Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Basketboll

Ylli shkëlqen në debutimin e suksesshëm të Bamforthit

Golden Eagle Ylli

Skuadra e Golden Eagle Yllit ka shkëlqyer të mërkurën mbrëma në ndeshjen e parë të çerekfinales së Kupës së Kosovës në basketboll.

Fitorja e suharekasve 102:99 u arrit në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, ndaj kampiones dhe fitueses në fuqi të Kupës së Kosovës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kjo u arrit falë paraqitjes mbresëlënëse të dikur reprezentuesit të Kosovës, Scott Bamforth. Amerikani 36-vjeçar që luan si fundor, e mbylli ndeshjen me 29 pikë, tri kërcime e po aq  asistime. Edhe Antwan Scott pati paraqitje të jashtëzakonshme me 28 pikë, tri kërcime e katër asistime.

Trevon Allen në fitoren shënoi 14 pikë, kurse kapiteni Gëzim Morina ndeshjen e mbylli me 11 pikë.

Bamforth u zyrtarizua më 20 nëntor nga Ylli, por në stërvitje me klubin suharekas, u bashkua në fundjavën e kaluar.

Dhe pati ndikim menjëherë në lojën e suharekasve.

Trepçës i takoi pjesa e parë pasi e mbylli me katër pikë epërsi, 51:47.

Por, rikthimi i mysafirëve u bë në çerekun e tretë, të cilin e fituan 32:26. Periudha e fundit u mbyll 23:22, mjaftueshëm që Golden Eagle Ylli të arrijë fitore në ndeshjen e parë.

Shawn Jones te Trepça i pati statistikat më të mira me dyshifror të dyfishtë prej 24 pikëve e 10 kërcimeve. Edhe pesë lojtarë tjerë të skuadrës mitrovicase shënuan pikë dyshifrore, por të pamjaftueshme për ta shmangur disfatën. Mikaile Tmushiq i kishte 19 pikë, Kenneth Hasbrouck i shënoi 14 pikë, 13 pikë i pati Mustapha Amzil, Seketoure Henry 12, kurse Drilon Hajrizi i shënoi 10 pikë.

Një sukses tjetër në ndeshjen kthyese pas dy javësh, do ta dërgonte Golden Eagle Yllin në gjysmëfinale të garës.

Fituesi i këtij ballafaqimi në gjysmëfinale do të luajë me fituesin e ndeshjes Bora - Rahoveci 029.

Ndeshjen e parë, Bora e fitoi 79:70.