Vëllaznimi i ka dhënë fund serisë së Borës prej katër fitoreve rresht. Ndërkohë e ka ndërprerë serinë e tij prej tri humbjeve.
Të dielën mbrëma në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, Vëllaznimi e mposhti Borën me rezultatin 89:80.
Ndeshja i takoi xhiros së 18-të të elitës kosovare të basketbollit.
Pas pjesës së parë Bora kishte një pikë epërsi, 41:40. Por gjakovarët shpërthyen në çerekun e tretë, të cilin e fituan 29:15. Dhe e mbajtën epërsinë në periudhën e fundit për fitore të rëndësishme.
Jericole Hellems dhe Yor Anei shkëlqyen te Vëllaznimi. Hellems i kishte 23 pikë, dhjetë asistime e tetë kërcime. Ndërkohë Anei kontribuoi me 19 pikë e shtatë kërcime. Ziggy Ried realizoi 18 pikë, tri kërcime e tri asistime.
Te Bora më i miri ishte Amin Hot me 18 pikë e pesë asistime. Tyler Cheese i kishte 21 pikë e katër asistime.
Vëllaznimi tani ka gjashtë fitore e 12 humbje. Me 24 pikë e mban vendin e parafundit, përkatësisht të shtatë.
Bora e pësoi humbjen e nëntë, ndërsa i ka edhe nëntë fitore.