“Gjithashtu e kundërshtoj pranimin e fajësisë nga i pandehuri Shkodran Pulaj që ka të bëjë me veprën penale nga neni 366 për faktin se këto prova gjithashtu kanë ndërlidhje edhe me veprën e parë, andaj i propozoj gjykatës lidhur me pranimin e fajësisë në këtë fazë në fund të shqyrtimit t’i trajtojë si rrethana lehtësuese, në këtë fazë pranimin e fajësisë mos ta aprovojë”, ka thënë prokurori Kryeziu.