Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Basketboll

NBA, ndodh këmbimi më i madh i basketbollistëve në histori – përfshihen shtatë klube

Kevin Durant

Foto: Associated Press

Kevin Durant është basketbollisti më i ri i Houston Rockets. E me këtë rast u thye edhe një rekord.

Marrëveshja e miratuar nga liga më e fortë e basketbollit në botë, NBA, ishte pjesë e transaksioneve në mes të shtatë klubeve.

Në këmbime të basketbollistëve u përfshinë Phoenixi, Houstoni, Atlanta, Minnesota, Golden State, Brooklyni dhe Los Angeles Lakers. E në total u përfshinë 13 basketbollistë.

Në krye të transferimeve janë kalimi i Durantit nga Phoenixi te Houstoni, dërgimi i Jalen Greenit dhe Dillon Brooksit te Suns nga Rockets dhe Rockets marrin Clint Capelan nga Hawks.

Transferimi i hershëm më masiv ishte ai i Klay Thompsonit në Dallas Mavericks, në të cilin u përfshinë gjashtë skuadra. Ndodhi kjo verën e shkuar.

Te transferimi i madh i lojtarëve ka të përfshira edhe marrëveshje për të zgjedhur basketbollistët në draft.

Edhe James ka rastin për ta përfunduar debatin për më të mirin Basketboll James ka rastin për ta përfunduar debatin për më të mirin

36-vjeçari Durant, në sezonin e 17-të të tij në NBA vitin e shkuar, pati mesatare prej 26.6 pikësh. Houstoni është klubi i tij i pestë pas Oklahomas, Golden Statet, Brooklynit dhe Phoenixit. Duranti ka fituar dy tituj kampioni me Warriors dhe vitin e shkuar me SHBA-në u bë basketbollisti i parë që e mori katër herë medaljen e artë në Lojëra Olimpike.

Ai është katër herë koshashënuesi më i mirë në kampionat, dy herë MVP i finales dhe një nga tetë basketbollistët që kanë më shumë se 30 mijë pikë në karrierë.