Basketboll

Sharin tregon se çka nuk shkoi tek Ylli

Jeronimo Sharin

Kroati Jeronimo Sharin u prezantua si trajner i Golden Eagle Yllit më 2 dhjetor. Ai e udhëhoqi skuadrën suharekase vetëm deri në fund të dhjetorit, ndërsa Ylli nuk lëshoi ndonjë njoftim tjetër për ndarje me të. Më pas Yllin për disa javë e drejtoi Endrit Elshani, kurse prej 20 janarit trajner është spanjolli Paco Olmos.

Sharin, që tashmë ka përvojë të gjatë në basketbollin kosovar, me Yllin kishte kontratë dymujore, që përfundoi të hënën. Dhe pasi më nuk ka obligime kontraktuale ndaj suharekasve, ai ka folur për ndarjen e papritur dhe shumë të shpejtë me Yllin.

Klubi suharekas e nisi kampionatin me synime të mëdha dhe me grekun Fotios Takianos si kryetrajner. Megjithatë me asnjërin prej trajnerëve të huaj ende nuk e ka gjetur stabilitetin.

Kjo sjell pyetje nëse problemi është te trajnerët.

Sharin është i bindur se po të kishte kohën e duhur në dispozicion, tek Ylli do të ishte i suksesshëm.

“Ndarja erdhi shumë herët, por ishte vendim i menaxhmentit të klubit”, ka thënë Sharin për KOHËN.

Me Scott Bamforthin dhe Antwan Hallin në përbërje, ai është i bindur në sukses. Bamforth e Hall janë prej lojtarëve kryesorë të Yllit. Bamforth, amerikani me pasaportë kosovare, është lider i pakontestueshëm.

“Vendimi ishte i menaxhmentit të klubit. I dëshiroj çdo të mirë në të ardhmen. Ndërsa gjatë atij muaji, pavarësisht të gjitha problemeve që i kisha, i kemi bërë katër fitore. Problemet kishin të bënin me lëndimet dhe rënien mentale të lojtarëve. Me Bamforthin dhe Hallin jam i sigurt se çdo gjë do të ishte shumë mirë deri në fund. Menaxhmenti vendosi ndryshe dhe e respektoj vendimin e tij”, ka thënë Sharin.

Ai mori drejtimin e Yllit pak kohë pasi u nda me Vëllaznimin e Gjakovës. Te Vëllaznimi ishte i suksesshëm, ndërsa ka drejtuar edhe Sigal Prishtinën, Bashkimin e Pejën.

Ylli vazhdon të investojë shumë dhe të punojë për të krijuar ekip që mund ta fitojë titullin e kampionit.

Nga Kupa tashmë është eliminuar. Pas xhiros së 18-të është vetëm i pesti me tetë fitore e plot dhjetë humbje.

Të dielën skuadra suharekase pësoi humbje shumë të thellë, 98:81, nga Trepça në Mitrovicë.

Vetëm tre të huaj ishin në përbërjen e Yllit, që do të thotë se ky klub ka të drejtë të përfshijë në 12-she edhe dy të tjerë. 

Ylli të hënën e prezantoi amerikanin e radhës, Demetrius Conger, ndërsa lëvizje tjetër mund të bëjë së shpejti. Skuadrat që kanë pretendime asnjëherë nuk lënë vend të lirë prej atyre të rezervuara për të huaj.

Ndarja e Sharinit me një klub e më pas me të dytin, vetëm dëshmon jostabilitetin e klubeve kosovare të basketbollit, pavarësisht shpenzimeve të mëdha e në raste edhe marramendëse.