Stinori vjeshtor ishte për t’u harruar për skuadrën e Golden Eagle Yllit, me gjithë investimet shumë të mëdha. Situata ndryshoi këtë muaj, pas ardhjes së Scott Bamforthit dhe disa lojtarëve të tjerë të huaj.
Në Superligë, Ylli i Suharekës është në seri prej katër fitoreve, tri prej të cilave i shënoi këtë muaj.
Ndërkohë më 7 janar në “Minatori”, suharekasit fituan 102:99 ndaj Trepçës në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës në basketboll.
Ndeshja tjetër ndaj Trepçës do të jetë testi i vërtetë për forcën e Yllit.
Golden Eagle Ylli e pret skuadrën mitrovicase të mërkurën nga ora 18:45 në ndeshjen e dytë çerekfinale të Kupës. Skuadra më e suksesshme pas dy ndeshjeve, avancon në gjysmëfinale.
Ishin Bamforth dhe Antwan Scott që shkëlqyen në gjysmëfinalen e parë në Mitrovicë. Bamforth, amerikani me pasaportë të Kosovës, i realizoi 29 pikë, tri asistime e tri kërcime. Scot i kishte 29 pikë, katër asistime e tri kërcime.
Një tjetër paraqitje e tillë nga kjo dyshe do ta bënte shumë të vështirë për Trepçën, që është kampione në fuqi, si dhe fituese në fuqi e Kupës së Kosovës.
Por mitrovicasit udhëtojnë drejt Suharekës me synimin e qartë për kualifikim në gjysmëfinale. Pas humbjes në gjysmëfinale të Kupës, Trepça “shkatërroi” Prishtinën me rezultat 95:69 dhe Pejën me rezultat 98:61, në kuadër të Superligës. Në fundjavë arriti fitore të vështirë ndaj Vëllaznimit në Gjakovë, 78:73.
Në Superligë, “xehetarët” humbjen e fundit e kanë pësuar më 7 dhjetor, 85:83 nga Vëllaznimi. Trepça ka bilanc prej 13 fitoreve e tri humbjesh dhe udhëheq në tabelë me 29 pikë. Ylli është i pesti me 23 pikë, kurse ka shtatë fitore e nëntë humbje.
Të mërkurën prej orës 18:45 është edhe ndeshja mes Rahovecit 029 dhe Borës. Ndeshjen e parë, të luajtur në Prishtinë, Bora e fitoi me shifrat 79:70.
Të enjten prej orës 18:45 janë ndeshjet Sigal Prishtina – Vëllaznimi dhe GO+ Peja – Bashkimi. Prishtina e kishte fituar ndeshjen e parë me shifrat 82:68, kurse Bashkimi e kishte fituar ndeshjen e tensionuar ndaj Pejës me rezultat 96:90.