BETIMI PËR DREJTËSI

Pulaj për gjykatësen Krusha: Ajo është e imja, i kam punët mire dhe do ta kryejë

Përveç me Sejranin, Shkodran Pulaj del të ketë pasur komunikime të vazhdueshme si dhe të paraqitet si i afërt edhe me shumë individë të tjerë brenda sistemit të drejtësisë, duke nisur nga Policia, Prokuroria, gjykata e ish-zyrtarë të pushtetit lokal.

Sipas raportit të ekspertizës, Pulaj në bisedë me person tjetër shpreh afërsi me gjyqtaren Teuta Krusha.

Një person me emrin Milazim bisedon me Pulajn më datë 23 gusht 2023, rreth orës 16 e 39 minuta nga i cili kërkon që t’i ndihmojë për ta liruar dikë nga paraburgimi.

Pulaj ia pohon ndërmjetësimin.

Personi në fjalë e njofton Pulajn se gjyqtare e rastit është Teuta Krusha, për të cilën Pulaj ia miraton se ka marrëdhënie të afërta.

“Gjyqtare e njofton se është Teuta Krusha, personi Shkodran Pulaj i thot se ajo është e jemja i kam punt mire dhe do ta kryn. Sipas bisedës bëhet fjalë për dy persona. Personi Shkodran Pulaj me datën 26.08.2022 17:44 (UTC+0) ia konfirmon se do të lëshohen dhe se ka biseduar për këtë punë. Me datën 2.9.2022, 4:45:50 (UTC+0) personi Milazim Vermica i thot se i ka 4 copa vetëm që me i liru. Me datën 05/09/2022 9:36:50 (UTC +0) është mbajtur seanca. Me datën 05.12.2023 në 16:48:58 (UTC+0) Milazimi i thot se ia dërgoj letërnjoftimin pasi që nëse do të ia dërgon 200 dhe të nesërmen konfirmohet se janë pranuar të hollat nga personi Shkodran Pulaj”, thuhet në raportin përshkrues të provave.

Këtu nuk dihet nëse Pulaj ka biseduar në realitet me gjyqtaren Krusha për t’i liruar.

Mirëpo, sipas provave nga bisedat konfirmohet pranimi i parave për çka ka bazë për hetim.

“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të flasë për këtë me Krushën, por e njëjta nuk e ka pranuar ekipin në zyrën e saj

Por, në emisionin e transmetuar më 2 dhjetor, Krusha si pjesë e trupit gjykues në rastin për të cilin Biraj dhe Pulaj flisnin për ryshfet për t’i liruar nga akuza tre të akuzuarit, kishte thënë se nuk ka kontakt me Shkodran Pulajn.

Hulumtuesi ligjor: Drejtpërdrejtë kurr nuk keni pas takime me Shkodranin?

Gjyqtarja: Kurrë e përjetë.

Gazetarja: A e njiheni Shkodran Pulajn?

Gjyqtarja: Qetu e ka një asi por unë kurr në at kafe nuk hi (nuk kuptohet)

Gazetarja: A ka tentu najhere me ju taku ose me bisedu me juve?

Gjyqtarja: Asnihere.