Basketboll

A do të ndryshojë Ylli me Bamforthin?

Scott Bamforthi

“A jeni gati? Për 50 vite histori”.

Me këtë postim Golden Eagle Ylli paralajmëroi një edicion të suksesshëm në basketbollin kosovar, në 50 vjetorin e themelimit si klub.

Postimi ishte bërë që më 20 qershor të vitit të kaluar. Ylli i Suharekës më pas prezantoi logo jubilare, mori trajner cilësor të huaj e po ashtu e mbushi skuadrën me lojtarë cilësorë e të shtrenjtë, të huaj e vendorë.

Çdo gjë dukej në rregull, pos rezultateve. Fitoret ishin të rralla e kritikat ndaj skuadrës të shumta. U largua kryetrajneri grek, Fotis Takianos, e në vend  të tij erdhi kroati Jeronimo Sharin, që e njeh goxha mirë ligën kosovare. Por gjendja sa u takon rezultateve nuk ndryshoi as pas ardhjes së Sharinit, ndonëse ai nuk kishte shumë kohë në dispozicion.

Sharin po ashtu u largua dhe trajneri i ri pritet të zyrtarizohet së shpejti.

U zëvendësuan edhe lojtarë të huaj, por as kjo nuk kreu punë.

Golden Eagle Ylli në vjeshtë i kishte vetëm katër fitore në Superligë, ndërsa i pësoi plot nëntë humbje. Dhe skuadra që pritej të luftonte për titull, me gjendjen momentale në tableë, duhet të luftojë për mbetje në Superligë. Bilanc si Ylli ka vetëm edhe Vëllaznimi. Skuadrat tjera kanë më shumë fitore.

Suharekasit megjithatë janë optimistë për sukses. Dhe optimizmin e mbështesin te një lojtar tjetër amerikan. Te Scott Bamforthi.

Që më 20 nëntor, Ylli njoftoi për arritjen e marrëveshjes me Bamforthin, dikur reprezentues i Kosovës. Por ai u bashkua në stërvitje me skuadër vetëm fundjavën që kaloi.

“Golden Eagle Ylli ka nënshkruar me Scott Bamforth, lojtari i natyralizuar si kosovar, i cili do të sjellë energji, përvojë dhe spektakël në parket. Bamforth pritet t’i bashkohet ekipit në javët në vazhdim”, shkruan në njoftimin e Yllit të publikuar më 20 nëntor.

Javët u shndërruan në një muaj e gjysmë. Dhe Bamforth pritet të debutojë këtë javë te suharekasit, përkatësisht të mërkurën në ndeshjen çerekfinale për Superkupë ndaj Trepçës.

Bëhet fjalë për lojtar cilësor dhe me shumë përvojë. 36-vjeçari luan në pozitën e fundorit. Së fundi luajti me sukses në Meksikë. Pas karrierës në NCAA, luajti në elitën e Spanjës për plot shtatë edicione. Ishte edhe në elitën e Italisë dhe të Francës, ndërsa një edicion u paraqit për Buduqnostin e Podgoricës. Bamforthi asnjëherë nuk ka ulur nivelin e paraqitjes dhe tani përvojën superiore e vë në dispozicion të Yllit.

“Stërvitja e parë e Scott Bamforthit dhe ai tashmë e shijon atë”, shkruan në një tjetër postim të klubit suharekas.

Forca e re e Yllit do të testohet seriozisht të mërkurën nga ora 18:45 në “Minatori”. Çerekfinalja e Kupës zhvillohet në dy ndeshje, por e para është me peshë të madhe.

“KB Golden Eagle Ylli nuk do të ndalet së punuari me përkushtim maksimal për t’iu bërë krenarë secilin prej jush. Viti 2026 do të jetë më i zjarrtë se kurrë”, janë optimistë suharekasit.

Ylli vlerësohet prej klubeve që përfitojnë më së shumti nga sponsorizimi. Paratë e shumta deri më tani nuk kanë nënkuptuar sukses. Mbetet të shihet nëse kjo do të ndryshojë ndërkohë.